Dy persona me motoçikletë u ndalen para sinagogës në Shkup në orën 5 të mëngjesit të së dielës. Pasi kapërcyen gardhin, njëri mbante një kënatë me benzinë, derisa tjetri bënte roje. Që të dy me kapele mbrojtëse, që i përdorën për maskim pasi që kishin për qëllim zjarr vënien e kultit fetar hebraik në kryeqytetin tonë. Nga pamjet e kamerave të sigurimit, duket se kjo mbeti vetëm tentativë.
Nga Ministria e Brendshme thonë se rasti po hetohet dhe po merren masa për gjetjen e autorëve.
“Dje në orën 07:22 në SPB Shkup, J.J. ka denoncuar se në rrugën “Apostol Guslarot” në oborrin e një objekti fetar ka vërejtur një kanistër karburanti dhe gjurmë djegieje. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, oficerët e policisë kanë dalë në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, tha Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.
Reagime pati nga Ambasada Izraelite në Shkup. Vivian Aisen kërkon nga autoritet që të zbardhet sa më shpejtë rasti. Ajo, gjithashtu kujton se hebrenjtë në Maqedoni, megjithëse të paktë në numër, kanë rrënjë të thella historike dhe kanë kontribuar në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit për dekada të tëra.
“Një incident thellësisht shqetësues antisemit në Maqedoninë e Veriut – i pari që nga viti 1945 – godet vetë vlerat e bashkëjetesës që mbështet komuniteti hebraik. Unë mbështes komunitetin dhe besoj se autoritetet do të veprojnë shpejt për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, dekalroi Vivian Aisen, Ambasadorja e Izraelit në Shkup.
Edhe Bashkësisë Hebraike në Maqedoni e ka dënuar ashpër incidentin, duke theksuar se veprime të tilla nuk janë vetëm sulm ndaj një objekti fetar, por edhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës. Sipas kryetarit të kësaj bashkësie Pepo Levi ky nuk është vetëm një sulm ndaj një objekti – ky është një sulm ndaj vlerave që na mbajnë së bashku si komunitet. “Ne jetojmë me traditat tona fetare, por gjithmonë kemi qenë pjesë e jetës sonë të përditshme – krah për krah me të gjithë qytetarët”, thuhet në reagim.
