Donald Trump shpreson për fundin e luftës me Iranin

0

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi mbrëmë se shpreson për përfundimin e luftës me Iranin, ndërsa „Axios“ raportoi se ai pritet të takohet të martën me liderët e vendeve të Gjirit Persik, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Deklaratat e tij vijnë në kohën kur lufta me Iranin ka hyrë në muajin e shtatë, ndërsa fundi i saj ende nuk është në horizont.

„Axios“ raportoi mbrëmë se takimi i Trumpit me liderët e Gjirit Persik, që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Nju Jork, do të fokusohet në planet e SHBA-së për strategjinë pas luftës. Media i referohet burimeve anonime.

Në raport thuhet se Trump do të takohet me liderët ose ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC): Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit, Kuvajtit dhe Omanit.

Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit si pasojë e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit është bërë një çështje e rëndësishme për Partinë Republikane të Trumpit, përpara zgjedhjeve për Kongres në nëntor.

Messi shkruan historinë duke fituar trofeun e 49-të në karrierë, Inter Miami mposht Cruz Azul

0

Inter Miami ka fituar “Campeones Cup”, pasi mundi 2-0 meksikanët e Cruz Azul. Për skuadrën e MLS shënoi, natyrisht, Lionel Messi, i cili pas 24 minutash zhbllokoi rezultatin. Në fund ishte ish-lojtari i Real Madrid dhe Manchester United, Casemiro, që mbylli ndeshjen me golin e dytë.

Për yllin argjentinas bëhet fjalë për trofeun e 49-të të fituar në karrierë: 10 tituj kampion në La Liga, 8 Superkupa spanjolle, 4 Champions League, 3 Superkupa UEFA, 3 Botërorë për klube, 2 Ligue 1, 2 Kupa Amerike, 1 Kupë Bote, 1 Finalissima, 1 medalje olimpike, 1 Botëror U-20, 1 Superkupë franceze, 1 League Cup amerikane, 1 MLS Supporters Shield, 1 kampionat amerikan të Eastern Conference, 1 MLS Cup dhe 1 Campeones Cup.

Me golin ndaj Cruz Azul, Messi është bërë lojtari që arrin më shpejt në historinë e MLS kuotën e 100 golave për një klub, duke marrë në konsideratë të gjitha kompeticionet. Janë 100 gola dhe 55 asiste në 114 ndeshje për të. Për 8 herë fituesin e “Topit të Artë”, është goli i 36-të në një finale, ndërkohë që numri i golave në total në karrierë ka shkuar në 929.

Dy viktima nga malaria, dyshime për mushkonjat e infektuara pranë aeroportit në Frankfurt

0

Autoritetet shëndetësore në Frankfurt kanë zgjeruar monitorimin e mushkonjave në zonën e Aeroportit të Frankfurtit, pas disa rasteve të malaries, dy prej të cilave kanë përfunduar me vdekje.

Në fokus janë mushkonjat e gjinisë Anopheles, të cilat dyshohet se mund të jenë transportuar në Gjermani përmes fluturimeve ajrore.

Rastet e fundit, të identifikuara në lagjen Schwanheim, pranë aeroportit, kanë shkaktuar shqetësim tek banorët. Shërbimi Shëndetësor i Frankfurtit ka zgjeruar për këtë arsye programin e monitorimit të mushkonjave edhe në këtë zonë.

Linja telefonike e ngritur nga autoritetet shëndetësore po përdoret intensivisht, me rreth pesë deri në dhjetë telefonata në orë. Shumica e pyetjeve lidhen me mënyrat e parandalimit dhe mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave.

Në qershor dhe gusht, gjashtë punonjës të Aeroportit të Frankfurtit u diagnostikuan me malarie. Dy prej tyre humbën jetën.

Sipas autoriteteve shëndetësore, asnjë prej personave të prekur nuk kishte udhëtuar më parë në zona tropikale dhe as nuk kishte marrë transfuzion gjaku. Për këtë arsye, u ngrit dyshimi se infeksionet mund të jenë shkaktuar nga mushkonja Anopheles të infektuara, të transportuara në zonën e aeroportit përmes fluturimeve ajrore.

Malaria nuk transmetohet drejtpërdrejt nga një person te tjetri. Zakonisht, transmetimi ndodh përmes pickimit të një mushkonje të infektuar.

Sipas Shërbimit Shëndetësor të Frankfurtit, rastet e reja lidhen me formën më të rrezikshme të sëmundjes, të njohur si malaria tropikale.

Për të përcaktuar nëse rastet e fundit kanë lidhje me ato të mëparshme, mostrat e gjakut të pacientëve do të analizohen nga një laborator i specializuar për sëmundjet tropikale në Antverp të Belgjikës.

Ekspertët do të shqyrtojnë nëse parazitët e malaries, të njohur si Plasmodium, kanë të njëjtin profil gjenetik. Kjo mund të ndihmojë në përcaktimin nëse infeksionet kanë një burim të përbashkët.

Dy personat e prekur së fundmi nuk punojnë në aeroport dhe nuk kanë qenë në një udhëtim të gjatë jashtë vendit. Sipas kreut të Shërbimit Shëndetësor të Frankfurtit, Peter Tinnemann, ata po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Një nga pyetjet kryesore është nëse është e mundur që një mushkonjë Anopheles e infektuar me parazitin e malaries të jetë transportuar në mënyrë të përsëritur në Aeroportin e Frankfurtit gjatë një periudhe prej disa muajsh.

Parazitologu dhe biologu Sven Klimpel, profesor në Universitetin Goethe të Frankfurtit, e konsideron këtë skenar jashtëzakonisht të pazakontë dhe kërkon që të shmangen spekulimet derisa të mblidhen më shumë të dhëna.

Sipas tij, autoritetet duhet të vendosin sa më shpejt një rrjet të dendur kurthesh për mushkonjat dhe të shfrytëzojnë sistemin ekzistues të monitorimit shkencor.

Klimpel nuk e konsideron të mundshme që mushkonjat e infektuara Anopheles të jenë shumuar në aeroport dhe më pas të jenë përhapur në zonat përreth.

Arda Guler transformohet fizikisht, shton 12 kilogramë muskuj te Real Madridi

0

Arda Guler ka pësuar një transformim të madh fizik që nga transferimi te Real Madridi, duke shtuar rreth 12 kilogramë masë muskulore gjatë tri sezoneve të fundit.

Mesfushori turk iu bashkua klubit madrilen në moshën 18-vjeçare, kur peshonte 63 kilogramë, ndërsa tani peshon 75 kilogramë. Sipas gazetarit Marcos Benito, Guler ka ulur gjithashtu përqindjen e yndyrës trupore me 1.2 për qind.

Zhvillimi i tij fizik ka ardhur paralelisht me rritjen e besimit në paraqitjet e tij. Guler zhvilloi atë që u cilësua si pjesa e parë më e mirë e tij që nga transferimi te Real Madridi, duke impresionuar me përfshirjen në lojë dhe qetësinë me topin.

21-vjeçari po aktivizohet gjithnjë e më shumë në rolin e mesfushorit, një pozicion ku duket se ndihet më rehat dhe ku mund të ndikojë më shumë në lojë.

Ai ka marrë gjithashtu përgjegjësi për goditjet standarde dhe është shfaqur i sigurt në kërkimin e topit nga bashkëlojtarët.

Me gjendjen fizike që tani konsiderohet në një nivel shumë të lartë, Güler duket gjithnjë e më i gatshëm për të marrë një rol të rëndësishëm në planet e Real Madridit.

Vance: Nuk duhet ta nënshtrojmë politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme ndaj interesave izraelite

0

Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, deklaroi sot se Uashingtoni nuk duhet ta nënshtrojë politikën e tij të jashtme në Lindjen e Mesme ndaj shtetit të Izraelit, duke theksuar se SHBA-ja duhet të kujdeset për interesat e saj kombëtare.

Duke folur në një konferencë të organizuar nga podcasti „All-in“, Vance tha se Izraeli është një partner i rëndësishëm i SHBA-së në fushën e teknologjisë ushtarake dhe shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, por se Uashingtoni ndonjëherë ka qëndrime të ndryshme nga qeveria izraelite, raportoi „The Times of Israel“.

Vance tha se presidenti amerikan Donald Trump, më shumë se çdo president tjetër amerikan në 40 vitet e fundit, ka treguar gatishmëri të distancohet nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kur vlerëson se interesat e popullit amerikan ndryshojnë nga interesat e qeverisë izraelite.

“Donald Trump është i vetmi president në 40 vitet e fundit që ka qenë i gatshëm të thotë: ‘Netanyahu është një partner i mirë, por ai dhe unë kemi mendime të ndryshme për këtë çështje’ ose ‘Netanyahu e ka gabim për këtë”, tha Vance.

Ai shtoi se Trump mund të besojë se Netanyahu ka të drejtë nga perspektiva e Izraelit, por interesat e popullit amerikan kërkojnë një kurs tjetër veprimi.

Vance tha se bazimi i marrëdhënieve me Izraelin, ashtu si edhe i të gjitha marrëdhënieve të tjera, në interesat e SHBA-së është mënyra më e mirë për zhvillimin e një dialogu racional. Ai shtoi se i njëjti parim vlen edhe për marrëdhëniet me NATO-n.

“Kemi marrëdhënie dhe partneritete shumë të rëndësishme në NATO, por kjo nuk do të thotë se do ta nënshtrojmë plotësisht politikën tonë të jashtme evropiane ndaj NATO-s, në të njëjtën mënyrë siç nuk mund të lejojmë që politika jonë e jashtme në Lindjen e Mesme të jetë e nënshtruar ndaj shtetit të Izraelit”, tha Vance.

Ai deklaroi se SHBA-ja do të bashkëpunojë me ata me të cilët mund të bashkëpunojë.

“Nuk do të pajtohemi kur nuk pajtohemi dhe do t’i përfaqësojmë interesat e Amerikës. Kjo është mënyra e vetme për të pasur një politikë të jashtme racionale”, përfundoi zëvendëspresidenti amerikan.

Meidani: Kuvendi i Kosovës ka detyrimin të vendosë, Gjykata Speciale nuk meriton të vazhdojë të flasë në emër të një populli që s’e njeh si të vetin

0

Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Meidani shprehet se drejtësia e munguar duhet të jepet, por sipas tij, procesi duhet të përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës dhe jo ta zhgënjejë atë, përcjell TV21. Ai thekson se Kosova ishte viktimë e dhunës së shtetit serb dhe se përgjegjësia individuale nuk duhet ta relativizojë këtë kontekst historik. Meidani shprehu mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke thënë se i ka njohur si luftëtarë dhe udhëheqës të UÇK-së dhe se nuk i ka parë si njerëz të aftë për veprimtari kriminale. Ai gjithashtu tha se Kuvendi i Kosovës duhet të shqyrtojë vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara në formën aktuale.

Shkrimi i plotë i Meidanit:

Kam qenë President i Republikës në vitet e vështira kur Shqipëria dhe populli i saj, hapën kufijtë dhe zemrën për vëllezërit e tyre shqiptarë të Kosovës që po dëboheshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre nga milicët dhe paraushtarakët e regjimit represiv të Millosheviçit. E kam ndjerë këtë represion qysh prej viteve si pedagog i Universitetit të Prishtinës, sidomos në vitin 1981 e më pas kur jo vetëm nuk u lejuam për të vazhduar leksionet tona, por dhe na u bënë tepër të vështira kontaktet dhe komunikimet me studentët tanë. Si politikan dhe si Kryetar Shteti përjetova dhe shkallën më të lartë të egërsisë dhe represionit millosheviçian ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që kapi nivele të skajshme gjenocidale.

Aktgjykimi i sotëm në Hagë mban emrin e popullit të Kosovës, por asnjë gjyqtar i atij trupi gjykues nuk i përket Kosovës e nuk e kupton atë, dhe seanca nuk u mbajt as në tokën e saj. Kjo është pyetja që më mundon më shumë se vetë numri i tejzgjatur, pa arsye, i viteve. Në fakt, në ç’ emër flet një gjykatë e tillë, kur populli që ajo pretendon ta përfaqësojë s’ka zë e peshë brenda saj, por proteston jashtë saj apo sheshet e Kosovës? Aktgjykimi është i shkallës së parë; procesi vazhdon. Drejtësia e munguar duhet të jepet! Por, ama, duhet ta përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, jo ta zhgënjejë atë!

Ajo që nuk vazhdon të diskutohet është konteksti historik: Kosova dhe populli i saj ishin viktimë e dhunës së shtetit serb, jo palë e barabartë me agresorin. Përgjegjësia individuale, nëse do të kishte, assesi nuk mund ta relativizojë atë fakt, as të vërë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë që Kosova i fitoi me çmim të jetëve njerëzore, veçanërisht të rinjve të saj. Këtë e kanë pranuar këto ditë, ashtu si dhe gjatë krizës kosovare, edhe mjaft zëra perëndimorë dhe kishin e kanë të drejtë.

Personalisht mendoj se asnjë vendim gjyqësor nuk mund t’ua heqë vendin që zënë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi në një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare. Në atë kohë, kur liria e Kosovës dhe paqja e rajonit ishin ende një ideal pa siguri, ata guxuan të merrnin mbi supe barrën historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre, në një moment kur çdo gjë rrezikohej e asnjë sukses nuk ishte i garantuar. Unë e pashë atë rrezik nga afër, në kohën time si President, në pamjet e trishtueshme të dëbimeve me forcë dhe vrasjeve masive. Po ashtu, i kam njohur ata si djem, si luftëtar e udhëheqës trima, me emocionin rinor dhe gatishmërinë për sakrificë, dhe aspak si njerëz të aftë për veprimtari kriminale, që u përshkruhen sot.

Sot mendoj për këta katër burra dhe për familjet e tyre, që prej gati gjashtë vjetësh mbajnë peshën e këtij procesi, teksa vazhdojnë ende luftën dhe sakrificën e tyre për të garantuar një Kosovë të lirë. Jam pranë tyre, siç kam qenë e do të jem gjithmonë.

Shqipëria e zgjodhi rrugën perëndimore që në vitet e para të demokracisë, dhe unë e kam mbështetur atë zgjedhje si qytetar e President. Por besnikëria ndaj asaj rruge nuk kërkon heshtje kur diçka na duket e padrejtë. Kërkon që t’u kërkojmë aleatëve tanë Perëndimorë që t’u përmbahen, në çdo rast dhe për çdo popull, sado i vogël qoftë ai, parimeve mbi të cilat është ngritur demokracia, mbi të gjitha: liria, barazia dhe drejtësia për të gjithë, pa përjashtim.

Prandaj besoj se këto dënime duhet të kundërshtohen deri në shkallën e fundit, me çdo mjet ligjor në dispozicion. Madje, Kuvendi i Kosovës ka detyrimin të vendosë që kjo gjykatë, në formën e sotme, nuk meriton të vazhdojë të flasë në emër të një populli që s’e njeh si të vetin.

Rezerva Federale e SHBA-së kundërshton kërkesat e Trump, rriti normën bazë të interesit

0

Rezerva Federale e SHBA-së (Fed) sot e rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, për herë të parë pas më shumë se tre vitesh, përcjell TV21. Norma e interesit është rritur nga 3.75 në 4 për qind, si përgjigje ndaj inflacionit të vazhdueshëm të lartë.

Fed e rriti normën bazë të interesit pavarësisht kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump për norma më të ulëta interesi.

Banka Qendrore Evropiane javën e kaluar e rriti normën bazë të interesit, për herë të dytë këtë vit, si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit të shkaktuar nga lufta në Iran.

Rritja e normës së interesit nga Fed-i nënkupton kredi më të shtrenjta dhe më pak shpenzime, me synim frenimin e inflacionit. Në afat të shkurtër mund të ngadalësojë aktivitetin ekonomik dhe investimet, ndërsa synimi është stabilizimi i çmimeve dhe i ekonomisë në periudhë më të gjatë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht uljen e normave të interesit nga Rezerva Federale. Në një deklaratë të fundit, Trump tha se SHBA-ja duhet të ketë normat më të ulëta të interesit në botë, duke ushtruar presion ndaj Fed-it për politika monetare më lehtësuese.

Foden dënohet me pezullim në 3 ndeshje pas goditjes ndaj Fernandesit

0

Federata Angleze e Futbollit i ka shqiptuar sot një pezullim prej tre ndeshjesh futbollistit të Manchester Cityt, Phil Foden.

Futbollisti 26-vjeçar i Cityt do të mungojë në ndeshjen në shtëpi të Kupës së Ligës kundër Norwichit, si dhe në dy ndeshjet e Premier Ligës, në shtëpi kundër Sunderlandit dhe në transfertë ndaj Liverpoolit në “Anfield”.

Foden u dënua për një veprim josportiv në derbin e Manchesterit kundër Manchester Unitedit të dielën, kur në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa ishte i shtrirë në tokë, goditi me të dyja këmbët lojtarin kundërshtar Bruno Fernandes.

Edhe pse Manchester City që nga minuta e 23-të luajti me një futbollist më pak, arriti të triumfojë 1-0 në “Old Trafford”, falë golit të Erling Haaland.

Nikolloski-Varnes: Gatishmëri e fortë për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët mes Maqedonisë dhe SHBA-së

0

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe mbështetja e SHBA-së për proceset reformuese në Maqedoni kanë qenë në fokus të takimit mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së ambasadores së SHBA-së në vend.

Nikolloski dhe Varnes kanë konstatuar se lidhjet ekonomike mes dy vendeve janë gjithashtu në nivel të lartë, ndërsa shkëmbimi tregtar shënon trend pozitiv.

Zëvendëskryeministri Nikolloski në takim ka theksuar se politikat zhvillimore të Qeverisë janë të orientuara drejt zhvillimit ekonomik, pikërisht përmes realizimit të projekteve të mëdha kapitale që çojnë drejt lidhjes dhe integrimit rajonal. Ai ka shtuar se ndërtimi i autostradave në Korridoret 8 dhe 10-d po realizohet me dinamikë të shkëlqyer, në përputhje me afatet e parapara, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.

Të dy bashkëbiseduesit kanë përshëndetur partneritetin strategjik mes dy vendeve, duke theksuar se ai është garanci për sigurimin e stabilitetit në vend dhe në rajon.

Maqedonia dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, ka qenë përfundimi i takimit, ndërsa ekziston gatishmëri e fortë për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Reagon Bekim Jashari: Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës

0

Bekim Jashari, djali i heroit të kombit Hamëz Jashari, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Jashari ka publikuar në rrjetin social Instagram një fotografi, në të cilën shkruhet mesazhi: “Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.