Muaji rozë, një mijë raste të reja me kancer të gjirit! “Hema Onko”: Kërkohet terapi e sigurt dhe në kohë për pacientët

0

Rreth 1 mijë raste të reja me kancer të gjirit janë diagnostikuar vitin e kaluar në Maqedoni. Në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji, aktualisht janë rreth 7 mijë pacientë në trajtim aktiv. Nga Klinika thonë se gjatë vitit të kaluar janë futur terapi të reja, veçanërisht për pacientët me kancer të gjirit, ndërsa është rritur edhe numri i pacientëve që marrin trajtim specifik.

“Sa i përket statistikave institucionale, vitin e kaluar e përfunduam me 5.300 pacientë të rinj me lloje të ndryshme të kancerit. Në përgjithësi, numri po rritet, pra çdo vit kemi 200 deri në 300 pacientë të rinj më shumë. Ndërsa sa i përket prevalencës, pacientët që paraqiten të paktën një herë në Klinikë gjatë një viti kalendarik, bëhet fjalë për afro 20.000 pacientë në vit”, tha Igor Stojkovski.

Stojkovski tha se po punohet edhe për decentralizimin e shërbimeve. Një pjesë e shërbimeve tashmë ofrohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, ndërsa synohet që onkologë nga Shkupi të angazhohen edhe në Spitalin Klinik të Manastirit. Sa i përket decentralizimit, Ana Marjanoviq nga “Hema-Onko” tha se si shoqatë kanë insistuar që procesi të bëhet në mënyrë që, para së gjithash, pacientët të kenë terapi të sigurt dhe kushte për ta marrë atë rregullisht, në kohë dhe në një atmosferë të denjë.

“Qëllimi nuk është vetëm që terapia të merret, por të sigurojmë që çdo pacient që nuk do të jetë në Klinikën e Onkologjisë, ta marrë terapinë në mënyrë të sigurt. Nga njëra anë, ne si pacientë e dimë më së miri se sa i madh është presioni mbi Klinikën e Onkologjisë. Kjo është edhe për shkak të mungesës së personelit, të cilin po përpiqen ta kompensojnë, por edhe për shkak të numrit të madh të ekspertëve në trajtimin e sëmundjeve, veçanërisht të kancerit të gjirit”, tha Ana Marjanoviq.

Stojkovski u pyet edhe se si do ta zgjidhin problemin me ndërprerjet në furnizimin me terapi, për çka tha se mund t’i bëjnë një paralajmërim distributorëve, pasi, siç tha, distributori i di pasojat që shkaktohen nga vonesat në furnizimin e terapisë për pacientët.

S’ka prova për hyrje të paautorizuar në sistemin e presidencës! Prokuroria mbyll procedurën pas hetimeve

0

Prokuroria ka konstatuar se nuk ka prova për hyrje të paautorizuar në sistemin kompjuterik të Kabinetit të Presidentes së shtetit dhe për marrje të paautorizuar të të dhënave. Pas hetimeve paraprake, janë analizuar pajisje kompjuterike dhe të dhëna nga telefona celularë, ndërsa janë marrë edhe deklarata nga persona të njohur me rastin.

Sipas analizave të Sektorit për Krim Kompjuterik në MPB, nuk janë gjetur gjurmë digjitale për ndërhyrje të paautorizuar apo prova për regjistrim dhe marrje të të dhënave të klasifikuara. Janë konstatuar disa dobësi të sigurisë dhe administrimit të sistemit, por jo prova për kryerje të veprës penale. Për këtë arsye, prokurori ka vlerësuar se nuk ka bazë për vazhdimin e procedurës.

Endrick drejt largimit nga Real Madridi? Milani destinacioni i preferuar

0

Endrick mund të rikthehet në qendër të merkatos së dimrit, teksa e ardhmja e tij te Real Madridi mbetet e paqartë.

Sipas raportimeve të fundit nga Italia, sulmuesi brazilian e sheh Milanin si destinacionin e tij të preferuar në rast se vendos të largohet në formë huazimi gjatë merkatos së janarit.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Endrick i ka dhënë një sinjal pozitiv klubit kuqezi, duke e vendosur Milanin në krye të preferencave të tij nëse Real Madridi i jep dritën jeshile për një largim të përkohshëm.

20-vjeçari po has vështirësi për të gjetur hapësira në formacionin e Jose Mourinhos.

Deri tani këtë sezon, Endrick ka regjistruar vetëm katër minuta lojë, ndërsa konkurrenca e madhe në repartin ofensiv e ka bërë edhe më të vështirë për të fituar një rol të rëndësishëm në skuadër.

Milani kishte tentuar ta afronte brazilianin edhe gjatë merkatos së verës, por Real Madridi nuk pranoi ta largonte. Klubi spanjoll vazhdon ta konsiderojë Endrick një investim të rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk dëshiron ta shesë, ndërsa një huazim në janar mbetet një mundësi që mund të rishqyrtohet nëse situata e tij nuk ndryshon.

Në garë për shërbimet e sulmuesit janë edhe Roma dhe Aston Villa. Roma ka shfaqur interes të fortë, ndërsa Milani duket se ka marrë një avantazh të rëndësishëm në aspektin e preferencës së vetë lojtarit.

Në rast se marrëveshja realizohet, formula e diskutuar është një huazim gjashtëmujor, me Milanin që do t’i ofronte Endrick mundësinë për të luajtur rregullisht dhe për të rikthyer ritmin që kishte gjatë periudhës së huazimit te Lyon.

Megjithatë, për momentin nuk ka marrëveshje të mbyllur. Vendimi final i takon Real Madridit, ndërsa situata pritet të bëhet më e qartë gjatë javëve në vijim, në varësi të minutave që Endrick do të marrë në Madrid.

Konferencë ministrore për Korridorin 8 në Sofje! Mucunski: Do ta përshpejtojmë realizimin e korridorit me Bullgarinë dhe Shqipërinë

0

Korridori 8 prej kohësh i ka tejkaluar kufijtë e infrastrukturës tradicionale të transportit dhe sot ka rëndësi thelbësore evropiane, ekonomike dhe të sigurisë.
Kështu deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin 8, që po mbahet në Sofje, duke theksuar se ai duhet të përfundojë sa më shpejt.


“Korridori 8 përfaqëson një vizion strategjik që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, Bashkimin Evropian me Ballkanin Perëndimor, si dhe ekonomitë, shoqëritë dhe interesat e sigurisë së vendeve. E konfirmova vendosmërinë tonë për t’i përmbushur detyrimet tona dhe, së bashku me Bullgarinë, Shqipërinë dhe partnerët evropianë, ta përshpejtojmë realizimin e tij”, theksoi Mucunski.
Ndërkohë, në margjinat e konferencës u zhvillua edhe një takim i ministrit Mucunski me homologen e tij bullgare, Velislava Petrova Çamova.
Parashihet që Mucunski të takohet edhe me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Rebalanci i dytë i buxhetit, shkurtohen edhe të hyrat edhe shpenzimet me nga 86,2 milionë euro

0

Qeveria për herë të dytë këtë vit e rishikoi arkën e shtetit. Shkurtohen edhe të hyrat edhe shpenzimet në buxhet, me nga 86,2 milionë euro. Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, rebalanci i dytë nuk është rezultat i problemeve me likuiditetin e Buxhetit, por është harmonizim i projeksioneve buxhetore me kushtet e reja ekonomike deri në fund të vitit. Siç theksoi, ulja e akcizave për karburantet dhe ulja e TVSH-së për naftën nga 18 në 10 për qind kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë mbi buxhetin. Përveç të hyrave, shkurtohen edhe shpenzimet, por edhe paratë për projekte kapitale – më së shumti në Ministrinë e Mjedisit dhe për Energjetikë.

“Projekti i ulët lidhet me uljen te mallrat dhe shërbimet dhe subvencionet, si rezultat i shpenzimit të disiplinuar dhe më efikas, duke siguruar njëkohësisht mjete shtesë për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve dhe për shërbimet shëndetësore. I ulim shpenzimet aty ku realizimi është më i dobët ose aty ku nuk bëhet fjalë për prioritete më të larta. Por, nuk kursejmë në atë që është më e rëndësishme. Sigurojmë mjete shtesë për kategoritë sociale të cenueshme dhe shërbimet shëndetësore. Te shpenzimet kapitale bëjmë korrigjim prej rreth 5,7 miliardë denarësh, para së gjithash për shkak të prolongimit të dinamikës së realizimit të projekteve të caktuara kapitale”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Koçoska konfirmoi se para dy ditësh vendi është huazuar jashtë vendit me një mini-euroobligacion prej 150 milionë eurosh me kamatë prej 5,25%. Tha se kjo është në kuadër të huamarrjes së paraparë për këtë vit. Tha se, edhe pse në Qeveri ka kaluar vendim për huamarrje prej 250 milionë eurosh, megjithatë shuma është më e vogël për shkak të kamatave të larta në tregje. Paralajmëroi edhe se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë huamarrje të re për kthimin e euroobligacionit të vjetër prej 500 milionë eurosh.

“Si mendojnë t’i shërbejmë 500 milionë euro në mars. Ja, nëse kanë ndonjë shkop magjik dhe dinë diçka, le të vijnë, le të thonë. Ja, i ftoj të vijnë, le të thonë, le të më japin një propozim. Si mendoni që për tre muaj të grumbulloni ju para në buxhet, të paguani paga, pensione dhe të shërbeni borxhe, ndërkohë që po them 500 milionë euro vetëm në bazë të principalit të euroobligacionit, po ku janë kamatat, ku janë kamatat e kredive të tjera, kështu që atë pjesë unë fare nuk e komentoj. Normalisht që duhet të ketë huamarrje, sepse ne jemi qeveri e përgjegjshme”, deklaroi Gordana Dimitrieska-Koçoska.

Me rebalancin e dytë, deficiti buxhetor mbetet në projeksionin e mëparshëm prej 4,1 për qind të BPV-së. Mbetet edhe projeksioni për rritjen e BPV-së prej 3,5 për qind dhe inflacioni prej 3,5%. Koçoska tha se gjendja globale është shumë e pasigurt dhe paralajmëroi se në fund të vitit do të ketë rishpërndarje të reja nga arka e shtetit.

Granit Xhaka dënohet për falsifikim të certifikatës për koronavirus

0

Vendimi është dhënë. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, njoftoi publikisht dënimin për falsifikim të certifikatës për COVID-19. 34-vjeçari mori një gjobë me kusht.

Xhaka e bëri të ditur rezultatin e procedurës penale kundër tij në Instagram të enjten. Ai u dënua me urdhër ndëshkues për mashtrim me një gjobë me kusht prej 50 tarifash ditore prej 3,000 franga. Periudha e provës është dy vjet dhe Xhaka nuk do të duhet të paguajë gjobën. Ai tashmë i ka paguar shpenzimet gjyqësore.

“Pas dhënies së deklaratës sime të plotë në zyrën e prokurorit publik, vendimi është lëshuar. Kjo do të thotë: Dënimi nuk do të zbatohet nëse nuk kryej ndonjë vepër penale të mëtejshme gjatë kësaj periudhe. Kam paguar shpenzimet gjyqësore”, ka shkruar Xhaka në Instagram.

Xhaka pranoi se kishte falsifikuar dy certifikata vaksinimi gjatë pandemisë së koronavirusit. Kjo ndodhi pasi “Blick” kishte bërë publike një hetim përkatës nga zyra e prokurorit publik të Luzernit. 

Vrasje, rrëmbime e granata dore! Goditet rrjeti i narkotikëve me anëtarë nga Ballkani Perëndimor

0

Rreth 50 të dyshuar janë arrestuar në një aksion policor ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, anëtarët e të cilit janë të lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi të enjten Agjencia Evropiane e Policisë, Europol.

Europol-i tha se të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasje, rrëmbime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme me granata dore në gjithë Evropën.

Aksioni kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë, ndërsa arrestimet u kryen në bashkërendim me një qendër operative në Lubjanë dhe me mbështetjen e Europol-it.

Mes të dyshuarve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe të Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës.

Në hetim morën pjesë shërbimet policore dhe gjyqësore nga 22 shtete.

Numri më i madh i të dyshuarve u arrestua në Slloveni, gjithsej 34, bëri të ditur Europol-i, ndërsa nga një person u arrestua në Spanjë dhe Kroaci.

Edhe 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët, gjatë një hetimi disavjeçar.

Gjatë ditës së fundit të aksionit, policia sekuestroi 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, stoli dhe para të gatshme, thuhet në njoftim.

Hetimi zbuloi se grupi kriminal fshihte sasi të mëdha narkotikësh në ngarkesa komerciale të mallrave, duke përdorur rrugët e ligjshme të transportit si mbulesë për kontrabandën.

Sipas Europol-it, anëtarët e rrjetit angazhonin kryesisht shoferë nga Sllovenia, Bosnje e Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët me kamionë, furgonë dhe automjete bartnin drogën së bashku me mallra të ligjshme.

Për komunikim dhe koordinim, ata përdornin platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom.

Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane. Transporti i ligjshëm i mallrave njëkohësisht sillte fitime shtesë dhe ulte kostot e kontrabandës.

Humbja e drogës çonin në dhunë

Sipas rezultateve të hetimit, EUROPOL-i thekson se dërgesat e drogës të sekuestruara ose mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit shpesh përfundonin me përleshje të dhunshme.

Hetuesit e lidhin grupin me disa të shtëna me armë zjarri, vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e një anëtari të organizatës.

Në sulme u përdorën mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, ndërsa objektiva ishin anëtarët e rrjetit kriminal dhe familjarët e tyre.

Autoritetet thonë se dhuna përdorej për të rikuperuar humbjet, për të ndëshkuar përgjegjësit për dërgesat e dështuara dhe për të ruajtur kontrollin brenda organizatës. Gjatë hetimit u zbulua edhe një tentativë vrasjeje në Spanjë.

Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.

U sekuestruan gjithashtu 550 litra anhidrid acetik, një kimikat që përdoret në prodhimin e drogës, armë automatike me silenciator, municion dhe disa pistoleta.

Megjithatë, Europol-i thotë se sasitë e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të aktiviteteve të përgjithshme kriminale.

Përmes analizimit të komunikimeve në SKY ECC dhe provave të tjera, hetuesit kanë rindërtuar transporte dhe transaksione të tjera të lidhura me të dyshuarit.

Për këtë arsye, pritet që të dyshuarit të ndiqen penalisht për trafikimin e 2.5 tonëve të tjerë kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, nga një kilogram ketaminë dhe hashash, 18.000 tabletave ekstazi dhe 1.000 njësive kërpudhash psikoaktive.

Një pjesë e drogës së sekuestruar e fshehur brenda një transporti mallrash të ligjshme, tetor 2026.
Një pjesë e drogës së sekuestruar e fshehur brenda një transporti mallrash të ligjshme, tetor 2026.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu 45 litra vaj të destinuar për prodhimin e amfetaminës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Europol-i gjatë hetimit u ofroi policive kombëtare mbështetje analitike dhe operacionale, ndërsa në ditën e aksionit një ekspert i kësaj agjencie dhe një hetues kroat punuan nga qendra e koordinimit në Lubjanë.

Nga kjo qendër u koordinuan në kohë reale arrestimet dhe aktivitetet e hetuesve në territorin e disa shteteve.

“Lotaria”, dëshmitari i Prokurorisë: Tenderi ishte ok! Ristevski: Deklarata e dëshmitarit e vërtetoi teorinë tonë

0

Në rastin gjyqësor “Lotaria” dëshmoi dëshmitari i prokurorisë Aleksandar Andonov, drejtor i sektorit për parandalimin e larjeve të parave dhe financimit të terrorizmit në SH.A. “Lotaria Shtetërore”. Ai tha se ka qenë njëri nga 6 anëtarët e komisionit për zbatimin e procedurës së furnizimit publik për blerjen e VLT aparateve. Në pyetjet e prokurorit dhe pyetjeve të kryqëzuara nga pala mbrojtëse, dëshmitari Andonov tha se në aspektin formal-juridik tenderi për aparatet VLT ka qenë gjithçka në rregull.

“A keni marr pjesë në procedurën për furnizimin e VLT aparateve në Lotarinë shtetërore?
A keni njohuri çfarë ndodhi me VLT, përkatësisht a janë vënë në përdorim për nevojat e Lotarisë?”, tha Daniel Kocev, Prokuror Publik

“Po, si anëtar i komisionit për zbatimin e procedurës në aspektin juridik të tri ofertave, ku u vendos zgjedhja e ofertës më të favorshme. Ne kemi vepruar sipas vendimeve të sjella paraprakisht, ku ishte paraparë plani për furnizime publike që paraqet një lloj dokumentacioni që evidentohen të gjitha tenderët e Lotarisë. U sjell marrëveshja kornizë që e bashkëngjit në ‘ESJN’, me ç’ rast u ballafaquam me kontroll të Drejtorisë për furnizime publike pasi që shuma e tenderit ishte e lartë, nëse e njëjta ishte zbatuar sipas Ligjit për furnizime publike. Pas saj morëm procesverbal dhe pastaj u realizua blerja e VLT. U dorëzuan kërkesat në DAP dhe Ministri të Financave, por aparatet ndodhen më magazinat e lotarisë”, tha Aleksandar Andonov, Dëshimtar

Elenko Milanov – avokat i Përparim Bajramit: “A i kishte dokumentet e duhura tenderi?”
Dëshimtari Aleksandar Andonov: “Po, në aspektin formal-juridik i kishte dokumentet në rregull.”

Avokati i të akuzuarit të dytë, ish-zëvendës kryeministrit Artan Grubi tha se edhe dëshmitari i dytë i organit të akuzës ka vërtetuar teorinë e palës mbrojtëse se të akuzuarit nuk kanë bërë vepër penale. Ai tha se Grubi pritet të lirohet nga arresti shtëpiak më 13 tetor kur edhe i skadon kjo masë dhe i njëjti do të mbrohet në liri, me masën e sigurisë duke lënë në garanci prona të paluajtshme në vlerë prej 335 mijë euro, si banesa në pronësi të tij dhe familjarëve të tij se nuk do të arratiset sërish.

“Faktet i vërteton gjykata! Deklarata e dëshmitarit të sotëm e vërtetoi teorinë tonë të rastit se nuk ka përfshirje të Artan Grubit në furnizimin publik në kuadër të punës së Lotarisë Shtetërore. Dëshmitari e sqaroi si funksionon tenderi dhe cilat veprime janë ndërmarrë, thjesht neve asgjë nuk na prek që do të ishte e kundërta e teorisë së rastit”, tha Goce Ristevski, avokati i Artan Grubit.

Tri seancat e radhës më 9,15,16 Tetor anulohen me kërkesë të prokurorisë.
Seancat e radhës mbahen me 20 dhe 21 Tetor me dëshmitaret Hrista Najdanov dhe Naxhije Hoxha!

17 dhe 17A, linjë e re autobusi për studentët e UNT-së! Do të kalojë përmes Bit Pazarit dhe Rrugës së Plastikave

0

Lëshohet linjë e re e autobusit për studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Do të lëvizë në çdo 50 minuta.

Rektori i këtij universiteti Bekim Fetaji deklaroi se tani më ka 2 linja të autobusit 17 dhe 17a që do të qarkullojnë në 24 stacione. Ai bëri të ditur se në shkurt do të ketë linjë të re që do të lëviz në çdo 15 minuta.

“Qarkullon në shumë pjesë 24 stacione, por pjesa kryesore për ne është që përfshihet pjesa e Bit Pazarit përballë UKIM-it elektoratit, pastaj vjen këndej nga rruga e plastikave dhe do të vjen deri këtu tek ne, pastaj rrethrrotullohet te ambasada e Amerikës dhe kthen majtas nga muzeu dhe kjo pjesë pastaj i lidh studentët me të gjithë pikat tjera”, tha Bekim Fetaji.

Sa i përket ndërtimit të kampusit të ri, rektori Bekim Fetaji bëri të ditur se tre fakultete janë transferuar në objektin e Lidhjes së Sindikatave. Bëhet fjalë për Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Shkencave Humane dhe Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë.
Mbikëqyrësi i punimeve, Oliver Kolevski, deklaroi se aktualisht po punohet në tre nga nëntë objektet e parapara për t’u ndërtuar në fazën e parë.

“Aktualisht, është duke u zhvilluar procedura e tenderit për kontraktorin mbikëqyrës. Kur të përfundojë kjo procedurë, do të fillojë prishja dhe në atë pikë të gjitha objektet e tjera do të jenë përfunduar. Nga këto 3 objekte, njëri po e përfundon fazën e plotë të ndërtimit brenda dy javësh dhe dy të tjerët do të përfundojnë diku në fillim të dhjetorit”, tha Oliver Kolevski.

Gurthemeli për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u vendos më 7 mars 2026. Sipas planit, i gjithë kampusi parashihet të përfundojë brenda pesë vitesh.

SKUPI FESTIVAL shënon edicionin e 20-të jubilar me tetë shfaqje nga rajoni dhe Evropa

0


10–17 tetor 2026 | Teatri Shqiptar – Shkup- Festivali Ndërkombëtar i Teatrit SKUPI FESTIVAL shënon këtë vit edicionin e 20-të jubilar, duke sjellë në Shkup një program të përzgjedhur me produksione nga Kosova, Shqipëria, Polonia, Moldavia, Turqia, Bullgaria dhe Serbia, si dhe bashkëprodhime ndërkombëtare Suedi, Ukrainë Gjeorgji.

Nga 10 deri më 17 tetor, publiku do të ketë mundësi të ndjekë tetë shfaqje, me autorë dhe regjisorë të ndryshëm, që përmes gjuhëve dhe estetikave të ndryshme skenike trajtojnë tema njerëzore, shoqërore dhe universale.

Të gjitha shfaqjet e edicionit të 20-të të SKUPI FESTIVAL do të zhvillohen në Teatrin Shqiptar – Shkup.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, festivali sjell edhe një risi në përbërjen e jurisë: Merita Çoçoli, Vesna Kusleska dhe Anisa Ismaili, tri profesioniste të artit dhe kulturës, do të vlerësojnë shfaqjet pjesëmarrëse dhe do të përcaktojnë fituesit e tri çmimeve të festivalit.

Në qendër të vlerësimeve do të jetë Çmimi Kryesor “Shfaqja më e mirë” e Skupifestivalit   pastaj Juria do të ndajë edhe çmimin special “Luran Ahmeti”, i cili mban emrin e aktorit të njohur shqiptar dhe përfaqëson një homazh për kontributin e tij në skenën teatrore dhe kulturore.

PROGRAMI

10 tetor – “Unrecognized”

Jubileu hapet me premierën e shfaqjes “Unrecognized”, me autorë Davit Gabunia dhe Jeton Neziraj, në regji të Data Tavadze.

Luajnë: Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow, Shkëlqim Islami.

Produksioni është një bashkëpunim ndërkombëtar mes Qendrës Multimedia, Prishtinë; Teatrit Mbretëror Tbilisi, Gjeorgji; ÖrnProduction, Stokholm; Kyiv Academic Theatre on Pechersk, Kiev; Teatrit Shqiptar, Shkup; Teatrit të Qytetit të Malmos; Teatrit Dramatik Mbretëror, Stokholm; dhe Teatrit të Qytetit të Goteborgut.

12 tetor – “Hamleti”

Vepra klasike e Uilliam Shekspirit, “Hamleti”, vjen në regji të Jonida Beqos, nga Teatri Metropol, Tiranë.

Në shfaqje interpretojnë Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj, Urim Aliaj, Xhino Musollari, Amri Hasanlliu, Luisa Dinellari, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Jurgen Dervishi, Besmir Sula, Mario Bali, Sara Koci, Silva Brahimataj dhe Elion Guri.

13 tetor – “Sexoholic”

Nga Polonia vjen “Sexoholic”, me autor dhe regjisor Gregor Kempinski.

Luajnë Weronika Psiuk-Czerepak dhe Karolina Kochańska, ndërsa produksioni është i Teatrit Shtukofnia, Bytom.

14 tetor – “Gërrdia”

Programi vazhdon me “Gërrdia”, me autor dhe regjisor Astrit Kabashi.

Në skenë janë Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena. Produksioni është i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

15 tetor – “Gjërat që nuk thuhen”

Me autore Maria Ivanov dhe regji të Ana Batevas, shfaqja sjell në skenë aktoren Elena Frunze-Hartman.

Produksioni është i Teatrit “Aleksej Matejeviç”, Moldavi.

15 tetor – “Muhamed Ali”

Po atë mbrëmje prezantohet edhe “Muhamed Ali”, me autor dhe regjisor Turgaj Korkmaz.

Në rolin kryesor interpreton Erdem Kaynarca, ndërsa produksioni vjen nga Teatri Jolxhu, Stamboll, Turqi.

16 tetor – “Zoti i Masakrës”

Nga Bullgaria vjen “Zoti i Masakrës”, bazuar në veprën e Jasmina Reza, me regji të Anton Ugrinov.

Luajnë Alexandra Vasileva, Radena Valkanova, Vladimir Karamazov dhe Julian Vergov.

Produksioni është i Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov”, Bullgari.

17 tetor – “Ata nuk janë më”

Edicioni jubilar mbyllet më 17 tetor me shfaqjen “Ata nuk janë më”, me autor Doruntina Basha dhe regji të Andrej Nosov.

Në skenë interpretojnë Mirjana Karanović, Svetozar Cvetković dhe Alban Ukaj.

Produksioni është bashkëpunim i Hartefakt, Beograd; SARTR, Sarajevë; dhe My Balkans, Serbi dhe SHBA.

NJË JUBILE I NDËRTUAR MBI BASHKËPUNIMIN

Përgjatë dy dekadave, SKUPI FESTIVAL ka krijuar hapësirë për takimin e artistëve, teatrove dhe publikut nga vende të ndryshme, duke e kthyer Shkupin në një pikëtakim të rëndësishëm të skenës teatrore rajonale dhe ndërkombëtare. Ku kanë defiluar institucione të mëdha teatrore si dhe emra të njohur  evropjanë dhe botrorë nga arti interpretimit dhe regjisë. si dhe fushave tjera që bashkveprojnë me gjininë e teatrit.

Pasuria e këtij edicioni qëndron pikërisht në larminë e produksioneve dhe bashkëpunimeve, duke sjellë në një program të vetëm qasje të ndryshme artistike dhe përvoja të ndryshme teatrore.

Festivalin e drejton Muzbajdin Qamili – Muçi, ndërsa kryetar i Këshillit Artistik është Senko Velinov. Drejtor artistik është Osman Ahmeti, ndërsa në përbërje të ekipit janë Kushtrim Bekteshi dhe Betim Zeqiri. Koordinator është Xhaner Musiq, ndërsa dizajni është realizuar nga Eggra.

Edicioni i 20-të realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ujë Tepelena, Anda’s Kitchen, gazetës së përditshme KOHA, Televizionit Alsat-M dhe Radiotelevizionit të Maqedonisë.

Me përmbylljen më 17 tetor, SKUPI FESTIVAL do të shënojë dy dekada të një rrugëtimi të ndërtuar mbi teatrin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe komunikimin kulturor.