“Karburantet nesër lirohen me 1.5 denarë”, Mickoski: Maqedonia është e treta në Europë për masat e zbatuara

TË FUNDIT

Ulje të çmimeve të benzinës dhe naftës për nga 1,5 denarë për litër, pret Qeveria me vendimin e nesërm të Komisionit Rregullator të Energjetikës. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se mbetet në fuqi edhe masa e rënë dakord me OKTA-n deri në fund të këtij muaji, me të cilën zbritja për naftën është 3 denarë, ndërsa për benzinën 2 denarë për litër. Mickoski potencoi se jemi vend me çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, duke paraqitur të dhëna krahasuese me vendet e tjera.

“Është e qartë se masat që i ndërmerr kjo Qeveri janë krejtësisht të ndryshme dhe ato masa rezultojnë me këtë. Të jemi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendi i tretë në Europë sipas vëllimit të masave të implementuara për të amortizuar krizën energjetike, dhe të jemi shtet me çmimin më të ulët të benzinës dhe naftës në rajon, në përputhje me masat që i ndërmorëm”, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Qeveria në mbledhjen e djeshme mori vendim për vazhdimin e masës së uljes së akcizave për derivatet e naftës deri më 4 maj. Me të ulet akciza për naftën me 4, ndërsa për benzinën me 2 denarë për litër. Por u ndryshua vendimi për uljen e TVSH-së. Tani shkalla e privilegjuar prej 10% do të vazhdojë të aplikohet për benzinën, ndërsa për naftën dhe karburantet e tjera TVSH-ja kthehet në 18 për qind. Kryeministri pret ulje të çmimit të naftës edhe pavarësisht kthimit të TVSH-së në 18%.

“Konstatuam se me kthimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 18 për qind, sërish do të kemi ulje të çmimit të naftës, duke pasur parasysh mesataren e javës së kaluar. Ndërsa tek benzina, ajo situatë nuk ishte e tillë dhe nëse do ta kishim kthyer edhe atje Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në 18 për qind, atëherë do të kishim rritje të çmimit të benzinës. Prandaj vendosëm të mbetet edhe dy javët e ardhshme 10 për qind”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër i RMV.

Kryeministri i hodhi poshtë kritikat e opozitës se masat kishin vonuar dhe nuk kishin qenë të mjaftueshme. Theksoi se inflacioni tani është 4,9 për qind dhe pret që nga maji, siç tha ai, gjërat të vijnë në nivelin që e presim.