Rruga Tetovë-Prizren ende në fazë projektimi! Zekolli: Projekti do të tregojë sa para dhe kohë do të kushtojë tuneli

TË FUNDIT

Për vitin 2026, nga buxheti i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” janë siguruar 2 milionë euro për projektimin kryesor të rrugës Tetovë-Prizren, tregoi zëvendësministrja e transportit Kaltrina Zekolli. Ajo pret që shumë shpejt të hapet tenderi për projektim. Për hapjen e tunelit kanë biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës Kurti për të parë nëse do të gjendet ndonjë grant.

“Më vjen keq që duhet ta them këtë, po patjetër duhet ta kalojmë pjesën e projektit kryesor. Pa projekt, ne nuk mund të dimë saktë sa do të kushtojë, sa do të zgjasin punimet, si do të realizohet e gjithë kjo. Ajo që na lidh me Kosovën është një tunel i përbashkët, për këtë edhe me Kryeministrin Kurti kemi biseduar se si të gjejmë, qoftë një grant të përbashkët që të mund të realizohet, por neve njëherë na intereson kjo pjesa jonë që të fillojmë, por patjetër njëherë duhet të bëhet projekti kryesor”, tha Kaltrina Zekolli.

Por a do të ndajë ministria mjete që rruga të hapet deri në tunel, pasi që komuna e Tetovës paralajmëroi se ka ndarë 18 milionë denarë për hapjen e një traseje të re deri pas fshatit Shipkovicë.

“Kjo që ka thënë komuna është për t’u përshëndetur dhe tregon se edhe ata kanë gatishmëri dhe seriozitet që t’i shkojnë kësaj pune deri në fund. Padyshim që edhe në Ministrinë e Transportit ne kemi program ku mbështesim rrugë të tilla, jo vetëm thirrjeve që i kemi nga kredia hungareze, kemi edhe buxhet të ministrisë edhe pa dyshim që një prej projekteve kryesore që është në interesin tonë është edhe rruga Tetovë-Prizren dhe neve do ta kalojmë këtë në qeveri dhe kjo do të bëhet pjesë e fillimit të punimeve të kësaj rruge dhe do t’i ndihmojmë komunës”, deklaroi Zekolli.

Rruga Tetovë-Prizren ka gati më shuam se 20 vite që premtohet. Në Janar 2024 mes ministrisë së transportit të Kosovës dhe Maqedonisë u nënshkrua një marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për tunelin i cili duhet të jetë 6.4 kilometra.