Ronaldo largohet nga Portugalia, i merret menjëherë numri 7

0

Rafael Leao do ta veshë fanellën me numrin 7 të Portugalisë në ndeshjen ndaj Danimarkës, pasi Cristiano Ronaldo u largua nga grumbullimi i Kombëtares portugeze, përcjell TV21. Sipas listës zyrtare të publikuar nga UEFA mëngjesin e ndeshjes, Leao do të bartë numrin 7 në sfidën që Portugalia do ta zhvillojë në stadiumin “Parken” të Kopenhagës.

Rregullorja e Ligës së Kombeve përcakton që lojtarët e përfshirë në listën e ndeshjes duhet të kenë numrat nga 1 deri në 23. Për këtë arsye, numri 7, i cili për vite me radhë është identifikuar me Cristiano Ronaldon, nuk mund të mbetet pa lojtar. Fanella me numrin 7 ka një histori të veçantë në futbollin portugez, pasi para Ronaldos ishte e lidhur edhe me legjendën Luís Figo.

Ndërkohë, për ndeshjen ndaj Danimarkës nuk priten ndryshime të mëdha në listën e Portugalisë. Trajneri Jorge Jesus kishte grumbulluar 25 futbollistë, ndërsa në listën e ndeshjes mund të përfshihen vetëm 23. Kësaj radhe, Cristiano Ronaldo nuk është pjesë e listës pasi u largua nga kampi, ndërsa Francisco Conceição mungon për shkak të lëndimit. Kështu, Rafael Leão do të ketë detyrën e veçantë për ta bartur fanellën ikonike me numrin 7 të Portugalisë në mungesë të Ronaldos.

Mbi 160 orë fluturim gjatë sezonit! Përfundon angazhimi i pilotit Vasko Mihalçev në DMSH

0

Pas një sezoni intensiv të luftimit të zjarreve, piloti i “Air Tractor”, Vasko Mihalçev, përfundon sot angazhimin e tij në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, përcjell TV21. Mihalçev, i cilësuar si një nga emrat e njohur të aviacionit dhe fluturimit sportiv në Maqedoni, këtë sezon ka realizuar mbi 160 orë fluturimi. Sipas tij, edhe kolegët e tij kanë regjistruar mbi 130 orë fluturimi.

Ai theksoi se, me vetëm tre avionë dhe tre pilotë, ekipi ka arritur të përballojë një sezon jashtëzakonisht të ngarkuar dhe të shfrytëzojë në maksimum kapacitetet në dispozicion.

Nga DMSH-ja e vlerësuan angazhimin e pilotëve dhe e cilësuan sezonin si një nga më të suksesshmit në luftimin e zjarreve, pavarësisht burimeve të kufizuara. Në ditën e fundit të angazhimit, Mihalçev realizoi edhe fluturimin e tij të fundit me “Air Tractor”. Drejtoria e falënderoi për kontributin, ndërsa i la të hapura dyert për një rikthim të mundshëm në të ardhmen.

Mihalçev, nga ana e tij, theksoi se rezultatet e sezonit nuk janë meritë individuale, por e gjithë ekipit të pilotëve, mekanikëve dhe stafit që u kujdes për funksionimin e avionëve.

Kontratat e angazhimit të pilotëve në pension, mes tyre edhe Vasko Mihalçev, në të kaluarën janë rinovuar përkohësisht për shkak të mungesës së pilotëve të rinj. Ndërkohë, DMSH-ja ka njoftuar se po bëhen përpjekje për të siguruar kuadro të reja, përmes angazhimit dhe trajnimit të pilotëve të rinj për “Air Tractor”-ët./tv21.tv

Kurti për zgjedhjen e presidentit: Sot do të nisim takimet me opozitën

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, përcjell TV21. Kurti tha se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Këtë deklaratë ai e bëri për KosovaPress, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci, me rastin e 29 vjetorit të protestave.

“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, tha Kurti.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 6 tetor. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me zgjedhje të reja.

Adi Hila reagon për herë të parë pas videove skandaloze, pretendon se është viktimë

0

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nxjerrë këtë të enjte një ftesë për paraqitje për kompozitorin Adrian Hila, në kuadër të hetimeve lidhur me videot me përmbajtje intime që u shpërndanë gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale.

Në kuadër të veprimeve hetimore, efektivë të Policisë kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar dhe marrë në pyetje, por nuk e kanë gjetur aty.

Sipas raportimeve të Top News, Policia ka arritur ta kontaktojë Hilën në telefon. Gjatë bisedës, kompozitori është shprehur se është i tronditur nga ngjarja dhe se, sipas tij, është hakuar.

Hila ka bërë të ditur se do të paraqitet në ambientet e Policisë sapo të mbërrijë në Tiranë, për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me situatën.

Ai gjithashtu ka shtuar se është edhe vetë viktimë, duke pretenduar se videot janë publikuar pa dijeninë e tij dhe se janë hakeruar.

Siç mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, katër nga personazhet publike të identifikuara në videot e publikuara, gjithashtu janë kontaktuar nga policia.

Dy prej tyre kanë shprehur gadishmërinë që të bashkëpunojnë me policinë për zbardhjen e rastit, ndërsa dy të tjera janë të tronditura dhe nuk mund të dëshmojnë.

Ftesa për paraqitje vjen një ditë pasi disa materiale filmike me përmbajtje intime nisën të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta publike.

Ndërkohë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer verifikime lidhur me përmbajtjen dhe burimin e materialeve të publikuara, ndërsa hetimet synojnë të zbardhin rrethanat e regjistrimit, marrjes dhe shpërndarjes së tyre.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të deklarojë Adrian Hila para autoriteteve dhe nëse hetimet do të mundësojnë identifikimin e personave përgjegjës për publikimin e materialeve intime. /TCH

Në aksionet policore në Turqi arrestohen 59 persona, mes tyre edhe kryetarë komunash nga opozita

0

Autoritetet turke kanë arrestuar disa kryetarë komunash në një seri aksionesh të drejtuara ndaj politikanëve të opozitës, raportoi sot agjencia “Anadolu”.

Në operacionet janë arrestuar gjithsej 59 persona të dyshuar, mes tyre edhe Vahap Seçer, kryetar i qytetit jugor Mersin. Ata përballen me akuza për korrupsion lidhur me parregullsi të pretenduara në tenderët publikë, raportoi DPA.

Seçer, anëtar i Partisë Republikane Popullore (CHP) në opozitë, fitoi rreth 60 për qind të votave në zgjedhjet lokale të marsit 2024.

Në ato zgjedhje, CHP fitoi numrin më të madh të posteve të kryetarëve të komunave në nivel kombëtar, duke i shkaktuar një goditje të rëndë Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Që atëherë, disa zyrtarë të opozitës janë arrestuar ose burgosur.

Ndër ta më i njohuri është ish-kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga rivalët kryesorë politikë të Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndërhyrje në punën e gjyqësorit.

Ozgur Ozel, ish-lider i CHP-së, u shkarkua nga detyra me vendim gjykate në maj, pas së cilës themeloi “Partinë e Re”. Ajo më vonë u bë forca më e madhe opozitare në vend, pasi një numër i madh deputetësh iu bashkuan, ndërsa anëtar u bë edhe Imamoglu, kujton DPA.

Specialja: Nuk jemi konsultuar për nismën e ndryshimit të ligjit

0

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë konsultuar në lidhje me përpjekjet në Kosovë për ta ndryshuar ligjin që themeloi këtë institucion.

Nisma për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndryshe e njohur si Gjykata Speciale, është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti.

Kjo gjykatë e cila më 16 shtator dënoi katër ish-krerë të UÇK-së për krime lufte, mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Ky dënim shkaktoi kundërshtime politike dhe protesta qytetare në Kosovë.

Ndryshimi i ligjit është iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjektit më të madh opozitar.

Për të kaluar në Kuvend ajo duhet ta marrë pëlqimin e Qeverisë dhe t’i kalojë komisionet parlamentare.

“Nuk jemi konsultuar”, u tha shkurt në një përgjigje të Gjykatës Speciale për REL-in, ku u shtua se ata “nuk komentojnë mbi iniciativat politike”.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale. /REL

Kosova synon fitoren ndaj Izraelit! “Dardanët” kërkojnë tri pikë

0

Kosova rikthehet në fushë për ndeshjen e tretë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, ku përballë do ta ketë Izraelin në “Nagyerdei Stadion” të Debrecenit.

“Dardanët” e nisën kampanjën me fitore 1-0 ndaj Republikës së Irlandës, por tri ditë më vonë pësuan 3-1 nga Austria.

Me tri pikë në dy ndeshje, Kosova aktualisht renditet e dyta në grup, pas Austrisë që ka gjashtë pikë.

Në anën tjetër, Izraeli e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë edicion. Fillimisht u mposht 3-1 nga Austria, ndërsa më pas pësoi humbje të thellë 3-0 nga Republika e Irlandës.

Për këtë arsye, izraelitët mbajnë vendin e fundit me zero pikë dhe vetëm një gol të shënuar pas dy takimeve.

Kjo do të jetë përballja e tretë mes Kosovës dhe Izraelit. Dy skuadrat kanë nga një fitore, ndërsa një ndeshje ka përfunduar në barazim, me Kosovën që ka shënuar dy gola dhe Izraeli një në përballjet e mëparshme sipas UEFA-s.

Për Kosovën, sfida në Debrecen është një mundësi për të rikuperuar pas humbjes ndaj Austrisë dhe për t’u rikthyer në rrugën e rezultateve pozitive. Një rezultat i favorshëm do të ishte i rëndësishëm para ndeshjes së radhës, sërish ndaj Austrisë, më 4 tetor.

Ndeshja Izrael – Kosovë zhvillohet të enjten, më 1 tetor, në “Nagyerdei Stadion” të Debrecenit, me fillim nga ora 20:45.

Revizioni zbulon dobësi në sistemin “Termini im”: Probleme në mirëmbajtje, kontrolle dhe mbrojtjen e të dhënave

0

Revizioni shtetëror ka konstatuar një sërë dobësish në funksionimin e sistemit shëndetësor “Termini im”, përcjell TV21. Nga 1 janari 2021 deri më 30 prill 2026, sistemi ka qenë gjithsej 738 ditë pa kontratë mirëmbajtjeje, që përbën 37,9% të periudhës së analizuar.

Për mirëmbajtjen e “Termini im” dhe sistemeve të tjera në institucionet shëndetësore publike janë shpenzuar 333,3 milionë denarë, ose 5,42 milionë euro. Vetëm 9% e kësaj shume i referohet sistemit kombëtar shëndetësor, ndërsa pjesa tjetër sistemeve të tjera. Revizioni ka konstatuar edhe mungesë të stafit në Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike, ku janë plotësuar vetëm 29% e vendeve të parashikuara të punës.

Probleme janë evidentuar edhe me sigurinë e të dhënave. Nuk ka procedura të mjaftueshme për kontrollin e qasjes së përdoruesve, monitorimin e aktiviteteve dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive.

Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, SMS-të për rikujtimin e termineve kanë përbërë vetëm 10,1% të numrit të realizuar të udhëzimeve. Po ashtu, në sistem nuk janë evidentuar ndërhyrjet kirurgjikale të këtij spitali, edhe pse bëhet fjalë për një nga spitalet më të ngarkuara në vend.

Revizioni ka konstatuar se në vitin 2023 janë realizuar vetëm 24 nga 62 kontrollet e planifikuara në institucionet shëndetësore, ndërsa në vitet 2024, 2025 dhe 2026 nuk janë miratuar fare plane vjetore për kontrolle. Një tjetër problem është se emri “Termini im” është regjistruar në vitin 2024 nga operatori ekonomik që mirëmban sistemin, ndërsa po zhvillohej edhe procedura për regjistrimin e logos.

Revizioni rekomandon masa për mirëmbajtje të vazhdueshme të sistemit, forcimin e sigurisë së IT-së dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe përmirësimin e kontrolleve dhe infrastrukturës teknologjike në shëndetësinë publike./tv21.tv

Pesë mjekë nga spitali i Manastirit dyshohen për trajtim të pakujdesshëm, 40-vjeçarja ndërroi jetë

0

Prokuroria Themelore Publike në Manastir, bazuar në procedurën paraprake të zhvilluar dhe provat e siguruara, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë mjekëve internistë nga Spitali Klinik i Manastirit “Dr. Trifun Panovski”, për veprën penale “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”, sipas nenit 217 paragrafi 4, në lidhje me nenin 207 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë, ata akuzohen se në periudhën nga 28.05.2024 deri më 04.06.2024, në Repartin e Mjekësisë Interne të spitalit, kanë trajtuar në mënyrë të pakujdesshme një paciente 40-vjeçare, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, që ka rezultuar me vdekje.

Pacientja ishte paraqitur në spital pas një kontrolli dhe rekomandimi nga mjeku amë, i cili kishte shprehur dyshimin për inflamacion të venave – tromboflebit. Por, pas kontrollit fillestar në repartin e mjekësisë interne, pa anamnezë të plotë dhe analiza të detajuara, asaj i ishte vendosur diagnoza artrit reumatoid dhe i ishte dhënë terapi, pas së cilës ishte lëshuar në shtëpi.

“Si rezultat, nuk ishte përcaktuar në kohë gjendja e saj e vërtetë shëndetësore, përkatësisht nuk ishte zbuluar dhe diagnostikuar tromboza dhe nuk ishte ndërmarrë me kohë terapia dhe trajtimi i duhur për këtë gjendje. Kështu, ishte humbur mundësia reale për zbulimin dhe trajtimin në kohë të procesit trombotik, për parandalimin ose kufizimin e përparimit të tij, si dhe të përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes shëndetësore të pacientes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Më 01.06.2024, pacientja, me dhimbje të forta në bark dhe gjendje të përkeqësuar të përgjithshme, u paraqit sërish për kontroll në spital. Edhe pse këtë herë u shtrua në spital, gjatë katër ditëve në vijim, pavarësisht vlerave jonormale të analizave laboratorike dhe biokimike, asnjë nga mjekët kujdestarë nuk ndërmori ekzaminime shtesë diagnostikuese për të përcaktuar shkaqet dhe terapinë e duhur, informon Prokuroria.

Për këtë arsye, gjendja shëndetësore e pacientes vazhdoi të përkeqësohej ndjeshëm. Pasditen e 04.06.2024, ajo kërkoi ndihmë mjekësore në një klinikë private në Shkup, ku u pranua në gjendje të rëndë të përgjithshme.

“Gjatë ndërhyrjes urgjente kirurgjikale u konstatua trombozë e arteries mezenterike të sipërme dhe të poshtme, me gangrenë të plotë të zorrës së hollë dhe të trashë. Gjendja tashmë ishte e paoperueshme dhe më 05.06.2024, pacientja ndërroi jetë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Shërbimi inteligjent godet rrjetin propagandistik pro-rus në Maqedoni! Bastisje dhe sekuestrime

0

Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorinë Themelore Publike (PTHP), po ndërmerr aktivitete për zbulimin dhe pengimin e një rrjeti propagandistik në vend, për të cilin vlerësohet se ka agjendë destruktive dhe keqdashëse, të orientuar drejt ndikimit në diskursin publik në favor të interesave të huaja, përcjell TV21. Janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi të Maqedonisë, i lidhur me faktorë të huaj që janë krijues të një aparati propagandistik me një rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike në Maqedoni, njoftojnë nga ASK.

Është kryer kontroll në shtëpinë e tij, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar gjësende, të cilat aktualisht janë duke iu nënshtruar ekspertizës shtesë. Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili, siç theksojnë nga ASK-ja, është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara, të regjistruara me domen të Maqedonisë në internet. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe riformësohen narrativat për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucionet dhe duke nxitur urrejtje dhe jotolerancë etnike e kombëtare.

“Agjencia për Siguri Kombëtare, në koordinim me institucionet e tjera kompetente, në mënyrë të vazhdueshme ndërmerr aktivitete për zbulimin dhe pengimin e një rrjeti propagandistik në vend, i cili ka agjendë destruktive dhe keqdashëse për të ushtruar ndikim në diskursin publik, në favor të interesave të huaja. Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të koordinuara të ASK-së, MPB-së dhe PTHP-së, më 18.09.2026 janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi maqedonas, i lidhur me faktorë të huaj që janë krijues të një aparati propagandistik me një rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike maqedonase”, thuhet në njoftim.

Nga ASK sqarojnë se, për shkak të dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale “Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, sipas nenit 319 të Kodit Penal, “Zbulimi i sekretit zyrtar”, sipas nenit 360 të Kodit Penal dhe “Përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik”, sipas nenit 394-g të Kodit Penal, është kryer kontroll në shtëpinë e tij, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar gjësende, të cilat aktualisht janë duke iu nënshtruar ekspertizës shtesë.

“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara, të regjistruara me domen maqedonas të internetit. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe riformësohen narrativat për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucionet dhe duke nxitur urrejtje dhe jotolerancë etnike e kombëtare. Aktivitetet e përmendura janë vazhdimësi e aktiviteteve hibride proruse të penguara më herët ndaj një shtetasi maqedonas, të lidhur me këto rrjete propagandistike, ndaj të cilit ishte ngritur edhe kallëzim penal për veprën penale “Përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik”, sipas nenit 394-g të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Nga ASK-ja theksojnë se, në kuadër të kompetencave, do të vazhdojnë të ndërmarrin aktivitete në drejtim të zbulimit dhe parandalimit të aktiviteteve subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse, përmes të cilave drejtpërdrejt minohen proceset strategjike të integrimit evropian të vendit.