Mickoski: U bëmë shumë të ndjeshëm! Filipçe: Amplituda të çuditshme në ndjenjat e kryeministrit

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk e komenton kallëzimin penal që LSDM-ja e parashtroi kundër tij në Prokurori, pas deklaratës së tij se ka ndjenjën se së shpejti funksionarë të lartë të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe të afërmit e tyre do të përfshihen në ndjekje penale. Thotë se nuk do të donte të ndikonte në vendimin e Prokurorisë.

“Unë nuk do të doja që me deklaratën time, për asnjë bazë, të ndikoj në vendimin e Prokurorisë, lidhur me kallëzimin penal që e parashtroi LSDM-ja.
Sa i përket ndjenjave, mendoj se u bëmë shumë të ndjeshëm në këtë periudhë. Tani le të fokusohemi tek gjërat e vërteta. Dhe gjërat e vërteta janë lufta e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe puna e palodhur për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe nga ana e tij thotë se e dëgjoi deklaratën e kryeministrit dhe nuk i besohej çfarë po thotë tani. Thotë se ka amplituda të çuditshme në ndjenjat e kryeministrit, i cili haptazi kishte kërcënuar, frikësuar dhe kishte thënë kush dhe si do të ndiqet penalisht dhe cili do të jetë rezultati i proceseve gjyqësore.

“Papritur nuk ndjen asgjë. Amplituda të çuditshme në ndjenja, që rriten gradualisht dhe papritur zhduken. Së pari kryeministri duhet të dijë dhe dua t’i dërgoj mesazh. Nëse ka ditur çfarë po ndodhte me kallëzimin, atëherë ka përgjegjësi penale. Nëse nuk ka ditur, ka përgjegjësi politike, sepse kërcënon dhe frikëson dhe kjo është diçka që nuk guxon ta bëjë. Kjo është sjellja e një regjimi autokratik”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Ndryshe, LSDM-ja parashtroi kallëzim penal kundër kryeministrit Mickoski për shkak të deklaratave se ka ndjenjën se funksionarë të lartë të qeverisë së mëparshme të LSDM-së do të përfshihen në procedura gjyqësore. Kërkuan nga Prokuroria që menjëherë ta thërrasë për pyetje dhe t’i hetojë ndjenjat e tij për të provuar se nuk punon vetëm sipas porosive. Ndërsa nëpërmjet shkresave u ankuan edhe tek Bashkimi Europian se kjo deklaratë për revanshizëm politik përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për pluralizmin demokratik në vend.