Mickoski: Nesër do të hapet konvikti studentor i rinovuar “Stiv Naumov”

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se nesër do të hapet konvikti studentor i rikonstruuar “Stiv Naumov” në Shkup, i cili do të jetë një objekt modern me kushte bashkëkohore për akomodimin e studentëve. Së shpejti, tha ai, pritet edhe hapja e konviktit “Kuzman Josifovski-Pitu” në Shkup. Të dy janë rinovuar për gati dy vjet në kuadër të planit për rikonstruim me faza të të gjitha konvikteve studentore në vend.

“Shumë shpejt do të ketë një konvikt të dytë studentor “Kuzman”, por edhe të gjitha konviktet studentore dhe të nxënësve dhe procesi i rikonstruimit dhe rinovimit të tyre tashmë ka filluar. Diçka që nuk është bërë me dekada. Ka shumë gjëra që duhen bërë. Prioritet pas prioriteti, një nga një, po i zgjidhim ato prioritete”, tha Mickoski.

Kryeministri potencoi se në infrastrukturën arsimore Qeveria ka investuar më shumë se 90 milionë euro në 26-27 muajt e fundit, nga të cilat, tha ai, gjysma janë drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në fushën e konvikteve studentore.

“Dhe afërsisht 45 milionë euro të tjera përmes programit AA, gjegjësisht përmes projektit të decentralizimit të mjeteve nga buxheti qendror në komuna, janë të destinuara për projekte në arsim, rikonstruim të shkollave fillore dhe të mesme. Investimet janë të mëdha dhe ky është një prioritet i kësaj Qeverie”, deklaroi Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas promovimit të projektit kapital të SHA EMV për fazën e tretë të rivitalizimit të hidrocentraleve.