Pas 16 vitesh, Viktor Orban ra nga pushteti! Kandidati pro NATO dhe BE, Peter Magyar  fitoi zgjedhjet në Hungari

TË FUNDIT

Vetëm para disa vitesh, Peter Magyar i duartrokiste fjalimit të Orbanit nga rreshti i parë, para se të shfaqej si sfiduesi më serioz i liderit nacionalist gjatë qeverisjes së tij 16-vjeçare. Dje, ai i dha fund qeverisjes së Orbanit në zgjedhje me dalje rekord të votuesve. Partia e Magyarit, “Tisa” — emri i së cilës është akronim nga fjalët për respekt dhe liri, fitoi shumicë prej dy të tretash në parlamentin hungarez me 199 anëtarë.

Pasi u bënë të njohura rezultatet paraprake, në rrugët e Budapestit pati festë.

Dhjetëra mijëra votues hungarezë dolën për të festuar rrëzimin nga pushteti të kryeministrit shumëvjeçar Viktor Orban, duke refuzuar politikat autoritare dhe lëvizjen globale të ekstremit të djathtë që ai përfaqësonte, në favor të kundërkandidatit proevropian,  në një rezultat zgjedhor tronditës me pasoja globale.

 “Shikoni përreth. Të gjithë njerëzit këtu janë shumë të lumtur. Këtë nuk e kemi ndjerë për 16 vite, që nga viti 2010 e këndej. Në fakt, kishte një lehtësim të madh për gjithë vendin. Dhe si një lloj shpengimi. Ky vend në fakt kërkonte ndihmë për shumë, shumë vite. Nuk kishte askënd që mund të na bashkonte, por ishte një njeri (Magyar) që u ngrit për gjithë popullin, që besonte në diçka ndryshe”, tha Robert Nemet.

Në një fjalim para dhjetëra mijëra mbështetësve në festën e fitores pranë lumit Danub, Peter Magyar deklaroi se votuesit e tij kanë shkruar historinë hungareze.

 “Fituam jo me një diferencë të vogël, por me një shumë të madhe – shumë, shumë të madhe. Së bashku e ndryshuam regjimin e Orbanit, së bashku e çliruam Hungarinë, e rikthyem atdheun tonë”, u shpreh Peter Magyar – kryeministër i ri i Hungarisë .

Kjo është një goditje e rëndë për Orbanin – aleat i afërt si i presidentit amerikan Donald Trump, ashtu edhe i presidentit rus Vladimir Putin – i cili e pranoi shpejt humbjen pas, siç tha, rezultatit “të dhimbshëm” zgjedhor.

 “Të dashur miq! Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve është i qartë, rezultati për ne është i dhimbshëm. Por është e qartë se roli për të qeverisur nuk na u besua. I urova fitoren partisë fituese. Ju falënderoj për gjithë punën e bërë. Asnjëherë nuk kemi punuar kaq shumë dhe me kaq shumë njerëz si tani. Kjo shihet sepse fituam 2.5 milionë votues — 2.5 milionë njerëz na dhanë besimin e tyre këtë ditë”, theksoi Viktor Orban – kryeministër i Hungarisë në largim.

Peter Magyar, ish-besnik i Orbanit që zhvilloi fushatë kundër korrupsionit dhe për çështje të përditshme si shëndetësia dhe transporti publik, premtoi se do të rindërtojë marrëdhëniet e Hungarisë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, lidhje që u dëmtuan gjatë qeverisjes së Orbanit.

Liderët evropianë i uruan shpejt fitoren Magyarit. Fitorja e tij pritet të ndryshojë dinamikat politike brenda BE-së, ku Orban shpesh e bllokonte funksionimin e bllokut duke vendosur veto ndaj vendimeve kyçe, duke shkaktuar shqetësime se po përpiqej ta dobësonte nga brenda.