Tenderi për ujin në Gostivar ndez përplasjen politike! LSDM akuzon për biznes, VMRO-DPMNE mohon pretendimet

TË FUNDIT

LSDM akuzon se prania e bakterit Pseudomonas aeruginosa në ujin e Gostivarit dëshmon dështimin e institucioneve, ndërsa kritikon autoritetet se për ditë të tëra kanë siguruar qytetarët se uji ishte teknikisht i rregullt, pa publikuar dokumente zyrtare.

Socialdemokratët po ashtu akuzojnë Qeverinë se, në mes të krizës me ujin e pijshëm në Gostivar, ka lidhur pa shpallje publike një kontratë prej 100 mijë eurosh për furnizim me ujë me kompaninë “Kozhuvçanka”, në pronësi të kryetarit të Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev.

 “Dhe ndërsa populli po helmohej, Mickoski dhe VMRO-GOK kishin prioritete të tjera. Një marrëveshje biznesi prej 100 mijë eurosh për ujë në Gostivar, pa tender dhe pa shpallje publike. Ndërsa populli po helmohet, patriotët e tenderëve bëjnë biznes. Askush nuk ka të drejtë të luajë me shëndetin e qytetarëve, e aq më pak të përfitojë, ndërsa populli po helmohet”, u shpreh Simona Cvetanovski – anëtare e kryesisë ekzekutive të LSDM-së.

VMRO-DPMNE reagoi ndaj akuzave të LSDM-së, duke i cilësuar ato si gënjeshtra dhe duke pretenduar se opozita nuk e ka ndihmuar Gostivarin as me një paketë ujë, ndërsa Qeveria, sipas tyre, po siguron ujë falas për qytetarët.

“Llumi i LSDM-së mendoi se çfarë të sajojë dhe çfarë gënjeshtre të përhapë, prandaj shpiku se Qeveria po bën biznes me kompaninë “Kozhuvçanka”. Por e vërteta është se Qeveria, përmes tenderit, ka zgjedhur kompaninë që i shet ujin me një çmim dy herë më të ulët se ai i tregut, vetëm 12,5 denarë për një shishe prej 1.5 litrash, si vendim i kompanisë për të qenë shoqërisht e përgjegjshme dhe për të mos përfituar nga kriza në Gostivar”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga partia në pushtet thonë se është e qartë se llumi i LSDM-së mendon vetëm për fitim të pistë dhe u përpoq të krijojë skandal aty ku gjithçka është e pastër, por megjithatë partia opozitare ka kërkuar që Prokuroria të hapë hetim për rrezikimin e qëllimshëm të shëndetit të qytetarëve dhe të përcaktojë përgjegjësi për kryeministrin Mickoskin, ministrin e Shëndetësisë Klekovskin dhe ministrin e Punëve të Brendshme Toshkovskin.