Trupi koordinues i ushtarëve profesionistë të shkarkuar e ka ndërprerë grevën e urisë. Ata gjatë mesditës i larguan tendat që për një kohë të gjatë ishin vendosur para Kuvendit. Vendimi, siç thonë, vjen pas paralajmërimit se të martën do të mbahet seanca e Komisionit për mbrojtje dhe siguri, ku në rendin e ditës duhet të gjendet edhe nisma e tyre për ndryshimin e Ligjit për shërbim në ARM.
DEKLARATË BORÇE ANDONOVSKI – SINDIKATA E PAVARUR E USHTARËVE PROFESIONISTË
“Edhe një herë kërkojmë që në diskutim të marrin pjesë përfaqësues të ushtarëve profesionistë të shkarkuar dhe u bëjmë apel që të gjithë pjesëmarrësit në debat ta mbështesin iniciativën”, tha Borçe Andonovski nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë
Me mbështetjen e këtyre ushtarëve, siç tha Andonovski, do të korrigjohet padrejtësia e bërë ndaj tyre dhe do të ndikohet në moralin dhe shpirtin ushtarak të ARM-së. Ushtarët e shkarkuar kërkuan prej shtetit që ta zgjidhë statusin e tyre, sepse ata janë larguar prej punës për shkak të kufirit të moshës prej 35 deri 38 vjet. Ministria e mbrojtjes para ca kohësh njoftoi:
“Qeveria bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2013 kanë përgatitur propozim për ndryshimet e Ligjit për shërbim në ARM. Me ndryshimet e bëra ishin përfshirë ish ushtarët profesionistë, të cilëve u mbaroi kontrata profesionale me ARM-në. Pas kontrollimeve të kryera nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i ARM-së u konfirmua se 59 persona i plotësojnë kushtet dhe se këta 59 persona ishin punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Me këto ndryshime është qartësuar se pas mbushjes së moshës prej 45 vjetësh, ushtarët profesionistë do të vendosin marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar pa shpallje publike, por në pajtim me përgatitjen e tyre profesionale dhe aftësitë personale”, kjo u theksua në deklaratën e fundit nga Ministria e Mbrojtjes.
Ushtarët profesionistë sot morën mbështetje edhe nga një grup gjeneralësh në pension. Ata u bënë thirrje deputetëve në Kuvend që ta mbështesin ligjin. Sipas tyre, ndryshimet në Ligjin për shërbim në ARM nuk do të kenë pasoja fiskale për Buxhetin, por do t’i zgjidhin fatet e njerëzve në ARM.
“Kjo na shqetëson, veçanërisht sepse një pjesë e ushtarëve sipas ligjit të marrëveshjes janë punësuar në mënyrë selektive, ndërsa ata që nuk i kanë kaluar kontrollimet nëpër komunat e VMRO-së, këtë e theksoj, sepse nuk janë bërë kontrollime nëpër institucionet e sistemit, por janë bërë kontrollime partiake. Prandaj ne duam t’i mbështesim”, tha Ilija Nikolovski, gjeneral i pensionuar.
Ai është shqetësuar për gjendjen e përgjithshme në ARM, ai shton më tej:
“Kohën e fundit atje ka pensionime masive, zhvendosje masive nga një detyrë në detyrë tjetër. Me fjalë të tjera bëhet selektim për të gjithë ata për të cilët është vlerësuar se janë të papërshtatshëm, janë në pension ose zhvendosen në detyra të tjera. Ky është një gabim strategjik”.
Te ne profesionalizmi nuk respektohet, thotë Nikolovski, por siç theksoi ai, mbizotëron përkatësia partiake. Sipas tij, Maqedonia gjendet në krizë të thellë politike dhe të sigurisë. Kriza, siç tha Nikolovski, është më e madhe sesa ajo i vitit 2001.

