Kushner reagon për projektin në Zvërnec: Nëse miratohet, shqiptarët do jenë krenarë

0

Biznesmeni Jared Kushner ka reaguar në faqen e tij zyrtare ndaj disa artikujve të publikuar në mediet amerikane lidhur me projektin e investimit në Zvërnec.

Kushner hedh poshtë pretendimet e pavërteta se toka është dhënë nga qeveria shqiptare, duke sqaruar se ajo është blerë përmes një transaksioni privat sipas legjislacionit në fuqi, në shumën 230 milionë euro.

“Sugjerimi se ky projekt u çua përpara për të fituar simpatinë e presidentit Trump e paraqet gjithashtu gabim rendin kronologjik të ngjarjeve. Siç vëren edhe vetë artikulli, interesi ynë nisi në verën e vitit 2021, kur unë isha një qytetar privat, shumë kohë përpara se presidenti Trump të shpallte fushatën e tij presidenciale për vitin 2024”, shprehet Kushner në reagimin e tij.

Ai sqaron se si personalisht është i angazhuar për të krijuar diçka të veçantë për zonën, duke theksuar se zhvillimi do të jetë sipas standardeve më të larta duke e lënë këtë pjesë të mrekullueshme të Shqipërisë më të gjelbër dhe me më shumë biodiversitet.

Kushner deklaron se nëse ky investim realizohet, mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro, duke krijuar vende pune, aktivitet ekonomik dhe mundësi të reja zhvillimi.

Reagimi i plotë i Jared Kushner:

https://jaredkushner.com/posts/new-yorker-response/#section-9

Grabitet kantina e famshme në Itali, zhduken 30 mijë shishe verë me vlerë 5 milionë euro!

0

Rreth 30 mijë shishe verë të cilësisë së lartë, me një vlerë të përllogaritur prej 5 milionë eurosh, janë grabitur në kantinën e kompanisë së njohur italiane “Marchesi Antinori”, në Cortona, në provincën e Arezzos, në Toskanë.

Sipas mediave italiane, grabitja konsiderohet si një nga më të mëdhatë e këtij lloji në Itali. Mes shisheve të vjedhura janë verërat e njohura Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të gjitha të prodhimit të vitit 2023. Mes tyre, rreth 10 mijë shishe i përkasin markës Solaia.

Grabitja dyshohet se është kryer natën e së dielës, më 4 tetor, nga një grup prej të paktën shtatë personash. Autorët kanë çaktivizuar sistemin e alarmit dhe kanë nxjerrë jashtë funksionit kamerat e sigurisë, përpara se të hynin në kantinë me dy kamionë.

Për të ngarkuar shishet, ata kanë përdorur edhe mjetet ngritëse të kompanisë. Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit konstatuan mungesën e ngarkesës.

Administratori i përgjithshëm i kompanisë, Renzo Cotarella, deklaroi se bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar, duke mos përjashtuar mundësinë që të njëjtët persona të jenë përfshirë edhe në grabitje të tjera të kantinave italiane gjatë muajve të fundit. 

Sipas kompanisë, vlera e lartë e verërave dhe prodhimi i kufizuar i disa etiketave mund ta bëjnë të vështirë shitjen e tyre pa ngjallur dyshime.

“Marchesi Antinori” po informon klientët në mbarë botën për vjedhjen dhe u bën thirrje të tregojnë kujdes ndaj ofertave jashtë kanaleve zyrtare të shitjes, pasi shishet mund të jenë pjesë e mallit të grabitur. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë ngjarjen për identifikimin e autorëve dhe gjurmimin e verërave të vjedhura. 

Së shpejti marrëveshje për linjën ajrore Shkup-Podgoricë

0

Maqedonia dhe Mali i Zi do të lidhen me një linjë ajrore, me fluturim të drejtpërdrejtë nga Shkupi në Podgoricë dhe anasjelltas. Këtë e paralajmëroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Siç tha ai, në takimin me krerët shtetërorë të Malit të Zi është diskutuar për këtë çështje dhe së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje. Siç deklaroi Nikolloski, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të nënkuptojë hapjen e Maqedonisë drejt portit të tretë, atij në Tivar, ndërsa aktualisht po ndërtohet lidhja me autostradë dhe hekurudhë me portin në Durrës. Nikolloski në Podgoricë ka zhvilluar takime me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane dhe të Jashtme, Filip Ivanoviq, si dhe me ministrin e Transportit, Radosh Zeçeviq.

“Folëm edhe për lidhjen ajrore dhe pres që brenda një kohe shumë të shkurtër të nënshkruhet një marrëveshje, e cila do të nënkuptojë fluturim të drejtpërdrejtë mes Shkupit dhe Podgoricës, me çka do të kemi edhe një kryeqytet tjetër me të cilin jemi të lidhur. Kjo do të ndihmojë shumë në zhvillimin e turizmit, por gjithashtu edhe në zhvillimin e biznesit dhe lidhjen mes dy shteteve. Aeroportet si në Shkup, ashtu edhe në Podgoricë, janë në rritje dhe kjo është një mënyrë e mirë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të mundësuar vazhdimin e rritjes së të dy aeroporteve”, tha Nikolloski.

Nga e hëna, sistemi “Safe City” nis në rajonin e Ohrit

0

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nga e hëna, 12 tetor 2026, sistemi për mbikëqyrjen e trafikut “Qytet i Sigurt” do të vihet në funksion edhe në zonën e SPB Ohër.

Pas përfundimit të kontrolleve teknike dhe testimeve, kamerat e sistemit do të aktivizohen në rrugët e kësaj zone.

Sipas MPB-së, sistemi synon të mundësojë kontroll më të vazhdueshëm të trafikut, evidentim në kohë të shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

MPB u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat dhe sinjalistikën rrugore.

Shefi i AKI-së pritet nga Presidentja Shiroka-Pula, e njofton për “gjendjen e sigurisë kombëtare”

0

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Gjatë takimit, Ajeti e ka uruar Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, Ajeti e ka informuar presidenten për situatën aktuale të sigurisë kombëtare.
Po ashtu, në takim është diskutuar për koordinimin ndërmjet institucioneve të sigurisë, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Presidenca nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me çështjet konkrete të sigurisë që janë diskutuar gjatë takimit.

Gjorgjievski: Kanë mbërritur 3.300 kontejnerë të rinj për Shkupin, nis shpërndarja nëpër qytet!

0

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se ka mbërritur dërgesa e parë e 3.300 kontejnerëve të rinj, ndërsa shpërndarja e tyre nëpër qytet ka nisur sot, përcjell TV21. Sipas Gjorgjievskit, kjo është blerja më e madhe e kontejnerëve në historinë e Shkupit. Ai bëri të ditur se janë siguruar edhe 60 kontejnerë për selektimin e qelqit, ndërsa javën e ardhshme pritet të vihen në përdorim edhe kamionët e rinj për grumbullimin e mbeturinave. Gjorgjievski theksoi se kontejnerët e rinj do të zëvendësojnë ata të dëmtuar dhe do të rrisin mundësitë për hedhjen e mbeturinave. Ai gjithashtu deklaroi se janë blerë me çmim rreth dy herë më të ulët, krahasuar me 18.600 denarët që, sipas tij, paguanin paraardhësit për të njëjtët kontejnerë.

Nobeli për Paqe i ndahet gjyqtares afrikanojugore Navi Pillay

0

Çmimi Nobel për Paqe për vitin 2026 iu nda të premten gjyqtares nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, e cila drejtoi gjykatën për gjenocidin në Ruandë dhe vitin e kaluar kryesoi një komision të OKB-së që akuzoi Izraelin për gjenocid në Gazë.

Pillay, e cila aktualisht është gjyqtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në një çështje ku edhe Mianmari akuzohet për gjenocid, ka qenë “vendimtare për të siguruar që krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të ndiqen penalisht”, tha Jorgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, në Oslo.

Pillay drejtoi Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së, i cili nuk flet në emër të organizatës botërore dhe që vitin e kaluar arriti në përfundimin se në Gazë po kryhej gjenocid.

Në atë kohë, Pillay i tha agjencisë AFP se ekipi i saj kishte ndarë me prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare “mijëra pjesë informacioni”.

OKB-ja tha se çmimi për Pillayn ishte dëshmi e “vlerës” së të drejtave të njeriut.

Juria e Nobelit tha se po e nderonte atë në një kohë kur “sistemi i së drejtës ndërkombëtare është nën presion të jashtëzakonshëm dhe institucionet e tij janë nën sulm”.

“Në një kohë sfidash ekzistenciale, përfshirë më shumë luftëra dhe konflikte se sa ka parë bota prej shumë kohësh, e drejta ndërkombëtare nuk është më thjesht një plotësim i paqes dhe sigurisë. Ajo është një domosdoshmëri absolute”, tha Frydnes.

“Përkushtimi i Navi Pillayt ndaj parimeve universale ligjore dhe busulla e saj e fortë morale kanë qenë të pandryshueshme gjatë një karriere të gjatë”, thuhet në deklaratën e komitetit.

Çmimi, një nga vlerësimet më të larta diplomatike dhe humanitare, pritet të shkaktojë pakënaqësi te presidenti amerikan Donald Trump, administrata e të cilit ka sulmuar vazhdimisht institucionet e drejtësisë ndërkombëtare.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, Trump nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të fituar çmimin.

“Nëse duartrokisni pak më shumë, mund ta ndaj këtë çmim me Trumpin”, tha Pillay, mes duartrokitjeve në këmbë, në një moment të filmuar nga sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard, në Nuremberg dhe të publikuar në rrjetin social X.

Vitin e kaluar, çmimi iu dha udhëheqëses së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, e cila më pas ia dhuroi Trumpit medaljen e artë të Nobelit.

Çmimi përfshin një medalje ari, një diplomë dhe një shumë prej 1.2 milionë dollarësh.

Çmimi do të dorëzohet në një ceremoni zyrtare në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes, në vitin 1896, të krijuesit të çmimeve, shpikësit dhe filantropit suedez Alfred Nobel.

Çmimi Nobel për Paqe është i vetmi çmim Nobel që jepet në Oslo, ndërsa çmimet në kategoritë e tjera shpallen në Stokholm.

Të enjten, Çmimi Nobel për Letërsinë iu dha poetes kanadeze Anne Carson, për risjelljen e miteve dhe antikitetit grek në forma moderne, të cilat kanë frymëzuar mënyra të reja të të shkruarit.

Sezoni i Çmimeve Nobel për vitin 2026 përfundon të hënën me shpalljen e çmimit në ekonomi.

Pretendimet për dhunë policore, BDI dhe LSH kërkojnë dorëheqjen e ministrit dhe zv/ministrit! Iseni: Nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi! MPB: Kontrolli i Brendshëm po heton rastin

0

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për rastin e dy të rinjve, 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë dhunuar nga policia. BDI kërkon zbardhjen e plotë të rastit, përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

“BDI kërkon dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.

Edhe nga Lidhja Shqiptare dënojnë pretendimet për dhunë policore ndaj dy të rinjve shqiptarë në Shkup dhe kërkon hetim penal për rastin.Nga kjo parti kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

“I bëjmë thirje poashtu misionit të OSBE-së, Komitetit të Helsinkut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që të evidentojë dhe raportojë dhunën kriminalo-policore ndaj të rinjëve shqiptare të cilëve u janë cënuar edhe të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën e jetës dhe shëndetit”, thonë nga LSH.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, njoftoi se Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe se, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi.

“Pretendimet për dhunë policore ndaj dy qytetarëve më 7 tetor në Shkup duhet të zbardhen plotësisht. Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi. Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i qartë: uniforma është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i shërbyer ligjit. Çdo keqpërdorim i autoritetit cenon besimin dhe dinjitetin e institucionit. Përkushtimi ynë është një polici që vepron me profesionalizëm dhe jep llogari. Transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për besimin në polici. Qytetarët do të njoftohet në kohë për rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren”, shkruan Iseni.

Për rastin kanë reaguar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.MPB-ja njofton se po hetohen rrethanat e rastit dhe përgjegjësia e mundshme e policëve të përfshirë.

“Pas publikimeve në një pjesë të mediave se më 7 tetor 2026, në territorin e Shkupit, dy persona janë sulmuar fizikisht nga zyrtarë policorë gjatë veprimit të tyre, me ç’rast, sipas pretendimeve të tyre, u është dëmtuar edhe vetura, ministri i Punëve të Brendshme ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale që ta hetojë rastin. Departamenti po ndërmerr masa dhe aktivitete për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve policorë të përfshirë. Pas konstatimit të gjendjes faktike, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa publiku do të informohet me kohë”, thonë nga MPB.

Edhe një rast i bllokimit të trafikut për t’u hapur rrugë krushqve, reagon Policia e Shkupit

0

Një automjet që duke ndërprerë qarkullimin, me shumë gjasa për shkak të një dasme, që t’ua mundësojë krushqive që të kalojnë më lehtë, u bë objekt diskutimi në rrjetet sociale. Pas publikimit të rastit, policia ka identifikuar personin përgjegjës dhe ka ndërmarrë masa ndaj tij.

Bëhet fjalë për një automjet të tipit “Ford”, me targa të Shkupit, i cili më 7 tetor kishte penguar qarkullimin normal të trafikut në kryqëzimin e rrugës “Vasil Vojvoda Çakalarov” në Shkup.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup njoftojnë se pronari i automjetit, me inicialet Sh.A., është thirrur në polici, ndërsa ndaj tij janë ndërmarrë masa në përputhje me ligjin.

“Sot (08.10.2026), në SPB Shkup është thirrur personi Sh.A., pronar i një automjeti të udhëtarëve të tipit ‘Ford’, me targa të Shkupit, për shkak të një ngjarjeje të ndodhur më 07.10.2026, kur me automjetin në fjalë ka penguar zhvillimin normal të trafikut në kryqëzimin e rrugës ‘Vasil Vojvoda Çakalarov’ në Shkup. Ngjarja u publikua edhe në rrjetet sociale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se ky është rasti i dytë ku Policia reagon në ndërprerje të qarkullimit në trafik për shkak të dasmave.

Në lidhje me: Bllokoi qarkullimin në qendër të Shkupit për t’u hapur rrugë krushqve, policia e sanksionon

Nëna e Ronaldos e thyer emocionalisht: Djali im nuk e meritonte këtë fund

0

Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas largimit të bujshëm të djalit të saj nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë. Ajo ka pranuar se ka qarë pas ngjarjes, duke e cilësuar situatën si një tronditje dhe duke kritikuar mënyrën se si po vlerësohet legjenda e futbollit portugez.

Në një intervistë për revistën portugeze TV 7 Dias, Dolores tregoi se ishte e trishtuar nga mënyra se si përfundoi kjo situatë, duke theksuar se djali i saj meritonte një largim ndryshe nga kombëtarja.

“Jam e trishtuar, është normale. Ishte një tronditje. Djali im mund të ishte larguar nga dera kryesore, por në vend të kësaj u largua nga dera e vogël. Kam qarë. Ndonjëherë është mirë edhe të shfryhesh”, u shpreh ajo.

Dolores zbuloi gjithashtu se i kishte kërkuar të birit të ruante qetësinë përpara se ai të merrte vendimin për t’u larguar nga grumbullimi i Portugalisë. Sipas saj, Ronaldo i kishte thënë se do ta tregonte të vërtetën kur të gjithë të ishin së bashku.

Ajo shtoi se Ronaldo ka dhënë shumë për vendin e tij dhe se nuk po merr vlerësimin që meriton.

“Ai ka qenë gjithmonë heroi i Portugalisë. Nuk po e vlerësojnë ashtu siç duhet. Ata nuk i japin Cristiano-s vlerën që meriton”, deklaroi nëna e yllit portugez.

Kujtojmë se largimi i Ronaldos nga grumbullimi erdhi pas tensioneve me trajnerin Jorge Jesus, pasi sulmuesi nuk u aktivizua në ndeshjen ndaj Norvegjisë dhe mësoi se nuk do të ishte titullar ndaj Danimarkës. Ronaldo më pas publikoi një deklaratë ku shpjegoi versionin e tij për konfliktin dhe pranoi se veprimi i tij mund të kishte pasoja disiplinore.

Megjithatë, largimi nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e aventurës së tij me Portugalinë. Jorge Jesus dhe drejtuesit e Federatës Portugeze kanë lënë të hapur mundësinë e rikthimit të kapitenit, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në duart e vetë Ronaldos.

Për Dolores Aveiro, pavarësisht kësaj situate të vështirë, kontributi i djalit të saj për futbollin portugez mbetet i jashtëzakonshëm.