Gjermania me pension aktiv 2 mijë euro pa taksa

0

“Pension aktiv” (Aktivrente) quhet modeli që miratoi qeveria gjermane javën e kaluar. Është një model, që lejon të fitosh para shtesë pa paguar taksa, pas daljes në pension.

Është menduar si ofertë për ata që duan të vazhdojnë të punojnë, pas arritjes së moshës së rregullt të pensionit. Ky model i ri pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt, që më 1 janar 2026, ndaj diskutimi i projektligjit të qeverisë nisi që të enjten (16.10.2025) në Bundestag.

Modeli i “pensionit aktiv” ofron lehtësime tatimore, kur punëdhënësi dhe personi në moshën e pensionit bien dakord të vazhdojnë marrëdhënien e punësimit. Në projektligj shkruhet se lehtësimi tatimor “zbatohet pavarësisht nëse tatimpaguesi e merr (tashmë) pensionin apo e shtyn marrjen e pensionit”.

Kufi për shumën e patatueshme

Pensionistët mund të marrin deri në 2 mijë euro shtesë në muaj, që nuk ka nevojë t’i taksojnë, kur vazhdojnë punën.

Për ta kuptuar më mirë: kur një pensionist fiton p.sh. 2 mijë e 500 euro bruto në muaj nga puna e tij, taksa, ai duhet të paguajë në të ardhmen, vetëm për 500 euro. Pjesa tjetër përjashtohet nga tatimi. Me fjalë të tjera: personat që kanë arritur moshën e pensionit mund të fitojnë deri 24 mijë euro në vit, të cilat nuk kanë nevojë t’i taksojnë.

Grupet që përfitojnë nga “pensioni aktiv”

Përfitojnë të gjitha ata, që duan të punojnë më gjatë se mosha e pensionit, gjë për të cilën bien dakord, si punonjësi, ashtu edhe punëdhënësi i tij. Pensioni aktiv nuk i jep një personi në moshën e pensionit pretendimin ligjor për punësim të mëtejshëm, i ofron vetëm lehtësi tatimore.

Përsa u përket shifrave të përfituesve: Ministria gjermane e Financave pret që të ketë rreth 168 mijë aplikues të rinj në vit, që mund ta pranojnë ofertën. Kjo është e barabartë me rreth një në katër përfitues.

Në aspektin fiskal, qeveria është e interesuar që të përqafohet ky model, pasi në këtë rast do të paguanin kontribute sociale si punëdhënësi, ashtu edhe punonjësi. Kontribute për arkën e sigurimeve shëndetësore dhe të përkujdesjes do të paguanin në këtë rasti punëdhënësi edhe punëmarrësi. Kurse kontributet për arkën e pensioneve dhe të papunësisë do t’i paguante vetëm punëdhënësi.

Grupet që përjashtohen nga “pensioni aktiv”

Nga “pensioni aktiv” nuk përfitojnë të vetëpunësuarit; nëpunësit civilë; përjashtohen edhe ata që kryejnë ato që quhen “mini-punë” (mini-Jobs), pra punë ku fitojnë më e shumta 556 Euro në muaj dhe maksimalisht 70 ditë në vit; përjashtohen edhe fermerët.

Në fakt, aktualisht, këto janë grupet që kanë tendencë të punojnë më gjatë. Qeveria Merz është në dijeni të këtij fakti. Prandaj pas dy vitesh pensioni aktiv do të rishqyrtohet si model.

Qeveria vlerëson se kostoja e kësaj mase do të jetë 890 milionë euro në vit, që nga hyrja e saj në fuqi më 1 janar 2026. Por po të llogarisim kontributet që do të paguheshin në arkat sociale, modeli mund të jetë me interes. Funksionimi i këtij modeli gjithsesi varet nga vendime vullnetare: si pensionisti duhet të ketë dëshirë të punojë, ashtu edhe punëdhënësi duhet ta mbështesë punësimin e mëtejshëm.

Arsyet e futjes së “pensionit aktiv”

Qeveria e kancelarit Merz synon të zbutë me këtë, në radhë të parë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Me ndryshimin demografik në Gjermani kjo mungesë po thellohet. Gjermania ndodhet para një sfide të madhe demografike: 4.8 milionë punonjës dalin në pension deri në vitin 2035. Janë kryesisht brezat e lindur nga mesi i viteve 1950 deri në fund të viteve 1960, periudhë së cilës në Gjermani i referohen si periudhë e “baby-boomer”. Ishte një periudhë me numër të lartë lindjesh në Gjermani.

Dalja në pension e një numri kaq të madh njerëzish rëndon sistemet shëndetësore dhe sociale, pasi gjithnjë më shumë më të rinj të punësuar duhet të kontribuojnë për më shumë pensionistë.

Mbështetja e pensionistëve, “pensioni aktiv” ishte edhe një premtim zgjedhor i kancelarit Merz për një grup të popullsisë, të moshuarit, që votën si tendencë ua japin partive konservatore. Me të qeveria sinjalizon se shoqëria vlerëson kontributin e të moshuarve, që vendosin të punojnë.

Reagime në Gjermani

Të enjten (16.10.2025) filloi në parlamentin federal, në Bundestag, diskutimi për paketën e pensioneve. Paketa pritet të miratohet para fundit të vitit që të hyjë në fuqi në 1 janar 2026. Megjithatë ka kundërshtime, sidomos nga deputetë të rinj konservatorë.

Reagimet fillestare në opinion janë të rezervuara. Kompania e sigurimeve të pensioneve p.sh. kujtoi kostot e masave, që sipas saj nuk zgjidhin asnjë problem. Ajo tha se shumë prej pensionistëve ndalojnë së punuari për arsye shëndetësore; ndalojnë nga kushtet e punës; ose sepse punëdhënësi nuk i do më.

Por qeveria kujton se pensioni aktiv është vetëm një pjesë e paketës për pensionet. Përveç pensionit aktiv, qeveria do të miratojë një ligj për stabilizimin e pensioneve. Me të do të ruhet qëndrueshmëria e pensioneve deri në vitin 2031: niveli i pensioneve, që pasqyron raportin midis pensioneve dhe pagave, do të mbetet në 48%. /DW

Taravari: Ju falënderoj për votën tuaj, Gostivari do të jetë baza e opozitës shqiptare

0

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve dhe theksoi se rezultatet e arritura janë historike për disa nga kandidatët e partisë së tij. Taravari e cilësoi Gostivarin si bazën e re të opozitës shqiptare, duke paralajmëruar ndryshime në dinamikën politike të vendit, njofton TV21.

Në njoftimin e tij, Taravari përmendi me emra disa nga kandidatët që kanë arritur rezultate të larta, ndërsa shprehu besim se suksesi përfundimtar do të vijë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Shkrimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Këto kanë qenë orë të jashtëzakonshme.
Duke ju falenderuar për votën tuaj jam i gëzuar të ndaj me ju lajmin se Valbon Limani dhe Isen Shabani kanë arritur rezultate rekord të cilat do të çertifikohen në raundin e dytë sepse për fare pak nuk e kanë plotësuar censusin.
Kandidati Blerant Ramadani ka humbur numerikisht me një diferencë shumë të vogël por kjo humbje është vetëm një fraksion përpara suksesit që ky djalë ka dhe do të ketë.
Nazim Taipi e ka humbur Tearcën por është një vlerë e shtuar në forcën tonë politike.
Uroj të gjithë fituesit e këtyre zgjedhjeve pa përjashtim, dhe i uroj suksese të gjithë atyre që ende vazhdojnë garën.
Tashmë Gostivari konfirmon që është baza e re e opozitës shqiptare dhe kjo do të sjellë risi në të gjithë dinamikën politike.

10-vjeçar në Ferizaj dorëzon në Polici portofolin me mbi 1 mijë euro

0

Policia në Ferizaj njofton se një djalosh 10-vjeçar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente në rrugën “Enver Topalli” të cilat i ka dorëzuar në stacionin policor të kësaj komune.

Sipas njoftimit të Policisë, në portofol ishin më shumë se një mijë euro të holla.

“Në portofol janë gjetur dokumente personale, si dhe 1130 euro, 20 franga zvicerane dhe 130 denarë maqedonas. Pas verifikimit, policia ka arritur të identifikojë dhe të kontaktojë pronarin, B.B. nga Kaçaniku, i cili është paraqitur menjëherë në stacionin policor dhe ka konfirmuar se të gjitha sendet dhe paratë ishin të paprekura, të cilat i janë kthyer me procesverbal”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht djaloshin E. D. për këtë veprim human, edukativ dhe shembullor dhe sipas tyre ky gjest do duhej të ishte frymëzues edhe për të tjerët.

Mucunski fton Spiropalin për ta vizituar Shkupin

0

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot realizoi bisedë telefonike me ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali. 

Siç qëndron në publikimin në profilin në Fejsbuk të ministrit Mucunski, me Spiropalin shprehën së bashku kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të tij në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Në këtë drejtim, Mucunski thekson se i ka bërë ftesë ministres Spiropali për një vizitë dypalëshe gjatë së cilës do të shqyrtohen iniciativa specifike për thellimin e bashkëpunimit. 

Beogradi dhe Moska nënshkruajnë memorandum për thellimin e bashkëpunimit

0

Zyrtarët e Beogradit dhe Moskës e kanë nënshkruar të hënën një memorandum për thellimin e bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë.

Dokumenti u nënshkrua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Moskës në Beograd”.

Serbia, e cila thotë se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë një nga partnerët e paktë evropianë të Kremlinit edhe pothuajse katër vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet, Ukrainës.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë u nënshkrua nga presidenti i Asamblesë së Beogradit, Nikolla Nikodijeviq, dhe ministri i Qeverisë së Moskës dhe shefi i Departamentit për Ekonomi të Jashtme dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sergey Cheryomin.

Nikodijeviq deklaroi se memorandumi duhet të mundësojë bashkëpunim të mëtejshëm në fushat e transportit, kulturës, arsimit dhe sportit.

“Është shumë e rëndësishme për ne që një qytet kaq i madh si Moska, një nga qytetet më të mëdha evropiane, dëshiron të ketë bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Beogradit”, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Unë besoj se memorandumi që nënshkruam sot do të jetë njëfarë ‘bilete hyrëse’ në tregun rus për shumë nga biznesmenët tanë, por edhe se Beogradi dhe Serbia do të sigurojnë kështu investime të reja nga Rusia”, tha Nikodijeviq.

Nikodijeviq vlerësoi se memorandumi i mëparshëm dhjetëvjeçar i bashkëpunimit kishte përmirësuar marrëdhëniet midis dy kryeqyteteve.

“Në të njëjtën kohë, në këtë mënyrë ne ‘ua hapëm derën’ biznesmenëve tanë që kishin bashkëpunim me kompani nga Moska dhe e gjithë Rusia”, shtoi ai.

Zyrtari i Moskës Sergei Cheryomin kujtoi ngjarjen e parë “Ditët e Moskës në Beograd” në vitin 2016.

Një vit më vonë, në kryeqytetin rus u mbajtën “Ditët e Beogradit në Moskë”.

“Situata politike në vitet e fundit nuk na ka lejuar të vazhdojmë me të njëjtën frymë, por falë përpjekjeve të qytetit të Beogradit dhe klimës së favorshme që mbizotëron këtë vit, ne po e ripërtërijmë këtë traditë”, tha Cheryomin.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve u nënshkrua në 81-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore.

Qyteti u çlirua bashkërisht nga forcat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Jugosllavisë./REL

Struga në balotazh! Qyra sfidon Dalipin: Mbaj fjalën dhe tërhiqu nga gara

0

Struganët do t’u drejtohen edhe një herë kutive të votimit në nëntor ku gara do të jetë mes kandidatit të pavarur, që ka mbështetjen e VLEN-it, Mendi Qyra dhe kandidatit të AKI-së Arsim Dalipi.
Qyra në fjalimin pas fitores kërkoi që kundërkandidati Dalipi ta mbajë fjalën e dhënë që ai që ka një votë më pak, të japë dorëheqje në rrethin e dytë.

“Suksesi ishte kundrejt tetë kandidatëve që ishin kundër meje, normalisht pa pasur edhe një sistem politik, por një sistem që u krijuar brenda dy muajsh, besoj që qytetarët tani duhet ta dinë kush do të jetë udhëheqës i Komunës së Strugës me projektet e veta. Tani oponenti im e ka dhënë fjalën se do të jap dorëheqje, besoj se fjalën e dhënë jo si herët tjera, por kësaj radhe ta mbajnë dhe të tërhiqen”, tha Mendi Qyra.

Por me sa duket kandidati AKI-së Arsim Dalipi nuk është duke mëndur tërheqjen dhe beson në fitore të thellë në raundin e dytë.

“Edhe përkundër votës dhe pazareve të fshehta nëpër skuta, kundërkandidati im dështoi të bëjë realitet ëndrrën e VMRO-së. Por kjo nuk është fundi. Sot nuk dorëzohemi! Sot vazhdojmë betejën për përmbysje dhe për fitoren e Strugës. Për Strugën tonë – Strugën që e betonizuan, e shëmtuan dhe e rrjepën për shumë vite. Për Strugën që meriton dinjitet, zhvillim dhe të ardhme më të mirë. Bashkë do t’ia dalim. Bashkë e bëjmë fitoren”, deklaroi Arsim Dalipi.

Dy kandidatët shkojnë në balotazh me një diferencë shumë të vogël. Mendi Qyra mori 9934 vota, ndërsa Arsim Dalipi 215 vota më pak, respektivisht 9719. Në garë ishte edhe Jovana Mojskoska nga “Levica” e cila mori 2809 vota.

Dehari dhe Jovanovski në balotazh! Kë do të mbështesë VLEN-i në rrethin e dytë?

0

Fatmir Dehari dhe Aleksandër Jovanovski janë dy kandidatët të cilët shkojnë në rreth të dytë në zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Kërçovës. Në garë ishin katër kandidatë. Aleksandër Jovanovski nga VMRO-DPMNE ja morri 11786, Fatmir Dehari nga AKI 5586 vota, pasuar nga Fatmir Limani i VLEN-it me 4164 vota dhe kandidati i pavarur Shkodran Alili 3902 vota.

Pas shpalljes së rezultateve Fatmir Dehari para qytetarëve tha:

“Ju falënderoj të gjithëve nga zemra, ju që jeni këtu dhe të gjithë ata shqiptarë sot që i dhanë kuptim Kërçovës të gjithë shqiptarët sepse sot fituan shqiptarët dhe nuk humbi asnjë nga ne”, tha Fatmir Dehari.

Kandidati nga radhët e VMRO-DPMN-së Aleksandër Jovanovski falënderoi të gjithë qytetarët nëpërmjet një statusi.

“FITORE NË RAUNDIN E PARË ME MBI 6,000 VOTA AVANTAZH! Kërçova me këtë dëshmon se dëshiron ndryshime për një të ardhme më të mirë! Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe rezultatin e shkëlqyer! Me mbështetjen tuaj, DO TË FITOJMË bindshëm edhe në raundin e dytë”, tha Aleksandër Jovanovski.

Kandidati nga radhët e VLEN-it Fatmir Limani tha se ne rrethin e dytë, votuesit e tij të votojnë më të mirin, pa precizuar Deharin apo Jovanovskin.

“Për të gjitha këto arsye është e vështirë të bëjë thirrje të votuar pro atij gjithnjë duke pasur parasysh të gjithë ato ngjarje të cilat kohëve të fundit janë shfaqur nëpërmes të video-incizimeve dhe audio-incizimeve te ndryshme. Unë do bëjë thirrje të votohet më i miri”, deklaroi Fatmir Limani.

Faleminderit për votuesit, e veçanërisht për diasporën, shprehu edhe kandidati i pavarur Shkodran Alili.
Përbërja e re e Këshillit Komunal në Kërçovë është si vijon: AKI 5 Këshilltar, VLEN 3, Shkodran Alili 2, VMRO-DPMN-ja 8 dhe LSDM 1 këshilltar.

Kasami në epërsi, Tetova shkon në balotazh! VLEN siguron shumicën në këshillin komunal

0

Kryetari aktual i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është në epërsi për 3,756 vota kundër kandidatit të AKI-së, Bajram Rexhepi. Edhe pse ka diferencë, Kasami nuk arriti të fitojë që në raundin e parë. Kasami mori gjithsej 19,028 vota, ndërsa Rexhepi 15,272 vota.

Festa e VLEN-it filloi në sheshin e Tetovës menjëherë sapo u shpallën rezultatet, ku Kasami bashkë me kryetarët e komunave të tjera të Pollogut që fituan që në rrethin e parë apo shkuan në balotazh. Në fjalën, Kasami tha se ata që dolën me idenë e referendumit për zgjedhje të parakohshme duhet të mendojnë nëse do të kërkojnë zgjedhje të reja.

“Ne dolëm me kandidatët më të mirë që kishim, nga Likova deri në Strugë, dhe me programin më të mirë që ofron zgjidhje për problemet e qytetarëve. Kundërshtarët tanë, pa program dhe pa kandidatë të fuqishëm, dolën me idenë e referendumit, por nuk fituan asnjë komunë dhe dështuan edhe në listat për këshill. Ne jemi këtu për të garantuar se do të zgjidhim hallet e qytetarëve dhe për të ofruar zgjidhje të realshme, ndërsa pala tjetër duhet të vendosë nëse do të kërkojë zgjedhje të parakohshme ose jo”, tha Bilall Kasami.

Kandidati i AKI-së, Bjaram Rexhepi, përmes një postimi në rrjetet sociale falënderoi votuesit për mbështetjen e dhënë dhe tha se beteja për Tetovën vazhdon.

“Tetovë faleminderit për votat e pastra dhe me zemër! Falënderoj çdo aktivist, çdo qytetar, për punën e palodhshme dhe besimin e dhënë. Beteja për Tetovën vazhdon. Me më shumë përkushtim, me më shumë forcë dhe me të njëjtin ideal, për një Tetovë me dinjitet”, deklaroi Bajram Rexhepi.

Në këshillin komunal, VLEN do të ketë 13 këshilltarë, ndjekur nga AKI me 12, VMRO-DPMNE me 3, e Majta me 1, LSDM me 1 dhe MMT me 1.

Këshilli komunal i Tetovës ka gjithsej 31 këshilltarë. Në katër vitet e fundit, koalicioni VLEN me VMRO-në dhe Alternativën kishte 17 këshilltarë, ndërsa me këtë përbërje, koalicioni mes VLEN dhe VMRO-së siguron 16 këshilltarë, duke mbajtur shumicën në këshillin e Tetovës.

OSCE/ODIHR: Zgjedhje të polarizuara pa tema lokale – partitë e vogla dhe të pavarurit pa qasje adekuate mediatike dhe financiare

0

Zgjedhjet lokale ishin konkurruese, por shumë të polarizuara dhe me dominim të temave kombëtare përfshirë linjën etnike, që shtypi çështjet lokale – vlerësojnë vëzhguesit ndërkombëtarë. OSBE/ODIHR, Kongresi i Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian edhe këtë herë regjistruan se paratë shtetërore përdoren për qëllime politike, dhe kishte akuza për presione dhe frikësim të votuesve dhe të punësuarve në administratën publike.

“Rregulloret ligjore për reklama politike, përfshirë edhe në media, vendosën kandidatët e pavarur dhe partitë jashtëparlamentare në pozitë të pafavorshme dhe i përjashtuan padrejtësisht partitë e vogla”, tha Mateo Mekachi, OSCE/ODIHR.

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës vlerësoi se dita e zgjedhjeve kaloi paqësore dhe rregullisht, me vlerësim pozitiv për punën e komisioneve zgjedhore dhe përdorimin e identifikimit biometrik, megjithëse vërejtën ndërprerje teknike që duhet të tejkalohen në të ardhmen.

“Ne përshëndesim faktin që që nga misioni i fundit i Kongresit për vëzhgim të zgjedhjeve, anëtarët e komisioneve zgjedhore morën standard më të lartë trajnimi, që e rriti kapacitetin operativ të administratës zgjedhore, së bashku me përpjekjet pozitive për të përmirësuar përdorimin e identifikimit biometrik. Kishte probleme teknike me këto makina, që i pamë nga afër dhe shpresojmë se do të mund të zgjidhen për zgjedhjet e ardhshme…”, tha Gobnit ni Vimnehan, Kongresi i Këshillit të Evropë

Parlamenti Evropian kujton se shumë rekomandime nga vëzhgimet e mëparshme janë ende të hapura, dhe gjatë ditës së zgjedhjeve pati gabime procedurale në rendin e numërimit të votave, votim familjar dhe akses të dobët për personat me aftësi të kufizuara.

Në lidhje me përfaqësimin e grave, vëzhguesit theksojnë se kuotat ligjore lejojnë që një e treta të jenë në listat këshilltare, por në listat për kryetarë komune gratë janë dramatikisht të nënvlerësuara dhe duhet gjetur zgjidhje për përfaqësim adekuat edhe në këto lista. Nga Parlamenti Evropian, i cili në thelb nuk vëzhgon zgjedhjet lokale, u tha se disa gjëra duhet përmirësuar.

“Ne gjithashtu inkurajojmë luftë të fortë dhe të vazhdueshme kundër korrupsionit – forcë destabilizuese që rrezikon integritetin e institucioneve demokratike të vendit. Inkurajojmë autoritetet e reja lokale të fokusohen në çështjet kyçe lokale, duke iu përgjigjur thirrjeve të qytetarëve për kushte më të mira jetese, kosto më të ulët të jetesës, ajër të pastër dhe qëndrim të vendosur kundër korrupsionit”, deklaroi Marta Tamido.

Vlerësimi i përgjithshëm është se zgjedhjet ishin konkurruese dhe përgjithësisht paqësore, por se vërejtjet thelbësore të OSBE/ODIHR dhe partnerëve nuk adresohen mjaft shpejt, veçanërisht në pjesën e shanseve të barabarta në fushatë, aksesit, listës së saktë të votuesve dhe forcimit të përmbajtjes lokale në zgjedhjet lokale.

VLEN i kërkon AKI-së ta pranojë humbjen: Heshtja ka mbaruar

0

Koalicioni VLEN nëpërmjet një paraqitje para mediave ka dalë me një kërkesë deri te koalicioni opozitar – AKI që të pranojnë humbjen pas rezultatit në zgjedhjet lokale.

“VLEN është fitues i këtyre zgjedhjeve… Ia kujtojmë drejtuesve të AKI-së se heshtja zgjedhore ka përfunduar dhe bëjnë mirë të deklarohen për ta pranuar humbjen”, tha Bashkim Baki.