Evropa po “dridhet” nga frika e mungesës së karburanteve. Ditëve të fundit në fokus është kerozini, i cili është i rëndësishëm për turizmin, por edhe për transportin kargo të dërgesave me vlerë dhe një gamë të gjerë produktesh industriale. Paralajmërimi më i ri për mungesë të këtij karburanti, por edhe të dizelit, erdhi nga ministri austriak i ekonomisë, energjisë dhe turizmit.
“Ndërprerjet në furnizime gjatë javëve të fundit do të arrijnë edhe në Evropë me vonesë kohore dhe mund të përballemi me mungesë prej rreth 5% dizel dhe 15% kerozin, për shkak të uljes së furnizimeve”, tha Wolfgang Hattmansdorfer, ministër i Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit i Austrisë.
Ministri austriak tha se qytetarët duhet të kursejnë në konsumin e energjisë, por nuk paralajmëroi kufizime për furnizim me karburant për qytetarët e vendeve fqinje.
E ndërsa Evropa po përgatitet për krizë të mungesës së karburanteve, kryeministri i Maqedonisë Hristijan Mickoski përsëriti qëndrimin se furnizimi në vend është stabil.
“Në këtë moment nuk shohim rrezik. Gjithashtu me kerozinin që e eksportojmë. Disa aeroporte në rajon marrin kerozin, i tillë është aeroporti i Prishtinës dhe disa të tjerë, tani të mos i përmend të gjitha. Pra, në këtë moment fakti i parë është se qytetarët tek ne përdorin karburantet më të lira në rajon dhe fakti i dytë është se kemi sasi të mjaftueshme dhe për momentin nuk shohim asnjë sfidë që lidhet me mungesë. Nëse ndodh një sfidë e tillë, atëherë në kohë do të riorganizohemi dhe do të përgatisim strategji të re”, deklaroi Krzeministri Hristijan Mickoski
Mickoski nuk paralajmëron kufizim të furnizimit me karburant për shtetas të huaj. Ai njoftoi se të hënën në Komisionin Rregullator për Energjetikë do të dorëzohet qëndrimi i Qeverisë për uljen e akcizës. Në bazë të llogaritjeve të 15 ditëve të fundit për çmimin mesatar të një toni derivate nafte në bursën italiane, do të vendoset nëse akciza do të ulet për një, dy apo katër denarë për litër.
Ndërkohë, për problemet me karburantin e avionëve në Evropë paralajmëroi edhe drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol. Sipas tij, bota ndodhet në krizën më të madhe energjetike për shkak të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit.
“Ne në Evropë kemi ndoshta edhe rreth 6 javë rezerva të karburantit për avionë. Nëse nuk arrijmë të hapim Ngushticën e Hormuzit, nëse si rezultat rafineritë ndalojnë punën, mund t’ju them se së shpejti do të dëgjojmë lajme se disa fluturime nga qyteti A në qytetin B mund të anulohen për shkak të mungesës së karburantit për avionë. Pra dy probleme të mëdha: së pari çmimet e larta dhe së dyti disponueshmëria e gazit, e karburantit për avionë, e dizelit dhe të tjera”, tha Fatih Birol, drejtor i IEA.
Mickoski përsëriti se shteti nuk i ka prekur aspak rezervat shtetërore të naftës, të cilat kanë sasi për 62 ditë nevoja ditore të vendit, dhe se ka derivate në përçuesin Selanik–Shkup për disa javë. Kompanitë e naftës kanë rezerva operative për pesë ditë, si dhe rezerva komerciale deri në dy javë.
