Edicionin e 20-të “Skupi Festival2 do ta hap premiera e shfaqjes “Unrecognized” që siç tha organizatori Osman Ahmeti do të jetë një shfaqje e madhe pasi janë të përfshirë trupa teatrore nga qyteti i Mallmos, Stokholmit, Kopenhagës, Kievitpor do të ketë edhe nga Kosova dhe Shqipëria. Ahmeti tha se kjo do të jetë shfaqje ndryshe duke theksuar se do të ketë dy dramaturg e regjisor të cilët janë të kërkuar në teatrot evropiane.
Ahmeti: Njerëzit që i kishin dërguar në Ministri për ta avancuar kulturën shqiptare, donin ta ndërprisnin festivalin
“Njerëzit që i kishin dërguar në Ministri për ta avancuar kulturën shqiptare, donin ta ndërprisnin festivalin”, kështu tha organizatori i festivalit “Skupi Festival” Osman Ahmeti dhe shtoi se kjo u arrit e më pas pati një kthesë deri te rikthimi. Ahmeti tha se janë rikthyer nga gjendja e komës.
Mucunski: Takim konstruktiv me Çamovën, por pa përparim! S’ka garanci nga Bullgaria se s’do të ketë bllokada nëse miratohen ndryshimet kushtetuese
Nuk ka garanci se, nëse Maqedonia e përmbush kërkesën për ndryshime kushtetuese, Bullgaria nuk do ta bllokojë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky është rezultati i takimit njëorësh mes ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, dhe homologes së tij bullgare, Velisllava Petrova Çamova, që u zhvillua në margjinat e takimit ndërkombëtar për Korridorin 8 në Sofje, kushtuar perspektivës evropiane të Maqedonisë. Mucunski, edhe pse takimin e quajti konstruktiv, megjithatë theksoi se nuk është arritur asnjë përparim dhe se edhe më tej kanë mbetur me qëndrime të kundërta.
“Qëndrimet tona janë absolutisht të qarta se interes strategjik edhe i Bullgarisë është që ne të ecim përpara në rrugën evropiane, por ne jemi një vend që ndër vite vazhdimisht ka pasur kërkesa bilaterale dhe sapo është mbyllur një kërkesë bilaterale, pastaj është hapur një e re. Pra, hy mosbesim ekziston, gjithashtu jemi fuqishëm të përcaktuar në qëndrimet se çështjet që lidhen me gjuhën, me identitetin, me historinë, me kulturën, nuk duhet ta rëndojnë rrugën tonë evropiane”, tha Mucunski.
Ministrja bullgare Petrova Çamova tha se ata e mbështesin perspektivën evropiane të Maqedonisë dhe se pret që të përmbushen detyrimet e marra në vitin 2022, ku parashikohen edhe ndryshimet kushtetuese.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është qartë i përshkruar përmes kritereve, në bazë të të cilave shtetet anëtare, sipas kushteve të pranuara në kornizën negociuese, marrin vendime. Asnjë shtet anëtar nuk mund t’i japë garanci asnjë shteti tjetër kandidat për vazhdimin e procesit. Por ajo që mund të japë është gatishmëria politike për t’iu përmbajtur detyrimeve të marra. Konsideroj se Bullgaria e ka treguar këtë gatishmëri dhe kjo është përcjellë qartë nga ana jonë. Kështu që, përmbushja e detyrimeve nga viti 2022 është rruga më e drejtpërdrejtë dhe e garantuar drejt perspektivës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Petrova-Çamova
Në pyetjen nëse në takim është hapur çështja e eshtrave mortore të Car Samoilit, Petrova Çamova tha se kjo nuk ka qenë temë e bisedës me Mucunski. Në takim është biseduar edhe për rastin e Iva Mihajllovës, e cila gjykohet për një aksident trafiku me pasoja vdekjeprurëse dhe e cila kërkon trajtim në Bullgari, me ç’rast është rënë dakord që persona mjekësorë nga Sofja të vijnë në vend për të kryer kontrolle.
Muaji rozë, një mijë raste të reja me kancer të gjirit! “Hema Onko”: Kërkohet terapi e sigurt dhe në kohë për pacientët
Rreth 1 mijë raste të reja me kancer të gjirit janë diagnostikuar vitin e kaluar në Maqedoni. Në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji, aktualisht janë rreth 7 mijë pacientë në trajtim aktiv. Nga Klinika thonë se gjatë vitit të kaluar janë futur terapi të reja, veçanërisht për pacientët me kancer të gjirit, ndërsa është rritur edhe numri i pacientëve që marrin trajtim specifik.
“Sa i përket statistikave institucionale, vitin e kaluar e përfunduam me 5.300 pacientë të rinj me lloje të ndryshme të kancerit. Në përgjithësi, numri po rritet, pra çdo vit kemi 200 deri në 300 pacientë të rinj më shumë. Ndërsa sa i përket prevalencës, pacientët që paraqiten të paktën një herë në Klinikë gjatë një viti kalendarik, bëhet fjalë për afro 20.000 pacientë në vit”, tha Igor Stojkovski.
Stojkovski tha se po punohet edhe për decentralizimin e shërbimeve. Një pjesë e shërbimeve tashmë ofrohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, ndërsa synohet që onkologë nga Shkupi të angazhohen edhe në Spitalin Klinik të Manastirit. Sa i përket decentralizimit, Ana Marjanoviq nga “Hema-Onko” tha se si shoqatë kanë insistuar që procesi të bëhet në mënyrë që, para së gjithash, pacientët të kenë terapi të sigurt dhe kushte për ta marrë atë rregullisht, në kohë dhe në një atmosferë të denjë.
“Qëllimi nuk është vetëm që terapia të merret, por të sigurojmë që çdo pacient që nuk do të jetë në Klinikën e Onkologjisë, ta marrë terapinë në mënyrë të sigurt. Nga njëra anë, ne si pacientë e dimë më së miri se sa i madh është presioni mbi Klinikën e Onkologjisë. Kjo është edhe për shkak të mungesës së personelit, të cilin po përpiqen ta kompensojnë, por edhe për shkak të numrit të madh të ekspertëve në trajtimin e sëmundjeve, veçanërisht të kancerit të gjirit”, tha Ana Marjanoviq.
Stojkovski u pyet edhe se si do ta zgjidhin problemin me ndërprerjet në furnizimin me terapi, për çka tha se mund t’i bëjnë një paralajmërim distributorëve, pasi, siç tha, distributori i di pasojat që shkaktohen nga vonesat në furnizimin e terapisë për pacientët.
S’ka prova për hyrje të paautorizuar në sistemin e presidencës! Prokuroria mbyll procedurën pas hetimeve
Prokuroria ka konstatuar se nuk ka prova për hyrje të paautorizuar në sistemin kompjuterik të Kabinetit të Presidentes së shtetit dhe për marrje të paautorizuar të të dhënave. Pas hetimeve paraprake, janë analizuar pajisje kompjuterike dhe të dhëna nga telefona celularë, ndërsa janë marrë edhe deklarata nga persona të njohur me rastin.
Sipas analizave të Sektorit për Krim Kompjuterik në MPB, nuk janë gjetur gjurmë digjitale për ndërhyrje të paautorizuar apo prova për regjistrim dhe marrje të të dhënave të klasifikuara. Janë konstatuar disa dobësi të sigurisë dhe administrimit të sistemit, por jo prova për kryerje të veprës penale. Për këtë arsye, prokurori ka vlerësuar se nuk ka bazë për vazhdimin e procedurës.
Endrick drejt largimit nga Real Madridi? Milani destinacioni i preferuar
Endrick mund të rikthehet në qendër të merkatos së dimrit, teksa e ardhmja e tij te Real Madridi mbetet e paqartë.
Sipas raportimeve të fundit nga Italia, sulmuesi brazilian e sheh Milanin si destinacionin e tij të preferuar në rast se vendos të largohet në formë huazimi gjatë merkatos së janarit.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Endrick i ka dhënë një sinjal pozitiv klubit kuqezi, duke e vendosur Milanin në krye të preferencave të tij nëse Real Madridi i jep dritën jeshile për një largim të përkohshëm.
20-vjeçari po has vështirësi për të gjetur hapësira në formacionin e Jose Mourinhos.
Deri tani këtë sezon, Endrick ka regjistruar vetëm katër minuta lojë, ndërsa konkurrenca e madhe në repartin ofensiv e ka bërë edhe më të vështirë për të fituar një rol të rëndësishëm në skuadër.
Milani kishte tentuar ta afronte brazilianin edhe gjatë merkatos së verës, por Real Madridi nuk pranoi ta largonte. Klubi spanjoll vazhdon ta konsiderojë Endrick një investim të rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk dëshiron ta shesë, ndërsa një huazim në janar mbetet një mundësi që mund të rishqyrtohet nëse situata e tij nuk ndryshon.
Në garë për shërbimet e sulmuesit janë edhe Roma dhe Aston Villa. Roma ka shfaqur interes të fortë, ndërsa Milani duket se ka marrë një avantazh të rëndësishëm në aspektin e preferencës së vetë lojtarit.
Në rast se marrëveshja realizohet, formula e diskutuar është një huazim gjashtëmujor, me Milanin që do t’i ofronte Endrick mundësinë për të luajtur rregullisht dhe për të rikthyer ritmin që kishte gjatë periudhës së huazimit te Lyon.
Megjithatë, për momentin nuk ka marrëveshje të mbyllur. Vendimi final i takon Real Madridit, ndërsa situata pritet të bëhet më e qartë gjatë javëve në vijim, në varësi të minutave që Endrick do të marrë në Madrid.
Konferencë ministrore për Korridorin 8 në Sofje! Mucunski: Do ta përshpejtojmë realizimin e korridorit me Bullgarinë dhe Shqipërinë
Korridori 8 prej kohësh i ka tejkaluar kufijtë e infrastrukturës tradicionale të transportit dhe sot ka rëndësi thelbësore evropiane, ekonomike dhe të sigurisë.
Kështu deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin 8, që po mbahet në Sofje, duke theksuar se ai duhet të përfundojë sa më shpejt.
“Korridori 8 përfaqëson një vizion strategjik që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, Bashkimin Evropian me Ballkanin Perëndimor, si dhe ekonomitë, shoqëritë dhe interesat e sigurisë së vendeve. E konfirmova vendosmërinë tonë për t’i përmbushur detyrimet tona dhe, së bashku me Bullgarinë, Shqipërinë dhe partnerët evropianë, ta përshpejtojmë realizimin e tij”, theksoi Mucunski.
Ndërkohë, në margjinat e konferencës u zhvillua edhe një takim i ministrit Mucunski me homologen e tij bullgare, Velislava Petrova Çamova.
Parashihet që Mucunski të takohet edhe me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Rebalanci i dytë i buxhetit, shkurtohen edhe të hyrat edhe shpenzimet me nga 86,2 milionë euro
Qeveria për herë të dytë këtë vit e rishikoi arkën e shtetit. Shkurtohen edhe të hyrat edhe shpenzimet në buxhet, me nga 86,2 milionë euro. Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, rebalanci i dytë nuk është rezultat i problemeve me likuiditetin e Buxhetit, por është harmonizim i projeksioneve buxhetore me kushtet e reja ekonomike deri në fund të vitit. Siç theksoi, ulja e akcizave për karburantet dhe ulja e TVSH-së për naftën nga 18 në 10 për qind kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë mbi buxhetin. Përveç të hyrave, shkurtohen edhe shpenzimet, por edhe paratë për projekte kapitale – më së shumti në Ministrinë e Mjedisit dhe për Energjetikë.
“Projekti i ulët lidhet me uljen te mallrat dhe shërbimet dhe subvencionet, si rezultat i shpenzimit të disiplinuar dhe më efikas, duke siguruar njëkohësisht mjete shtesë për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve dhe për shërbimet shëndetësore. I ulim shpenzimet aty ku realizimi është më i dobët ose aty ku nuk bëhet fjalë për prioritete më të larta. Por, nuk kursejmë në atë që është më e rëndësishme. Sigurojmë mjete shtesë për kategoritë sociale të cenueshme dhe shërbimet shëndetësore. Te shpenzimet kapitale bëjmë korrigjim prej rreth 5,7 miliardë denarësh, para së gjithash për shkak të prolongimit të dinamikës së realizimit të projekteve të caktuara kapitale”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Koçoska konfirmoi se para dy ditësh vendi është huazuar jashtë vendit me një mini-euroobligacion prej 150 milionë eurosh me kamatë prej 5,25%. Tha se kjo është në kuadër të huamarrjes së paraparë për këtë vit. Tha se, edhe pse në Qeveri ka kaluar vendim për huamarrje prej 250 milionë eurosh, megjithatë shuma është më e vogël për shkak të kamatave të larta në tregje. Paralajmëroi edhe se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë huamarrje të re për kthimin e euroobligacionit të vjetër prej 500 milionë eurosh.
“Si mendojnë t’i shërbejmë 500 milionë euro në mars. Ja, nëse kanë ndonjë shkop magjik dhe dinë diçka, le të vijnë, le të thonë. Ja, i ftoj të vijnë, le të thonë, le të më japin një propozim. Si mendoni që për tre muaj të grumbulloni ju para në buxhet, të paguani paga, pensione dhe të shërbeni borxhe, ndërkohë që po them 500 milionë euro vetëm në bazë të principalit të euroobligacionit, po ku janë kamatat, ku janë kamatat e kredive të tjera, kështu që atë pjesë unë fare nuk e komentoj. Normalisht që duhet të ketë huamarrje, sepse ne jemi qeveri e përgjegjshme”, deklaroi Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Me rebalancin e dytë, deficiti buxhetor mbetet në projeksionin e mëparshëm prej 4,1 për qind të BPV-së. Mbetet edhe projeksioni për rritjen e BPV-së prej 3,5 për qind dhe inflacioni prej 3,5%. Koçoska tha se gjendja globale është shumë e pasigurt dhe paralajmëroi se në fund të vitit do të ketë rishpërndarje të reja nga arka e shtetit.
Granit Xhaka dënohet për falsifikim të certifikatës për koronavirus
Vendimi është dhënë. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, njoftoi publikisht dënimin për falsifikim të certifikatës për COVID-19. 34-vjeçari mori një gjobë me kusht.
Xhaka e bëri të ditur rezultatin e procedurës penale kundër tij në Instagram të enjten. Ai u dënua me urdhër ndëshkues për mashtrim me një gjobë me kusht prej 50 tarifash ditore prej 3,000 franga. Periudha e provës është dy vjet dhe Xhaka nuk do të duhet të paguajë gjobën. Ai tashmë i ka paguar shpenzimet gjyqësore.
“Pas dhënies së deklaratës sime të plotë në zyrën e prokurorit publik, vendimi është lëshuar. Kjo do të thotë: Dënimi nuk do të zbatohet nëse nuk kryej ndonjë vepër penale të mëtejshme gjatë kësaj periudhe. Kam paguar shpenzimet gjyqësore”, ka shkruar Xhaka në Instagram.
Xhaka pranoi se kishte falsifikuar dy certifikata vaksinimi gjatë pandemisë së koronavirusit. Kjo ndodhi pasi “Blick” kishte bërë publike një hetim përkatës nga zyra e prokurorit publik të Luzernit.

Vrasje, rrëmbime e granata dore! Goditet rrjeti i narkotikëve me anëtarë nga Ballkani Perëndimor
Rreth 50 të dyshuar janë arrestuar në një aksion policor ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, anëtarët e të cilit janë të lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi të enjten Agjencia Evropiane e Policisë, Europol.
Europol-i tha se të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasje, rrëmbime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme me granata dore në gjithë Evropën.
Aksioni kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë, ndërsa arrestimet u kryen në bashkërendim me një qendër operative në Lubjanë dhe me mbështetjen e Europol-it.
Mes të dyshuarve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe të Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës.
Në hetim morën pjesë shërbimet policore dhe gjyqësore nga 22 shtete.
Numri më i madh i të dyshuarve u arrestua në Slloveni, gjithsej 34, bëri të ditur Europol-i, ndërsa nga një person u arrestua në Spanjë dhe Kroaci.
Edhe 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët, gjatë një hetimi disavjeçar.
Gjatë ditës së fundit të aksionit, policia sekuestroi 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, stoli dhe para të gatshme, thuhet në njoftim.

Hetimi zbuloi se grupi kriminal fshihte sasi të mëdha narkotikësh në ngarkesa komerciale të mallrave, duke përdorur rrugët e ligjshme të transportit si mbulesë për kontrabandën.
Sipas Europol-it, anëtarët e rrjetit angazhonin kryesisht shoferë nga Sllovenia, Bosnje e Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët me kamionë, furgonë dhe automjete bartnin drogën së bashku me mallra të ligjshme.
Për komunikim dhe koordinim, ata përdornin platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom.
Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane. Transporti i ligjshëm i mallrave njëkohësisht sillte fitime shtesë dhe ulte kostot e kontrabandës.
Humbja e drogës çonin në dhunë
Sipas rezultateve të hetimit, EUROPOL-i thekson se dërgesat e drogës të sekuestruara ose mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit shpesh përfundonin me përleshje të dhunshme.
Hetuesit e lidhin grupin me disa të shtëna me armë zjarri, vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e një anëtari të organizatës.
Në sulme u përdorën mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, ndërsa objektiva ishin anëtarët e rrjetit kriminal dhe familjarët e tyre.
Autoritetet thonë se dhuna përdorej për të rikuperuar humbjet, për të ndëshkuar përgjegjësit për dërgesat e dështuara dhe për të ruajtur kontrollin brenda organizatës. Gjatë hetimit u zbulua edhe një tentativë vrasjeje në Spanjë.
Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.
U sekuestruan gjithashtu 550 litra anhidrid acetik, një kimikat që përdoret në prodhimin e drogës, armë automatike me silenciator, municion dhe disa pistoleta.
Megjithatë, Europol-i thotë se sasitë e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të aktiviteteve të përgjithshme kriminale.
Përmes analizimit të komunikimeve në SKY ECC dhe provave të tjera, hetuesit kanë rindërtuar transporte dhe transaksione të tjera të lidhura me të dyshuarit.
Për këtë arsye, pritet që të dyshuarit të ndiqen penalisht për trafikimin e 2.5 tonëve të tjerë kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, nga një kilogram ketaminë dhe hashash, 18.000 tabletave ekstazi dhe 1.000 njësive kërpudhash psikoaktive.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu 45 litra vaj të destinuar për prodhimin e amfetaminës.
Në njoftim thuhet gjithashtu se Europol-i gjatë hetimit u ofroi policive kombëtare mbështetje analitike dhe operacionale, ndërsa në ditën e aksionit një ekspert i kësaj agjencie dhe një hetues kroat punuan nga qendra e koordinimit në Lubjanë.
Nga kjo qendër u koordinuan në kohë reale arrestimet dhe aktivitetet e hetuesve në territorin e disa shteteve.





