Shkupi po “ngulfatet” nga mbeturinat! Qeveria shpall alarm, urdhërohet hetim ndaj “Higjienës Komunale”

0

Shkupi po “mbytet” nga mbeturinat.

Përveç qeseve me mbeturina, në këtë pjesë shihen të hedhura dyshekë dhe tepihë.

“Kështu është gjendja në “Xhon Kenedi”, pikërisht përballë shkollës “Vasil Glavinov”, siç mund ta shihni qytetarët jo vetëm që nuk mund të kalojnë në trotuar por mbeturinat kanë dalë edhe në rrugë kryesore”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.

Nga pamundësia për të kaluar në këtë pjesë të rrugës qytetarët, dhe fëmijët të cilët shkojnë në shkollë rrezikohen nga veturat.

Për këtë pyetëm në Qytetin e Shkupit se kur do të pastrohen, por përgjigje nuk morëm. Kryetarja në largim, Danella Arsovska me anë të një postimi në facebook reagoi duke e shpërndarë fotografinë e kandidatit të VMRO-DPMNE-së Orce Gjergjievski, i cili është favorit për tu shpallur kryetar i Qytetit të Shkupit, në të cilin shkruan:

“Për mbeturinat në Shkup, ai duhet të kontaktojë kryetaren e Bordit të Drejtorëve të Higjienës Komunale, Julijana Spirovska nga VMRO, e cila është një kriminele e dënuar ligjërisht për 2 (dy) vepra penale dhe ajo ka menaxhuar mbeturinat dhe Higjienën Komunale Shkup për 4 vjet”, tha Arsovska.

Ndryshe nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftuan se tashmë kanë filluar procedurën dhe po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave për një vepër të mundshme penale. Nga atje bejne të ditur se janë dërguar kërkesa edhe te shërbimet komunale inspektuese që të kryejnë një kontroll të jashtëzakonshëm inspektues dhe të konstatojnë gjendjen aktuale.

Nderkohe edhe Qeveria ka urdhëruar një kontroll të jashtëzakonshëm dhe të koordinuar në territorin e Shkupit për shkak të krizës me mbeturinat. Nga atje thonë se Inspektoratet shtetërore dhe Ministria e Brendshme do të hetojnë gjendjen e mbeturinave dhe punën e NP “Higjiena Komunale” dhe të kryetares së Shkupit, për shkak të mosgrumbullimit të mbeturinave që paraqet rrezik për shëndetin publik.

Rama: Që të jetë e suksesshme, Kosova duhet ta harrojë Serbinë

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se Kosova duhet ta harrojë Serbinë dhe t’i realizojë të gjitha pikat që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas Ramës, duke vepruar sipas propozimeve të BE-së, Kosova do t’ia lërë “topin në fushë” Serbisë dhe do të jetë pastaj Evropa që do të merret me Beogradin.

Rama ka folur në Londër, ku po merr pjesë në panelin e “Chatham House” me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”.

“Është detyrë e Kosovës që të shtyjë përpara dhe ta bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar përsa i takon vlerave në botën demokratike dhe BE. Kosova që të jetë e suksesshme duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht Serbisë. Pra ata të përmbushin çdo pikë dhe t’ja lënë topin në fushë Serbisë dhe të ecin përpara drejt Evropës dhe të lënë Evropën të merret me Serbinë dhe jo ta lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në një çështje fajësimi mes të dy vendeve”, tha mes të tjerash Rama.

Teksa tha se respekton të gjitha vendimet e institucioneve të Kosovës, Rama shtoi se Kosova nuk ka asnjë çështje territoriale të pazgjidhur me asnjë shtet tjetër.

“Nuk shoh çështje territoriale mes Kosovës e askujt tjetër. Territori i Kosovës është i përcaktuar, Kosova është Republikë, një shtet i ri demokratik, i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga 5 vende të BE-së. Në këtë drejtim nuk shoh problem”, theksoi Rama.

Në Londër po qëndron edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.

Polonia kërcënon Putinin me arrestim

0

Polonia ka paralajmëruar të martën presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kundër udhëtimit në hapësirën e saj ajrore për një samit në Hungari me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se mund të detyrohet të ekzekutojë një urdhërarresti ndërkombëtar nëse ai do ta bënte këtë, raporton Reuters.

Megjithatë, Bullgaria do të ishte e gatshme ta lejonte Putinin të përdorte hapësirën e saj ajrore nëse samiti mbahet në Hungari, është cituar të thoshte ministri i Jashtëm, Georg Georgiev.

“Nuk mund të garantoj se një gjykatë e pavarur polake nuk do ta urdhërojë qeverinë të shoqërojë një avion të tillë për të dorëzuar të dyshuarin në gjykatën në Hagë. Dhe, për këtë arsye, nëse ky samit do të zhvillohet, shpresojmë me pjesëmarrjen e viktimës së agresionit, avioni do të përdorë një rrugë tjetër”, ka thënë ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaë Sikorski për Radio Rodzina.

Urdhërarresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) i detyron shtetet anëtare të gjykatës të arrestojnë Putinin nëse ai shkel në territorin e tyre.

Sikorski javën e kaluar akuzoi Rusinë për një përshkallëzim të luftës në Ukrainë, duke thënë se inkursioni i saj me dronë në Poloni muajin e kaluar dukej të ishte i qëllimshëm.

VLEN: Censusi në Gostivar e Vrapçisht, shuplakë për akrobacitë politike! ASH: VLEN u shpëtua nga votat e VMRO-DPMNE-së

0

Për koalicionin VLEN, mosrealizimi i censusit në komunën e Gostivarit dhe Vrapçishtit është përgjigjja më e saktë ndaj akrobacioneve politike që për muaj të tërë u bënë në emër të shqiptarëve, por për interesa personale.

Deklaratat e VLEN-it nga ASh i cilësojnë si shprehje dëshpërimi dhe përpjekje për të fshehur dështimin e tyre të thellë në zgjedhje. Në vend që të shpikin justifikime, VLEN duhet të reflektojë: pse humbën terren, pse mbetën pa njerëz, dhe pse askush nuk u beson më. Nga ASh thonë se VLEN-in e shpëtuan votat e VMRO-DPMNE-së.

Në Gostivar dhe Vrapçisht nuk u arrit pragu në rrethin e parë të zgjedhjeve, ndërsa në të dy komunat më shumë vota kishin kandidatët e ASH-së në kuadër të AKI-së, Valbon Limani në Gostivar dhe Isen Shabani në Vrapçisht.

Kurti: Po përpiqemi ta bëjmë Qeverinë, por duket se alternativë janë zgjedhjet

0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit mund të dështojë në bërjen e Qeverisë së re të vendit, duke thënë se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.

Kurti u nominua më 11 tetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re dhe, sipas ligjeve të Kosovës, ai ka 15 ditë afat për ta bërë këtë, që nënkupton se atij i ka mbetur kohë vetëm deri më 26 tetor.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti të martën.

Kurti udhëtoi për në Londër të hënën, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.

Partia e Kurtit gjendet nën trysni të madhe për ta fituar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme.

Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Disa deputetë të partisë së konfirmuan të hënën për Radion Evropa e Lirë se “nuk janë në dijeni për ndonjë bisedë me parti të tjera parlamentare”, duke shtuar se “mbetet për t’u parë”.

Gjithashtu, zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se deri tani “nuk ka pasur as takime e as ftesa për të diskutuar një koalicion të mundshëm”.

“Vetëvendosje po vepron përmes individëve, jo me ne si subjekt politik”, tha njëri prej tyre.

Kurti tha të martën se “nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”.

Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.

Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.

Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit – një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj.

Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar.

Selmani: Koalicioni qeveritar pritet të fitojë deri në 85% të komunave! Aliu: Nuk ka bazë për zgjedhje të parakohshme pas rezultateve lokale

0

Për analistin Imer Selmani, rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në kampin shqiptar nuk ishin edhe aq të pritshme, pasi sipas tij pritej një barazim mes komunave. Selmani pret që në raundin e dytë koalicioni qeveritar të marrë 85% të komunave. Sipas tij, dallimi mes AKI-së dhe VLEN-it do të jetë më i ngushtë vetëm në numrin e këshilltarëve.

“Diku mbi 80%, ndoshta 85% të komunave do të jetë fitues koalicioni qeveritar, do të thotë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Ndoshta në kampin politik shqiptar, numri i komunave – jo në nivel këshilltarësh, pasi në nivel të këshilltarëve numri do të jetë më i balancuar – por fitorja në nivel komune, kur edhe me 1 votë plus fitohet, dukshëm është në favor të VLEN-it. Ndoshta edhe vetë VLEN-i, kur do t’i marrë këto rezultate në fund, do të jetë i befasuar”, tha Imer Selmani – analist.

Duke folur për bashkëpunimin me ndonjë parti tjetër politike në raundin e dytë të zgjedhjeve, e në veçanti në Kërçovë, se cilin kandidat do të përkrahin, Arben Fetai nga VLEN tha se kandidati i tyre për këtë komunë, Fatmir Limani, është prononcuar për këtë, megjithatë pritet që të vendosot në kryesinë e VLEN-it.

“Sa i përket Kërçovës, aty ka folur Fatmir Limani. Fatmir Limani është prononcuar dy herë dhe për momentin ky është qëndrimi i vetëm… Gazetarja: Që do të thotë se nuk do ta përkrahni Fatmir Deharin?

“…dhe duhet të ulemi në kuadër të shtabit, në kuadër të kryesisë së VLEN-it dhe të nxjerrim qëndrim për rrethin e dytë.”, u shprej Arben Fetai, VLEN.

Sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme, analisti Murat Aliu, bazuar në rezultatin zgjedhor, tha se nuk ka bazë që koalicioni opozitar të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi – siç u shpreh – referendumi që u kërkua nuk u shpërfaq askund.

“Unë mendoj se duhet të krahasohet pretendimi se do ta fitojnë VLEN-in me 2 me 1. Dhe së dyti – kjo nuk është më çështje numrash, është çështje fryme dhe inercioni që krijohet. Për momentin, nëse VLEN i merr ato 9 komuna dhe AKI mbetet me 5 apo 6, kryesisht komuna periferike, nuk mendoj se u konvenon atyre për momentin politikisht të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, pasi që referendumi që u kërkua nuk u shpërfaq askund”, pohoi Murat Aliu – analist.

Sa i përket mosarritjes së censusit në Gostivar dhe Vrapçisht, sipas Fetait nga VLEN, ky është dështim i dy partive – ASH-së dhe BDI-së – pasi, siç shton, nuk arritën ta bindin votuesin e tyre që t’i votojnë edhe për një mandat.

Qytetarët të painteresuar për zgjedhjet! Më pak se gjysma kanë dalë në votime, rritet numri i fletëve të pavlefshme

0

Në 43 komuna është zgjedhur kryetari i komunës dhe kështu votimi në ato komuna ka përfunduar që në raundin e parë, ndërsa në 33 komuna do të ketë raund të dytë pas dy javësh, më 2 nëntor. Këtë e kumtuan nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, prej nga thanë se në ato zgjedhje do të përballen dy kandidatët për kryetar komune që morën numrin më të madh të votave në raundin e parë. Por ajo që duhet ditur është se pas përfundimit të raundit të dytë zgjedhjet nuk do të jenë përfunduar. Në 4 komunat që nuk e patën daljen e nevojshme, pas dy muajsh do të përsëritet i gjithë procesi zgjedhor.

“Për këtë arsye përsëritet i gjithë procesi zgjedhor brenda një afati prej 60 ditësh nga dita e publikimit të rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Këto janë: komuna e Gostivarit, me dalje prej 33,31 për qind – pra për shumë pak; komuna Mavrovë-Rostushë me dalje 30,31%; komuna Vrapçisht me dalje 25,18%; dhe komuna Qendër Zhupë me dalje prej 21,49%”, theksoi Boris Kondkarko – Kryetar i KSHZ-së.

Sipas Kodit Zgjedhor, në komunat që nuk kanë pasur dalje të mjaftueshme, në përsëritjen e procesit zgjedhor nuk është paraparë censusi, pra do të zgjidhet kryetari i komunës edhe nëse del vetëm një votues.

“Zgjedhjet e përsëritura për komunën përkatëse mbahen brenda një afati jo më vonë se 60 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare, me ç’rast nuk do të zbatohet kushti i paraparë në nenin 132 paragrafi (1) të këtij Kodi që ka të bëjë me daljen prej një të tretës së numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore për komunën përkatëse”, u shpreh Kodi Zgjedhor Neni 132-a.

Dalja në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte 46,63%, pra kanë votuar 854.620 persona, që është një e dhënë shqetësuese dhe historikisht më e ulëta gjatë zgjedhjeve lokale. Këtë vit, më shumë se gjysma e votuesve nuk kanë dalë për të votuar.

Në të njëjtën kohë, në këto zgjedhje është vërejtur edhe një numër i rritur i fletëve të pavlefshme – plot 53.713 – që krahasuar me zgjedhjet lokale të mëparshme në vitin 2021, kur kishte 37.859 fletë të pavlefshme, paraqet një rritje prej rreth 50 për qind.

Kush ku fitoi në këshillat komunal shqiptar? Në shumicën e komunave janë definuar numrat e këshilltarëve

0

Përveç garës për kryetarë komunash, e fortë ishte gara edhe për këshilltarët komunal në bllokun shqiptar. Në 12 komuna të vendit, ku janë të banuara me shumicë shqiptare këshillat tani më janë definuar pa pasur nevojë për koalicione, ndërsa të disa të tjera që janë mbi 20% shqiptarë, vërehet që janë të domosdoshme koalicionet me këshilltarët të fituar nga partitë tjera.

KSHZ – Këshilltarët Komunal te shqiptarët:

Qyteti Shkupi: 6 këshilltarë VELN dhe poashtu 6 AKI

Çairi: 14 këshilltarë ka marrë VLEN, ndërsa 11 AKI

Buteli: 4 këshilltarë ka marrë VLEN dhe poashtu 4 AKI

Saraj: 10 këshilltarë ka marrë AKI, ndërsa 9 VLEN

Kumanovë: 5 këshilltarë ka marrë AKI, ndërsa 3 VLEN

Likovë: 12 Këshilltar ka marrë AKI, ndërsa 7 VLEN

KSHZ – Këshilltarët Komunal te shqiptarët:

Tetovë: 13 këshilltarë ka marrë VLEN, ndërsa 12 AKI

Zhelinë: 8 këshilltarë ka marrë VLEN, ndërsa 6 AKI

Tearcë: 8 këshilltarë ka marrë VLEN, ndërsa 6 AKI

Kërçovë: 5 këshilltarë ka marrë AKI, ndërsa 3 VLEN

Dibër: 5 këshilltarë ka marrë VLEN, ndërsa 4 AKI

Strugë: 8 këshilltarë ka marrë AKI, ndërsa 4 VLEN

Sipas parashikimeve, VLEN do të bëj koalicione me VMRO-DPMNE në ato këshilla komunale ku nuk kanë arritur të marrin shumicën e këshilltarëve, por edhe anasjelltas sipas bashkëpunimit që janë në pushtet.

Gjithashtu në Komunën e Çashkës nga 11 mandate për këshilltarë komunal 6 janë shqiptarë të AKI-së, të cilët pritet të bëjnë diferencën në vendimmarrje lokale ndaj 3 këshilltarëve të VMRO-së dhe 2 të LSDM. Vlen të theksohet koalicioni VLEN në Çashkë dhe Pllasnicë nuk kishte listë për këshilltarë.

Në nivel republikan Koalicioni AKI ka fituar 153 këshilltarë, ndërsa VLEN ka fituar 129 këshilltarë komunal.

Gostivari rrezikon të rivotojë për shkak se mungojnë 21 vota për census, ja çfarë paralajmëron Valbon Limani

0

Për shkak se mungojnë 21 vota për arritje të censusit, Gostivari rrezikon të shkojë në rivotim, përcjell TV221. Kandidati i AKI-së për kryetar të komunës së Gostivarit, Valbon Limani tha se po rishikohen procesverbalet dhe se deri sot në ora 19:00, do të dorëzojnë ankesa përkatëse, pas çka pret që të ketë rivotim në disa vendvotime, që të evitohen shpenzimet për ripërsëritje të votimeve në të gjithë komunën.

“Dallimi është 21 votë, dmth për 21 vota nuk është arrit censusi prej 1/3. Ekipi jonë është duke i shqyrtuar të gjithë procesverbalet në të gjithë vendvotimet dhe konform, afateve ligjore deri sot në orën 19. Aty ku kemi bazë ligjore me shumë gjasa edhe do ta ankimojmë edhe ndonjë vendvotim. Do ta presim përgjigjen e Komisionit Qendror Zgjedhor në lidhje me ankesat tona. Besoj se aty ku ka bazë ligjore, në qoftë se e njëjta pranohet nga ana e KQZ-së, do të presim të ketë rivotim në atë vendvotim, sepse, dallimi në vota është shumë i vogël dhe gjithsesi ajo do ndikon në rezultatin përfundimtar, por edhe në arritjen e censusit në këtë rast. Po sipas ekipit tonë ka disa mangësi, disa zbrazëtira ligjore dhe varësisht se si do të interpretohen, ligji është i qartë në lidhje me, ripërsëritjen e votimeve në qoftë se nuk arrihet censusi. Është normal në afat 60 ditësh pas, shpalljeve zyrtare të rezultateve duhet të mbahen zgjedhjet, domethënë ripërsëritja. Tash, besoj që edhe Komisioni Qendror Zgjedhor do ta bëjë ndoshta të pamundurën për shkak se bëhet fjalë për një buxhet të caktuar të cilin shteti duhet ta harxhon. E, duke ditur se kemi raund të dytë pas dy javëve, në qoftë se ka, them hapësirë ligjore, unë mendoj që shuma racionale është që kjo të mbahet më 2 nëntor. Në qoftë se jo, atëherë kur do ta sjellin vendimin, ne jemi të gatshëm sërish të ballafaqohemi në zgjedhje”, theksoi Limani.

Mbeturina në Shkup, Qeveria urdhëron kontroll të jashtëzakonshëm

0

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një kontroll të jashtëzakonshëm në territorin e Shkupit për shkak të krizës me grumbullimin e mbeturinave, përcjell TV21. Sipas Qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse do të hetojnë punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup” dhe të kryetares së Qytetit të Shkupit, lidhur me mosmbledhjen e mbeturinave që, sipas Qeverisë, paraqet rrezik për shëndetin publik.

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Në lidhje me problemin e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria në seancën e sotme miratoi konkluzionet në vijim:

Ngarkohen Inspektorati Shtetëror Komunal, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, që menjëherë të nisin kontroll të jashtëzakonshëm të koordinuar në territorin e Qytetit të Shkupit, me qëllim të përcaktimit të gjendjes me mbeturinat komunale dhe lloje të tjera të mbetjeve, si dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të nevojshme.

Gjithashtu, ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet kompetente, dhe i bëhet apel Qytetit të Shkupit – Sektorit të Inspektoratit, që të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore dhe të hetojnë punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup” dhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit në lidhje me mosgrumbullimin e mbeturinave komunale, që paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.

Gjendja është alarmante, dhe megjithëse kompetenca i takon Qytetit të Shkupit, për shkak të mosveprimit të vazhdueshëm, institucionet ftohen që menjëherë të zbatojnë konkluzionet e miratuara nga Qeveria.