VMRO – DPMNE i vlerson kërkesat e reja të LSDM-së si ikje nga zgjedhjet e prillit, ndërsa i bëri thirrje partisë në opozitë, që të ballafaqohet me gjyqin e qytetarëve. Deputeti i VMRO DPMNE-së, Andon Çibishev, në emër të partisë, tha që çdo kërkesë e re e partisë në opozitë, është tentim për t’iu shmangur zgjedhjeve të reja.
Sipas Çibishev, LSDM-ja nuk është mësuar që të fillojë të ndërtojë një infrastrukturë prej zeros. Ai theksoi se VMRO – DPMNE-ja në mënyrë transparente dhe duke respektuar të gjitha ligjet e Republikës së Maqedonisë, ka krijuar kushte elementare për punë për anëtarët e saj.
Reagimi i VMRO DPMNE-së vjen pas konferencës së jashtëzakonshme të LSDM-së, e cila paraqiti dokumente që, sipas saj, përmbajnë elemente kriminale. Reagimi po ashtu pasoi paralajmërimin e partisë më të madhe opozitare, se do të vazhdonte me publikimin e të ashtuquajturave “Bomba” nëse nuk arrihet marrëveshja.
