Të gjithë me radhë hodhën nga një lopatë çimentoje për gurë themelin e autostradës Shkup-Bllacë.
Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski tha se ky projekt ishte segmenti i fundit që do ta shndërroj rrugën e vjetër në autostradë, duke e lidh Maqedoninë e Veriut me dy portet detare si i Durrësit në Shqipëri dhe i Bar-it në Mal të Zi, por që edhe shkëmbimi tregtar me Kosovën do të shtohet edhe më tepër.
“Njëkohësisht u krijuan kushte që në territorin e vendit të ndërtohen 6 autostrada diçka që asnjëherë në të kaluarën nuk ka ndodhur: segmenti Bllacë-Shkup, segmenti Tetove-Gostivar, Gostivar-Bukojçani, Bukojani-Kërçovë, Kërçovë-Ohër dhe Prilep-Manastir. Diçka që vërtetë paraqet një moment historik për ne qytetarët dhe në përgjithësi për shtetin”, tha Mickoski.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Albin Kurti, tha se që tani Prishtina dhe Shkupi janë afër sikurse në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe transportit të mallrave ashtu edhe në raportet diplomatike e shtetërore.
“Ne jemi dy shtete që kanë qarkullim të lartë të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset tona lëvizin çdo ditë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, apo rreth 150 maune në ditë. Prandaj çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve”, tha Kurti.
Për investimin e segmentit dytë Shkup-Bllacë janë marr kredi prej 167,6 milion euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa grandi nga korniza e BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 30,82 milion euro dhe pjesa e mbetur prej 23,58 milion eurove financohet nga buxheti i N.P. “Rrugët Shtetërore”.
“Padyshim që anët pozitive dhe benefitet që do të jenë nga ky projekt do të jenë të mëdha, lidhja me Kosovën është shumë e rëndësishme dhe jo vetëm me të gjithë fqinjët tanë. Do të kemi një lidhje më të afërt regjionale, një zhvillim ekonomik, tregti më të avancuar, një transport më të shpejtë dhe më të sigurt. Lidhja jonë familjare e farefisnore do të jetë edhe më e lehtë e më e shpeshtë, kështu që anët pozitive nga ky projekt janë të dukshme dhe do të vijnë vetëm duke u shtuar”, theksoi Zekolli.
Vetëm projektimi kushtoi 3.1 milion euro, para të siguruara nga grantet, për projektuesit “ADT Omega” dhe “Hill International”. Autostrada ka nga dy korsi vozitjeje në të dyja drejtimet, secila me gjerësi nga 3,5 m. dhe nga një korsi emergjente me nga 2,5m dhe gjerësia totale e autostradës arrin në 27,5m.
“Me projektin janë paraparë 5 tunele në të dyja anët, 8 ura, 11 nënkalime, 4 galeri, 9 mure mbajtëse anësore ose rreth 40 objekte siç i quajnë ndërtuesit. Afati për ndërtimin e kësaj rruge është për 4 vite. Faza e shpronësimit është zgjidhur me mbi 65% dhe nuk do të jetë pengesë si në projektet tjera”, tha Koce Trajkovski.
Kompania që do ta ndërtojë segmentin e autostradës prej 10,5 km është “Granit”, e cila ka firmosur kontratën me shtetin dhe që sot nisi punimet në terren dhe do të kushtojë 222 milionë euro së bashku me pesë vjet mirëmbajtje pas inaugurimit të rrugës, e cila pritet të bëhet në verën e vitit 2030.
