Presidenti amerikan Donald Tramp tha është mjaft optimist për luftën në Iran, pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë, viktimave dhe shkatërrimeve, si dhe shqetësimeve për të ardhmen e NATO-s dhe Lindjes së Mesme. Ai shtoi se lufta ka qenë “e përkryer”, duke theksuar fuqinë e ushtrisë amerikane.
“Dhe duhet, duhet të përfundojë së shpejti. Ishte e përkryer. Mendoj, është e përkryer”, tha Donald Trump.
Tramp deklaroi se çmimet e karburanteve janë “jo shumë të larta” në krahasim me pritjet e tij për shkak të konfliktit në Iran.
“Dhe pavarësisht devijimit tonë të vogël ndaj vendit të mrekullueshëm Iran — vend i mrekullueshëm — por duhej ta bënim këtë, sepse përndryshe mund të ndodhnin gjëra të këqija. Gjëra vërtet të këqija. Prandaj dërguam — dhe mendoj se do të shihni rezultate të pabesueshme, e dini, për ata që e vënë në dyshim këtë. Do të shihni — ajo që bëmë është e pabesueshme. Anijet janë atje sot dhe thonë: Mos vini këtu, as mos e mendoni këtë. Dhe i keni këta tankerë të mëdhenj që thonë: Le të ikim nga këtu sa më shpejt. Është e pabesueshme. Është e pabesueshme”, deklaroi Trump.
Kjo deklaratë e tij vjen vetëm disa orë pasi në rrjetet sociale publikoi se Izraeli dhe Libani janë pajtuar për një armëpushim dhjetëditor, që përfaqëson rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme. Kjo, por edhe deklaratat e tij të fundit, sërish ndikuan në çmimet e naftës në bursat botërore. Pasi në fillim të javës u ngjit sërish mbi 100 dollarë, dje çmimi i naftës Brent ra në rreth 94 dollarë për fuçi, ndërsa sot lëviz rreth 97 dollarë.
