Irani hap Ngushticën e Hormuzit

TË FUNDIT

Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, ka shkruar në platformën X të premten se kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit.

Ai shtoi se kalimi nëpër ngushticë do të bëhet sipas itinerarit të koordinuar të njoftuar nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Iranit.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, sipas itinerarit të koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në postim.

Pas njoftimit të Araghchit ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!”, ka shkruar Trump në Truth Social.

E në një postim tjetër pak minuta më vonë ka njoftuar se bllokada amerikane do të vazhdojë derisa të arrihet marrëveshje përfundimtare me Iranin.

“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për aktivitet tregtar dhe kalim të plotë, por bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë dhe efekt sa i përket Iranit, vetëm deri në momentin kur transaksioni ynë me Iranin të përfundojë 100%. Ky proces duhet të ecë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” ka shkruar Trump.

Ngushtica e Hormzit  transporton rreth 20% të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Nafta bie me 10% pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.