Nikolloski-Varnes: Gatishmëri e fortë për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët mes Maqedonisë dhe SHBA-së

TË FUNDIT

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe mbështetja e SHBA-së për proceset reformuese në Maqedoni kanë qenë në fokus të takimit mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe Nicole Varnes, ushtruese e detyrës së ambasadores së SHBA-së në vend.

Nikolloski dhe Varnes kanë konstatuar se lidhjet ekonomike mes dy vendeve janë gjithashtu në nivel të lartë, ndërsa shkëmbimi tregtar shënon trend pozitiv.

Zëvendëskryeministri Nikolloski në takim ka theksuar se politikat zhvillimore të Qeverisë janë të orientuara drejt zhvillimit ekonomik, pikërisht përmes realizimit të projekteve të mëdha kapitale që çojnë drejt lidhjes dhe integrimit rajonal. Ai ka shtuar se ndërtimi i autostradave në Korridoret 8 dhe 10-d po realizohet me dinamikë të shkëlqyer, në përputhje me afatet e parapara, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.

Të dy bashkëbiseduesit kanë përshëndetur partneritetin strategjik mes dy vendeve, duke theksuar se ai është garanci për sigurimin e stabilitetit në vend dhe në rajon.

Maqedonia dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, ka qenë përfundimi i takimit, ndërsa ekziston gatishmëri e fortë për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.