“Garanci nga Brukseli dhe respektim nga Sofja”, mesazhet e Mickoskit nga Samiti në Londër

0

Tema për integrimet në BE ka dominuar në takimet në Londër, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai është takuar me ministrin francez për Evropën, të afërt me presidentin Macron, të cilit ia ka përcjellë qëndrimet e Maqedonisë.

“Duhet të ketë dorëzim në pjesën e garancisë nga vetë Bashkimi Evropian, duhet të ketë dorëzim nga fqinji ynë lindor në pjesën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të institucioneve evropiane, siç është Gjykata për të Drejtat e Njeriut, integrimin e komunitetit maqedonas brenda Këshillit Ministror për pakicat te fqinji ynë lindor, e kështu me radhë. Këto nuk janë kushte shtesë – kjo do të thotë partneritet, kjo do të thotë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë që Mickoski kërkon garanci, nga i njëjti samit në Londër përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, dërgoi sinjal tjetër. Sipas saj, dera për anëtarësim tashmë është e hapur.

“Dritarja për zgjerimin e BE-së tani është hapur gjerë. Sot në Londër u takuam me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor për ta thelluar bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, energjetikës dhe ekonomisë. Zgjerimi i BE-së është një investim gjeostrategjik në sigurinë e gjithë Evropës. Së bashku mund ta kapërcejmë këtë”, u shpreh Kaja Kallas, Përfaqësuese eLartë E BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Pavarësisht kërkesave, Mickoski në një intervistë për TVM tha se mbetet optimist, veçanërisht pas, siç e quajti ai, diskutimit frymëzues me kancelarin gjerman Merc, i cili ka dhënë drejtim të qartë se si e sheh rajonin në të ardhmen. Megjithatë, kryeministri theksoi se më e rëndësishme mbetet detyra e brendshme.

“Unë mbetem optimist, por e rëndësishme është të dorëzojmë detyrën e brendshme. Kjo është më e rëndësishmja – këto janë reformat dhe këtë do ta bëjmë në periudhën që vjen. E ardhmja e shtetit është brenda Bashkimit Evropian – ky është një nga qëllimet tona të fundit strategjike. Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta përmbushur këtë qëllim strategjik, por njëkohësisht edhe për t’i mbrojtur interesat maqedonase”, u shpreh Mickoski.

Përveç eurointegrimeve, në samit është biseduar edhe për sigurinë, ku Mickoski ka theksuar projektet energjetike si interkonektorët e gazit me Greqinë dhe Serbinë dhe rëndësinë e korridoreve 8 dhe 10. Ndërsa kryeministri britanik Starmer i ka ofruar ndihmë nga ekspertët dhe policët britanikë për mbrojtjen e kufirit juglindor nga migracioni i paligjshëm.

Dimitrov: Paga minimale nuk është “libër dëshirash”! S’ka punëtorë, as reforma – po mbyllen firma, s’ka para për paga

0

Mungesa e fuqisë punëtore dhe reformat strukturore të parealizuara janë problemi kryesor i biznesit, ndërsa politikanët merren me zgjedhje. Po mbyllen kompani, po pushohen punëtorë, dhe ka edhe firma që kanë vështirësi në pagesën e pagave. Këtë e thanë në emisionin Biznes 21 Nuhi Aliu, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve dhe Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.

“Më e keqja dhe më e rënda për ekonominë është kur nuk ke fuqi punëtore… nëse nuk ke fuqi punëtore, duhet të mbyllësh kompaninë”, tha Nuhi Aliu, Kryetar i OEMVP.


“Në vitin 2015 ishim 46.000, në këtë moment janë 21.000 punëtorë, që do të thotë se shumë shpejt në Maqedoni mund të ndodhë që industria e tekstilit të bjerë në 10.000 të punësuar”, shtoi Angel Dimitrov – OPM.

“Pjesa më e madhe e ekonomisë, 98 për qind, janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, mikro dhe të vogla. Periudha e arkëtimit është midis 250 dhe 400 ditë. Dhe për këtë arsye numri më i madh i pushimeve nga puna, mos-pagesa e pagave, e kështu me radhë”, u shpreh Mile Boshkov – Konfederata e Biznesit të Maqedonisë.

Edhe pse përballen me mungesë fuqie punëtore, ata thonë se është e vështirë të arrihet paga minimale prej 500 eurosh, siç kërkon sindikata, pa ndërhyrje nga Qeveria për kontributet. Thonë se as importi i fuqisë punëtore nga jashtë nuk është zgjidhje, sepse edhe punëtorët e huaj pas dy-tre muajsh largohen nga vendi në kërkim të pagave më të larta.

“Dëshirat janë në “libër dëshirash”, këtu bëhet fjalë për ekonomi – ekonomia nuk është dëshira. 500 euro është një shifër e trilluar që dikujt i ka shkuar në mend, nuk është shifër bazuar në matematikë”, u shpreh Angel Dimitrov – OPM.

“Kështu nuk bëhet, paga minimale nuk llogaritet sipas dëshirës së dikujt, shumë mirë e tha. Duhet që parametrat ekonomikë të jenë bazikë që të arrihet paga minimale, jo thjesht në mënyrë të përgjithshme”, tha Angel Dimitrov – OPM.

“Baloni i pagës minimale ndoshta edhe duhet të “plasë”, por nuk duhet të jetë një kategori që do t’i udhëheqë të gjitha negociatat e tjera sociale”, tha u shpreh Mile Boshkok.

Bizneset kërkojnë zbatimin e reformave strukturore të paralajmëruara, siç janë digjitalizimi, lufta kundër ekonomisë gri, kundër korrupsionit, dhe vendosjen e më shumë theksi te biznesi vendas, në vend të përfitimeve për investitorët e huaj.

Dalipi: Vazhdojmë fuqishëm rrethin e dytë! Qyra: Votat e lira do të kalojnë në anën time

0

Arsim Dalipi nga AKI dhe Mendi Qyra i pavarur, do të përballen sërish në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale për komunën e Strugës. Tërheqjen nga gara, Dalipi e konsideron si propagandë të ulët nga kundërshtari, sfidë të cilën sipas tij, Qyra nuk e kishte pranuar.

“Ne vazhdojmë fuqishëm garën për raundin e dytë me më shumë energji dhe me më shumë përkushtim, ata që tregojnë dita ditës frikën e humbjes që i pret dhe dëshpërimit bëjnë propaganda të ulëta se gjoja se unë do të tërhiqem nga gara, ndërkohë që kundërkandidati im pati frikë ta pranojë sfidën të cilën kishte afat ta pranojë deri në heshtjen zgjedhore dhe fuqishëm e theksoj ajo ishte sfidë dhe jo premtim për tu tërhequr nga gara por ai nuk e pranoi sfidën dhe tani përpiqet ta manipulojë”, tha Arsim Dalipi – AKI.

Ndërkaq Mendi Qyra mendon se 5000 votat e mbetura në Strugë do të kalojnë në anën e tij.

“Në Strugë kanë mbetur 5700 të lira të cilat besoj 700 janë të Levicës që jam I sigurt se kalojnë tek AKI tek kundërkandidiati im të cilët kanë më tanimë marrëveshje kurse 5000 vota të tjera janë të lira të cilat i synojmë edhe kundërkandati im edhe unë por shpresoj se pjesa dërrmuese do të kalojnë në anën time”, pohoi Mendi Qyra – i pavarur.

Dy kandidatët për të parin e Strugës shkojnë në balotazh me një diferencë prej vetëm 215 votave. Arsim Dalipi morri 9719 vota dhe Mendi Qyra 9934. Rrethi i dytë i lokaleve mbahet më 2 nëntor.

Kasami nis fushatën për raundin e dytë në Tetovë! ASH e Taravarit dyshon për bojkot të organizuar në disa komuna

0

Kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, fushatën për raundin e dytë e nisi me të rinjtë në sheshin e qytetit. U zotua se do të vazhdojnë me projektet për zhvillimin e Tetovës.

“Një kampanjë që ne besojmë se do të jetë për të konfirmuar fitoren bindëse të raundit të parë. Ne besojmë se edhe ata pak qytetarë që nuk arritëm t’i bindim se opsioni ynë është më i mirë, tani do të jetë më lehtë, sepse shumica dërmuese e tetovarëve vendosën që në raundin e parë që ne të vazhdojmë edhe katër vite për të shërbyer në Tetovë, për të vazhduar realizimin e projekteve në të mirë të Tetovës”, tha Bilall Kasami – Kryetar i Komunës Së Tetovës.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, pjesë e AKI-së, mbrëmë mblodhi në Tetovë kryesinë qendrore bashkë me kryetarët e degëve për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve. Dyshojnë se në dy komunat ku fitonin bindshëm kandidatët e ASH-së ka pasur bojkot të organizuar.

“Realisht aty kemi dyshime se ka pasur një organizim të partive të pushtetit, por edhe nëse e merrni numrin e votave, listat nuk janë të pastruara në krahasim me listat paraprake. Kemi një pjesë të madhe që është në mërgatë. Kështu që në Gostivar, nëse nuk gaboj, për 21 vota nuk arriti censusi. Por përsëri do të ndalem te dallimi: është shumë i madh mes kandidatëve të ASH-së dhe të tjerëve, qoftë të VLEN-it, qoftë të pavarurve. Kjo tregon se koalicioni funksionon, dhe tani mund të detektojmë disa nga problematikat për ta arritur atë target prej një rezultati 2 me 1, siç i kishim edhe në anketat”, u shpreh Blerand Ramadani – Zëdhënës i ASh-së (AKI)

Në katër komuna në Maqedoni nuk është arritur censusi prej 33.33%, ku edhe do të ketë  zgjedhje të reja. Sipas ligjit, të njëjtat duhet të mbahen brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mickoski: Opozita të ketë kujdes, mund t’iu plotësohet dëshira

0

Kryeministri Hristijan Mickoski sot i është përgjigjur komenteve të LSDM-së për rezultatin e zgjedhjeve lokale, përcjell TV21. Mickoski tha se opozita duhet të ketë kujdes kur shpreh dëshirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi ndoshta kjo dëshirë mund t’iu plotësohet.

“Ndërsa opozitës do t’i lëmë kohë që të konsolidohen dhe të mendojnë nëse do të marrin guximin të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, të cilat të jem i drejtpërdrejt, unë nuk i dëshiroj dhe mendoj që janë të panevojshme dhe se është koha për rezultate dhe ofensivë të madhe në çdo plan. Por kjo matematika e tyre gazmore dhe kjo këmbëngulje për mençuri dhe krijimin e temave artificiale dhe mashtrimeve, duhet të marrë përgjigje konkrete. Le të kenë kujdes se çfarë flasin dhe çfarë dëshirojnë, sepse mund t’iu realizohen. Zgjedhjet e fundit dërguan mesazh edhe te partneri i tyre i koalicionit BDI. E dëgjova edhe kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ata kanë shpresë në këtë për të parandaluar rënia që e kanë, ndërsa kjo lugajë është më e madhe nga ajo që shkohet nga Strazha në Zajaz”, tha mes tjerash Mickoski.

“125 milionë denarë të pastruar përmes fajdeve me 15% në muaj”, autoritetet me detaje për funksionimin e rrjetit të fajdexhinjve në Shkup

0

Policia ka shkatërruar një rrjet të fajdexhinjve që merrej edhe me pastrim parash!

Këto janë makinat të cilat u gjetën gjatë bastisjes.

Janë arrestuar 11 persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të “Fajdes” dhe “Pastrimit të Parave dhe të Ardhurave të Tjera nga Krimi”, ndërsa një person është në kërkim. Janë të moshave nga 25 deri në 73 vjeç.

Viktimave u kërkohej të kthenin fondet e marra hua me interesin e grumbulluar ose të paguanin shumën çdo muaj bazuar në interes, dhe kur nuk ishin në gjendje ta shlyenin kredinë, të dyshuarve u kërkohej të dorëzonin ose të vendosnin barrë në pronën që kishin, duke e transferuar atë në emër të njërit prej të dyshuarve. Mbledhja e fondeve kryhej drejtpërdrejt përmes njërit prej të dyshuarve ose përmes llogarive të transaksioneve në një bankë nga llogaria e viktimës në llogarinë e njërit prej të dyshuarve”, tha Goce Andreev, zëdhënës i MPB.

Huaja që ua jepnin njerëzve në vështirësi financiare ishte me interesa të larta 5 ose 15% në muaj.

“Mjetet monetare që të dëmtuarit i kthenin në shumë të pabarabartë futeshin në llogaritë bankare ose në sefet e të dyshuarve, pas së cilës përfitimi i pabarabartë pasuror futej në mënyra të ndryshme në qarkullimin financiar ligjor, pra ekziston dyshim i bazuar se gjatë të njëjtës periudhë dymbëdhjetë të dyshuar dhe një person juridik i dyshuar si grup i organizuar kriminal për pastrim parash janë pasuruar në mënyrë të kundërligjshme me mjete monetare në vlerë prej 125.033.527 denarësh, të fituara përmes veprës penale “Fajde””, thonë nga MPB.

Nga policia kumtuan se një pjesë e parave të përfituara që të dyshuarit i kanë marrë në disa raste nga persona fizikë, në llogaritë ose dorazi, me qëllim që të duket sikur janë mjete të ligjshme, janë përdorur për të kryer transaksione ndaj llogarive të personave juridikë dhe fizikë, një pjesë janë marrë për nevojat personale të të dyshuarve, janë përdorur për të blerë pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe për të jetuar në luks, ndërsa një pjesë e madhe janë tërhequr në para të gatshme.

KSHZ hodhi poshtë të gjitha ankesat për Çashkën! Shaqiri: Do të jem kryetar i të gjithëve, falënderoj në veçanti mërgatën!

0

Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve u hodhën poshtë të gjitha 5 ankesat për votimet në Çashkë, të parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, përcjell TV21. Kandidati fitues për kryetar të komunës së Çashkës, Suat Shaqiri tha se do të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje apo kombi.

“Falënderoj të gjithë mbështetësit, në veçanti popullin shqiptarë, duke mos anashkaluar edhe ata që na votuan si popull, pra qytetarët maqedonas, mërgatën në veçanti, të cilët treguan maturi evropiane, erdhën dhe iu përgjigjën ftesës për të votuar. Unë do të jem zëri i komunës së Çashkës, jam fitues absolut, në formën më të mirë demokratike dhe do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallime fetare dhe kombëtare”, tha mes tjerash Shaqiri.

KSHZ-ja hodhi poshtë edhe tre ankesa për parregullsi zgjedhore në Çashkë!

0

Pas refuzimit të ankesës për parregullsi zgjedhore në vendvotimin 2028 në Mellnicë të Çashkës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë edhe tre ankesa të tjera, përcjell TV21.

Është hedhur poshtë ankesa për venvotimet 2205/1 dhe 2205 në
Jabollçishtë të Epërme dhe vendvotimin 2204 në Jabollçishtë të Poshtme.

Ka mbetur që KSHZ të shqyrtojë edhe një ankesë, që është me të njëjtën përmbajtje, respektivisht bëhet fjalë për vendvotimin 2028 në Mellnicë, por që ankues është LSDM.

KSHZ refuzon hapjen e kutive në Butel për shkak të pajisjes biometrike që nuk ka funksionuar

0

Komisioni Shtetëror Zgjedhor refuzon hapjen e kutive në Butel për shkak të pajisjes biometrike që nuk ka funksionuar. Aleanca Kombëtare për Integrim, (AKI) paraqiti ankesën VV2915/1 për rastin në komunën e Butelit, duke akuzuar Këshillin Zgjedhor se ka shkelur nenin 151 të Kodit Zgjedhor gjatë procesit të votimit. Sipas ankesës, kërkohet anulimi dhe rizgjedhja e komisionit për këtë vend votimi, pasi pajisja për identifikim biometrik nuk ka funksionuar, duke shkelur kushtin për hapjen e materialit zgjedhor.

Putini urdhëron mobilizimin e 2 milionë rezervistëve!

0

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka urdhëruar zgjerimin e radhëve të ushtrisë së rregullt ruse në 1.5 milionë ushtarë, duke e bërë ushtrinë e Federatës Ruse të dytën më të madhe në botë.

Sipas mediave britanike, ky vendim vjen pas sulmeve gjithnjë e më të shpeshta me dronë nga Ukraina ndaj rafinerive dhe tubacioneve kryesore të gazit në territorin rus.

Zyrtarë të lartë ushtarakë rusë kanë deklaruar se do të përdorin rezervistët për të mbrojtur infrastrukturën civile, si rafineritë e naftës.

Pas një takimi me zyrtarët më të lartë ushtarakë të vendit, Putin urdhëroi gjithashtu rritjen e ushtrisë aktive në 1.5 milionë ushtarë, duke e bërë Rusinë ushtrinë e dytë më të madhe në botë pas Kinës. Ai theksoi se aktualisht rreth 700,000 ushtarë luftojnë në Ukrainë, ndërsa parlamentarët rusë deklarojnë se dy milion të tjerë janë në rezervistë aktivë. Këta rezervistë zakonisht nuk shërbejnë aktivisht, dhe disa nënshkruan kontrata kryesisht për kompensimin financiar që marrin.

Zëvendësadmirali Vlladimir Cimlanski, zëvendësshef i Departamentit kryesor të organizimit dhe mobilizimit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Ruse, tha se përdorimi i dronëve me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina ka rritur kërcënimin ndaj infrastrukturës kritike kombëtare dhe zonave të banuara.

“Për të rritur sigurinë e objekteve kritike dhe të tjera të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, u vendos që qytetarët më të trajnuar dhe patriotë të përfshihen në masat për mbrojtjen e objekteve civile brenda Rusisë,” deklaroi Cimlanski.

Nëse Rusia vendos më shumë rezervistë për të mbrojtur infrastrukturën, Moska mund të lirojë pjesë të konsiderueshme të trupave të rregullt për fushën e betejës, duke përballuar një luftë të gjatë dhe rraskapitëse, raportojnë mediat britanike.

Cimlanski theksoi se ndryshimet e propozuara nuk përbëjnë mobilizim të përgjithshëm, megjithatë disa kanale ruse në Telegram po e interpretojnë vendimin si një mobilizim masiv.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi gjithashtu se rezervistët nuk do të përfshihen në atë që Kremlini e quan “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë dhe nuk do të përdoren jashtë kufijve të Rusisë.