Sot skadon afati për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, vendi rrezikon zgjedhje të reja

0

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa mungesa e konsensusit politik e ka lënë vendin përballë mundësisë së zgjedhjeve të reja. Në orët e mbrëmjes së djeshme, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është takuar me kryeministrin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Megjithatë, sipas raportimeve të gazetares Albina Haliti nga Kosova, PDK ka vendosur si kusht për dhënien e 22 votave të saj miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

PDK,  sipas saj, kërkon që fillimisht të përfundojë procedura për ndryshimin e këtij ligji dhe më pas të votohet për Presidentin. Sipas Rregullores së Kuvendit, ndërmjet dy leximeve të një projektligji duhet të kalojnë 72 orë, çka e komplikon përfundimin e procedurës brenda afatit kushtetues.

“Pritet të thirret një seancë për shkak të skadencës së ushtruesit të detyrës së presidencës dhe më pas të zgjidhet një president i ri. PDK ka si kusht elementar 22 vota për votim, në mënyrë të kalkulohet dhe procedohet në Kuvend edhe me projektligjet e tjera në Kuvend, sikurse ai për Gjykatën Speciale. Nëse nuk do të kemi president sot, do të shkojmë në zgjedhje.

Në Kuvendin e Kosovës mund të bëhen tejkalime, shmangie nga Rregullorja. Mund të vazhdonte edhe dje leximi i dytë i projektligjit për Specialen dhe të mos pritej si 72 orë, sikurse thotë edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, për ligje të kësaj rëndësie, sikurse ky. Edhe më herët Kuvendi ka bërë shmangie të Rregullores edhe për ligje që nuk kanë pasur rëndësinë sikurse ky.

PDK është e vendosur që 22 votat e saj të mos i japë në asnjë formë, nëse nuk kalon ky ligj. Në orët e vona të mbrëmjes u takua Bedri Hamza, kreu i PDK-së, me kreun e LVV-së, Albin Kurtin, për të tentuar gjetjen e një marrëveshjeje politike, duke marrë parasysh që sot jemi në ditën e fundit të skadimit. Sipas Gjykatës Kushtetuese, nëse sot, deri në mesnatë, nuk kemi president, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe nuk ka efekt as Qeveria, as Kuvendi”, tha gazetarja për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri-Aktualitet”.

Në Kuvend pritet të zhvillohen përpjekje për të gjetur një zgjidhje procedurale dhe politike, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të arrihet marrëveshje gjatë ditës. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon sot, më 6 tetor. Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare. Zgjedhjet, sipas përcaktimit kushtetues, duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.

Maqedonia përballë Zvicrës, sonte ndeshja në Lucern

0


Kombëtarja e Maqedonisë sonte e pret një tjetër përballje me Zvicrën, dhjetë ditë pas ndeshjes në Shkup. Ky do të jetë takimi i xhiros së katërt në Ligën e Kombeve, grupi B, përcjell TV21. Vendasit janë favoritë absolutë. Zvicra i ka fituar të tri ndeshjet që nga fillimi i ciklit, ndërsa Maqedonia i ka humbur të gjitha, pa shënuar asnjë gol.

Në Shkup, në xhiron e parë, Zvicra fitoi 3:0. Trajneri Goce Sedlloski pret paraqitje më të mirë krahasuar me duelin e parë mes dy skuadrave.

“E dimë se çfarë përfaqësuese është Zvicra dhe me çfarë lojtarësh disponon. Duhet t’i tejkalojmë gabimet nga ndeshja e parë. Në fushë do të dalim për të dëshmuar se dimë t’i eliminojmë problemet që i patëm, me lojë kolektive dhe duke luftuar njëri për tjetrin. Zvicra është një superfuqi, por ne nuk kemi ardhur këtu vetëm për të luajtur një ndeshje, por për të bërë diçka. Duam një ndeshje të mirë dhe të gëzohemi pas humbjeve që patëm”, deklaroi Sedlloski në konferencën zyrtare për media para ndeshjes.

Ndeshja do të zhvillohet në “Thermoplan Arena” në Lucern, me fillim nga ora 20:45.

Trump: Do t’u jap 5 mijë dollarë të gjithë qytetarëve të rritur të SHBA-së nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit

0

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se do t’i japë 5 mijë dollarë çdo qytetari të rritur të SHBA-së, nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse republikanët fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026, do t’i jap 5 mijë dollarë çdo qytetari të rritur të SHBA-së”, tha Trump në një postim në rrjetin social Truth Social, duke shtuar se mezi pret t’i nënshkruajë këta çeqe.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar vazhdimisht ndihmën prej 5 mijë dollarësh, ndërsa të shtunën deklaroi se administrata e tij do të nisë të dërgojë çeqe prej afro 100 dollarësh për më shumë se 20 milionë pensionistë, për t’i ndihmuar të paguajnë për programin federal të sigurimit shëndetësor në SHBA, i cili paguhet çdo muaj për të mbajtur aktiv sigurimin shëndetësor.

Përplasje gjatë protestës në Prishtinë, 12 të lënduar

0

Protesta në Prishtinë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, ndërsa autoritetet kanë raportuar për lëndime në të dyja palët.

Sipas Policisë së Kosovës, gjashtë efektivë kanë pësuar lëndime të ndryshme gjatë ndërhyrjeve në terren. Ndërkohë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 protestues.

Policia ka njoftuar gjithashtu se tre persona janë shoqëruar në komisariat për shkak të veprimeve gjatë protestës. Situata është tensionuar gjatë orëve të mbrëmjes, kur, sipas Policisë, një pjesë e protestuesve kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe sende të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Policia ka deklaruar se, pavarësisht thirrjeve për qetësi dhe zhvillim paqësor të protestës, hedhja e vazhdueshme e sendeve dhe bllokimi i lëvizjes e kanë detyruar të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Gjatë ndërhyrjes janë përdorur gaz lotsjellës dhe topi i ujit për shpërndarjen e turmës. Sipas Policisë, këto masa janë ndërmarrë edhe për të mundësuar largimin e personaliteteve nga hapësirat e Kuvendit.

Për shkak të situatës së krijuar, në periudha të ndryshme është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në disa prej rrugëve përreth qendrës së Prishtinës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Policia ka raportuar gjithashtu për dëme materiale të shkaktuara gjatë protestës. Sipas saj, përveç hedhjes së sendeve dhe mjeteve piroteknike drejt institucioneve, në disa raste janë djegur kontejnerë të mbeturinave dhe janë ndezur zjarre në rrugë.

-4°C, temperatura më e ulët e matur mëngjesin e sotëm në Maqedoninë e Veriut

0

Në Berovë mëngjesin e sotëm janë matur -4 gradë Celsius, në Manastir 0, një gradë në Demir Kapi dhe Strumicë, tre në Tetovë dhe Veles, katër në Kriva Pallankë, Kumanovë, Shtip, Prilep, Kavadar dhe Gjevgjeli, ndërsa gjashtë gradë janë matur në Shkup dhe nëntë në Krushevë, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Sot moti do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë, me vranësira të pakta lokale. Do të fryjë erë e dobët nga drejtimi jugor. Temperatura maksimale do të lëvizë nga 22 deri në 29 gradë Celsius.

Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe relativisht i ngrohtë, me erë të dobët nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 27 gradë Celsius.

Nga Inter te Kombëtarja shqiptare, trajneri Maran bën ftesën surprizuese

0

Një lëvizje e papritur ka ardhur në portën e Kombëtares shqiptare para sfidës me San Marinon.

Alain Taho, portieri 19-vjeçar që është pjesë e akademisë së Interit dhe ka qenë disa herë në pankinën e ekipit të parë zikaltër, do t’i bashkohet Kombëtares A për ndeshjen e së martës në mbrëmje.

Taho ishte pjesë e grumbullimit të Shqipërisë U-21 dhe këtë të hënë luajti në sfidën ndaj Ukrainës. Megjithatë, situata ka ndryshuar pas problemeve me portierët e Kombëtares A. Etrit Berisha mungon për shkak të pezullimit, ndërsa Alen Sherri është dëmtuar, duke bërë që stafi teknik të kërkojë një tjetër alternativë për portën.

Në këto kushte, FSHF ka zgjedhur Tahon, një emër që deri tani nuk ishte në qendër të vëmendjes për ekipin e parë. Portieri i ri do të vihet në dispozicion të trajnerit Rolando Maran, sapo të mbërrijë në Shqipëri.

Taho është një nga portierët e rinj shqiptarë që po zhvillohet në një prej akademive më të njohura të futbollit italian. Përveç eksperiencës me moshat e Interit, fakti që ka qenë i grumbulluar me ekipin e parë zikaltër i jep një tjetër dimension kësaj thirrjeje.

Akullnajat zvicerane kanë humbur mbi 5% të vëllimit në vitin 2026

0

Akullnajat në Zvicër, vendi që ka numrin më të madh të akullnajave në Alpe, kanë humbur 5.5% të vëllimit të tyre të akullit këtë vit, rënia e dytë më e madhe në përqindje e regjistruar ndonjëherë, për shkak të valëve të të nxehtit dhe reshjeve të pakta të dëborës gjatë dimrit, raportojnë ekspertët.

“Akullnajat alpine nuk kanë asnjë mundësi të mbijetojnë në planin afatgjatë në kushte të tilla”, kanë thënë në një deklaratë të publikuar të enjten shërbimi zviceran për monitorimin e akullnajave GLAMOS dhe Akademia Zvicerane e Shkencave.

Trendi është përkeqësuar vitet e fundit. Vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit, vëllimi i akullit në Zvicër është zvogëluar me gati një të pestën, thonë ekspertët.

Raporti dëshmon shqetësimet e fundit se ngrohja globale po shkakton pasoja të rënda në Evropë, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë.

“Faktori kryesor për humbjet e mëdha janë temperaturat e larta gjatë verës. Kemi pasur valë të vazhdueshme të të nxehtit, praktikisht nga fundi i majit deri në fund të shtatorit. Pa ndërprerje. Dhe kjo ka çuar në shkrirje të konsiderueshme. Por, përveç kësaj, kemi pasur edhe një dimër shumë të thatë me pak borë, ndaj mbrojtja e akullnajave ka qenë e kufizuar”, ka thënë Mathias Huss – dejtues i “Glamos”.

Tërheqja rekord e akullit të akullnajave në Zvicër u regjistrua në vitin 2022, kur temperaturat e larta të verës, reshjet e pakta të dëborës gjatë dimrit, dhe një sasi e pazakontë pluhuri të kuqërremtë të arritur nga Sahara, errësuan akullnajat dhe bënë që ato të përthithnin më shumë nxehtësi.

Huss ka vënë në dukje gjithashtu se, megjithëse shumica e akullnajave nuk janë të gjalla, do të duhet të pritet deri në fund të shekullit që ato të zhduken të gjitha.

“Këto akullnaja nuk janë më ‘të gjalla’, ato janë në proces shuarjeje dhe, rrjedhimisht, do të zhduken në planin afatgjatë”, ka thënë Mathias Huss – dejtues i “Glamos”.

Në Zvicër, në terma absolutë, vëllimi i humbur ka qenë më i vogël se në vitin 2003, por rënia në përqindje këtë vit është më e madhe. 

Shkrirja e përshpejtuar e akullit ka pasur ndikim në Zvicër. Humbja e 2.2 trilionë litrave ujë, nga korriku deri në shtator është e barabartë me katërfishin e konsumit vjetor të ujit në vendin me rreth 9.1 milionë banorë. Më shumë se gjysma e energjisë elektrike në Zvicër prodhohet nga hidrocentralet.

“Ngrohja që po përjetojmë aktualisht mund t’i atribuohet 100% ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Është kaq e thjeshtë. Pa emetimet njerëzore apo lëndët djegëse fosile, nuk do të kishim asnjë ngrohje në këtë moment. Pra, ne mund t’ua atribuojmë qartazi këtë humbje të akullnajave, si dhe valët e të nxehtit e kushtet e thatësirës, ​​veprimeve njerëzore”, ka thënë Mathias Huss – dejtues i “Glamos”.

Por ndikimi i shkrirjes së përshpejtuar të akullnajave shkon shumë përtej Zvicrës. 

Zvicra konsiderohet “kulla e ujit” e Evropës dhe ushqen disa prej lumenjve më të rëndësishëm të kontinentit: Danubin, Po-n, Renin dhe Ronën.

Qytetarët për gjashtë muaj kanë lënë 1.6 miliardë euro në kazino, bastore dhe aparate elektronike, thonë nga DAP

0

Pavarësisht fillimit të zbatimit të afateve për zhvendosjen e kazinove, sallave me aparate elektronike dhe bastoreve, interesi për lojërat e fatit nuk tregon shenja të rënies.

Të dhënat nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti, qytetarët e Maqedonisë dhe shtetasit e huaj kanë shpenzuar gjithsej rreth 1.6 miliardë euro në lojëra fati.

Pjesa më e madhe e kësaj shume është shpenzuar përmes aparateve elektronike të lojërave të fatit, ndërsa kazinotë dhe bastoret vazhdojnë të zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut.

Këto shifra tregojnë se sektori i lojërave të fatit vazhdon të ketë një vëllim të jashtëzakonshëm financiar, pavarësisht masave të reja me të cilat kufizohet afërsia e objekteve të lojërave të fatit me shkollat dhe institucionet e tjera arsimore.

Organizatorët e lojërave të fatit, nga ana tjetër, kundërshtojnë zhvendosjen e objekteve. Ata konsiderojnë se kjo masë nuk do ta eliminojë bixhozin, por mund të çojë në rritjen e aktiviteteve të paligjshme që lidhen me lojërat e fatit.

Sipas tyre, largimi i kazinove, sallave me aparate elektronike dhe bastoreve nga afërsia e drejtpërdrejtë e institucioneve arsimore nuk do ta zvogëlojë bixhozin, por një pjesë e aktiviteteve mund të zhvendoset drejt kanaleve jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes shtetërore.

Zbulim arkeologjik në Koroshishtë të Strugës! Varr i një ushtari të shekullit VI para erës sonë

0


Në fshatit Koroshishtë të Strugës arkeologët kanë zbuluar një varr të një ushtari i cili mendohet se i perket shekullit VI para erës sonë, me mburojë, helmetë, shtiza, shpatë dhe objekte prej ari, bronzi e qelibari.

Ky zbulim konfirmon se Rasnica është nekropol i periudhës arkaike, thonë arkeologët të cilët po punojnë prej 3 vitesh në këtë lokacion.

“Varrimi është i rëndësishëm sepse i ndjeri është varrosur bashkë me pajisjet ushtarake, mbrojtëse koke, mbrojtës bronzi dhe afër mbrojtëses së kokës zbulova edhe foli ari e cila në bazë te vendit ku ndodhej ka shërbyer për mbulimin e fytyrës se të ndjerit edhe pse nuk jemi ende 100% të sigurt ose ndonjë mbulesë maskë ari të cilën në laborator do të përkujdesemi dhe do të tregojmë për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Ka enë bronzi, gjilpëra argjendi, perlë xhami, një unazë ari etj”, tha Pero Argjanliev.

Në këtë zonë do të vazhdohet edhe me hulumtime, siguroi drejtoresha e Muzeut Nacional Arkeologjik Magdalena Manaskova.

“Në vitin 2024 për herë të parë ekipi nga Muzeu Nacional Arkeologjik, i udhëhequr nga doktor Pero Argjanliev, kanë zbuluar një zbulim i cili dha jehonë jo vetëm në shtetin tonë, por i kaloi kufijtë e shtetit dhe ishte në top 10 zbulimet më te mëdha arkeologjike në vitin 2024. E shpalosëm në muzeun Arkeologjik me një ekspozitë që quhej Koroshishta me një zbulim të rëndësishëm e sot jemi këtu për të vërtetuar me siguri se flitet për nekropol”, tha Magdalena Manaskova.

Këto varreza janë më të vjetra se varrezat që u gjetën ne Trebenishtë, thonë arkeologët, duke shtuar se në bazë të pozitës gjeografike është lokalitet shumë i pasur.

Pas shumë vitesh pritjeje, fëmijët në Përshevcë të Tearcës bëhen me çerdhe moderne

0

Pas shumë vitesh pritjeje, fëmijët në Përshevcë të Tearcës bëhen me çerdhe moderne

Pas shumë vitesh pritjeje, në fshatin Përshevcë të Komunës së Tearcës, u përurua çerdhja e re. Ministri i Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski, theksoi se trendi i hapjes së kopshteve të reja për fëmijë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Sipas tij, deri në fund të vitit 2028 duhet të përfundojë ndërtimi i 37 objekteve, të cilat do t’u vihen në dispozicion qytetarëve. Nga ana tjetër, Kryetari i Tearcës, Daut Memishi, theksoi se për ndërtimin dhe pajisjen e objektit janë investuar 808 mijë euro, pjesa më e madhe e të cilave janë siguruar nga Bashkimi Evropian. Memishi tha se janë angazhuar maksimalisht për të shtyrë përpara procesin që kishte ngecur prej vitesh.

“E përuruam çerdhen në Komunën e Tearcës, gjegjësisht në fshatin Pëshevcë. Kapaciteti i kësaj çerdhe është 147 fëmijë, do të thotë nga mosha 0 deri në 6 vjet. Mirëpo, një e mirë po i pret banorët e Komunës së Tearcës që sot dua ta prezantoj, që ne veçmë se si komunë, me administratën do të thotë brenda komunës, kemi përpiluar një… jemi në përpilim e sipër të një projekti tjetër për një hapjen e një çerdhe të re. Mirëpo, në koordinim me ministrin, u dakorduam që – do të dëgjoni edhe nga deklarata e tij – që edhe ai tregoi që do të ketë thirrje do të thotë nga ministria përkatëse ku është ai ministër”, tha Daut Memishi.

“37 kopshte fëmijësh deri në përfundimin e objektit që do të përfundojë… flas për programin e Qeverisë deri në vitin 2028, do të jenë plotësisht të hapura dhe do të jenë në funksion të qytetarëve tanë në të gjithë Maqedoninë. E kjo do të thotë se më shumë se 3.700 fëmijë në atë moment do të jenë pjesë e mbrojtjes fëmijërore si shtesë, kuptohet, në të gjithë procesin dhe me këtë do ta tejkalojmë atë problem që e kemi prej vitesh e vitesh me listat e pritjes në Maqedoni”, tha Gjoko Vellkovski.