Me vendim të gjyqit, dënimet për mjekun i cili rrezikon jetën e një pacienti do të thotë marrje përgjithmonë e lejes së punës, por nëse e shkel Kodeksin e etikës mjekësore, mund t’i merret leja në një afat prej deri 7 vjetësh, thonë nga Oda e mjekëve e Maqedonisë.
Sipas tyre, drejtorët e institucioneve janë ata që duhet të kenë kujdes në çfarë kushtesh punojnë të punësuarit. Lençe Nelovska, kryetare e Odës së mjekëve thotë:
„Secili institucion shëndetësor ka nivel të shkallës së parë të menaxhmentit. Kështu që, përgjegjësia lëvizë sipas shkallëve, para së gjithash, menaxhmenti i institucionit”. Ajo shtoi se as një punonjës nuk guxon të shkojë në punë në gjendje të alkoolizuar.
„Askush nuk guxon të vijë në punë në gjendje të alkoolizuar. Në pajtim me Ligjin për marrëdhëniet e punës, secili punëtor dhe i punësuar në cilindo institucion, nuk guxon të kryejë veprime në gjendje të alkoolizuar.”
Në bisedë telefonike, drejtori i spitalit të Gjevgjelisë, Sretko Jovanov, deklaroi se është e mundur të japë dorëheqje nga funksioni, për shkaqe morale, por nuk e di se kur.
Para katër ditëve vdiq lehona 32 vjeçare me beben e saj për shkak të komplikimeve gjatë lindjes me prerje Cezariane. Dy anesteziologë janë suspenduar ndërsa zgjatë procedura, por ende nuk ka të dhëna zyrtare se a kanë pasur në gjak alkool ose substanca të tjera të ndaluara.
Specialisti për mjekësi gjyqësore, Aleksej Duma Rasti thotë për TV 21 se rasti me lehonën e vdekur nga Gjevgjelia dhe beben e saj ka përparësi edhe në hulumtimet laboratorike të mjekësisë ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes,.
“Autopsia është kryer dhe tani duhet të bëhen hulumtimet laboratorike. Të punësuarit janë angazhuar edhe të shtunën dhe të dielën për t’i përpunuar materialet”, thotë Aleksej Duma. Ai shtoi se nuk mund të shpallen informata derisa të përfundojë procesi i analizës në tërësi, për çka nevojiten disa ditë. I gjithë dokumentacioni, raportet dhe analizat e mjekësisë ligjore do t’i dorëzohen Prokurorisë publike të Velesit”, thotë ai.
Lehona 32 vjeçare duhej të lindte fëmijën e saj të dytë, por gjatë lindjes me prerjen Cezariane gjendja u ndërlikua dhe ajo bashkë me beben e saj, vdiqën.
Dje nga Ministria e shëndetësisë lëshuan një komunikatë ku thuhet se institucionet gjegjëse po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme dhe se fajtorët për këtë tragjedi do të përgjigjen dhe do të paguajnë çmimin për papërgjegjësinë e tyre, në procedurë të paraparë me ligj.


