Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, deklaroi sot se Uashingtoni nuk duhet ta nënshtrojë politikën e tij të jashtme në Lindjen e Mesme ndaj shtetit të Izraelit, duke theksuar se SHBA-ja duhet të kujdeset për interesat e saj kombëtare.
Duke folur në një konferencë të organizuar nga podcasti „All-in“, Vance tha se Izraeli është një partner i rëndësishëm i SHBA-së në fushën e teknologjisë ushtarake dhe shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, por se Uashingtoni ndonjëherë ka qëndrime të ndryshme nga qeveria izraelite, raportoi „The Times of Israel“.
Vance tha se presidenti amerikan Donald Trump, më shumë se çdo president tjetër amerikan në 40 vitet e fundit, ka treguar gatishmëri të distancohet nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kur vlerëson se interesat e popullit amerikan ndryshojnë nga interesat e qeverisë izraelite.
“Donald Trump është i vetmi president në 40 vitet e fundit që ka qenë i gatshëm të thotë: ‘Netanyahu është një partner i mirë, por ai dhe unë kemi mendime të ndryshme për këtë çështje’ ose ‘Netanyahu e ka gabim për këtë”, tha Vance.
Ai shtoi se Trump mund të besojë se Netanyahu ka të drejtë nga perspektiva e Izraelit, por interesat e popullit amerikan kërkojnë një kurs tjetër veprimi.
Vance tha se bazimi i marrëdhënieve me Izraelin, ashtu si edhe i të gjitha marrëdhënieve të tjera, në interesat e SHBA-së është mënyra më e mirë për zhvillimin e një dialogu racional. Ai shtoi se i njëjti parim vlen edhe për marrëdhëniet me NATO-n.
“Kemi marrëdhënie dhe partneritete shumë të rëndësishme në NATO, por kjo nuk do të thotë se do ta nënshtrojmë plotësisht politikën tonë të jashtme evropiane ndaj NATO-s, në të njëjtën mënyrë siç nuk mund të lejojmë që politika jonë e jashtme në Lindjen e Mesme të jetë e nënshtruar ndaj shtetit të Izraelit”, tha Vance.
Ai deklaroi se SHBA-ja do të bashkëpunojë me ata me të cilët mund të bashkëpunojë.
“Nuk do të pajtohemi kur nuk pajtohemi dhe do t’i përfaqësojmë interesat e Amerikës. Kjo është mënyra e vetme për të pasur një politikë të jashtme racionale”, përfundoi zëvendëspresidenti amerikan.
