Rreth 1 në 10 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç në Maqedoninë e Veriut janë ekspozuar gjatë një viti ndaj abuzimit ose shfrytëzimit seksual përmes teknologjisë. Kjo nënkupton rreth 12 mijë fëmijë në nivel vendi. Në 78% të rasteve, abuzuesi ka qenë person i njohur për fëmijën, ndërsa në 39% të rasteve bëhej fjalë për partner aktual ose ish-partner, apo person ndaj të cilit fëmija kishte simpati.
Rrjetet sociale kanë qenë hapësira më e shpeshtë e abuzimit, me Instagramin, Snapchatin dhe TikTokun ndër platformat kryesore. Edhe pse 88% e fëmijëve ia kanë treguar dikujt për atë që u ka ndodhur, vetëm 1% e kanë raportuar në polici. Studimi tregon se fëmijët e prekur kanë rrezik dukshëm më të lartë për ankth, vetëlëndim dhe mendime vetëvrasëse. Raporti “Disrupting Harm” është realizuar nga ECPAT International, INTERPOL dhe UNICEF Innocenti, me mbështetjen e Safe Online dhe në bashkëpunim me institucionet vendore.
