Dhjetëra të vdekur dhe qindra të zhdukur nga përmbytjet në Nepal

TË FUNDIT

Të paktën 95 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet e shpejta dhe rrëshqitjet masive të dheut në Nepal, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Shifra e viktimave është konfirmuar nga zyra e kryeministrit të Nepalit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura.

Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, ka shprehur dhimbjen e tij për tragjedinë, duke thënë se i gjithë vendi është tronditur thellë nga humbja e jetëve dhe dëmet e mëdha materiale. Ai ka deklaruar se qeveria ka mobilizuar menjëherë të gjitha burimet në dispozicion për të vijuar operacionet e shpëtimit dhe rikuperimit.

Situata mbetet veçanërisht e rëndë në zonat pranë kufirit me Kinën. Sipas Bordit të Turizmit të Nepalit, 403 persona rezultojnë të zhdukur, mes tyre 341 shtetas të huaj dhe 62 shtetas nepalezë.

Shumë prej personave të zhdukur besohet se po udhëtonin drejt zonës së Kailash Mansarovar, pranë kufirit Indi-Nepal-Tibet, një destinacion i rëndësishëm turistik dhe fetar.

Fatkeqësia ka prekur rëndë edhe Tibetin, ku rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet kanë shkaktuar viktima dhe kanë lënë persona të tjerë të zhdukur. Në zonat kufitare janë mobilizuar qindra punonjës të ekipeve të emergjencës, gjeologë dhe inxhinierë, të pajisur me dronë, skanerë dhe pajisje të specializuara për kërkim-shpëtim. Megjithatë, operacionet po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të rrugëve të dëmtuara.

Distriktet Rasuwa dhe Nuwakot janë ndër zonat më të goditura në Nepal. Përmbytjet dhe rrëshqitjet kanë shkatërruar rrugë, ura, hidrocentrale dhe pjesë të rëndësishme të infrastrukturës që lidh Nepalin me Kinën.

Përmasat e katastrofës e bëjnë atë një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që ka goditur Nepalin që prej tërmetit të vitit 2015, ku humbën jetën rreth 9 mijë persona.

Ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet, autoritetet po përballen me një garë kundër kohës për të gjetur qindra personat e zhdukur dhe për të evakuuar banorët nga zonat që mbeten të rrezikuara nga rrëshqitjet dhe përmbytjet e reja.