Dobësi serioze në sistemin “Termini im”! 738 ditë pa mirëmbajtje, mungojnë të dhëna për operacionet, SMS-të arrijnë vetëm te 10,1% e pacientëve

0

Revizioni shtetëror ka zbuluar dobësi serioze në sistemin “Termini im”. Sistemi nacional i informacionit shëndetësor gjatë periudhës janari 2021 – prill 2026 ka qenë gjithsej 738 ditë pa kontratë për mirëmbajtje, përkatësisht 37,9% e periudhës së analizuar, ndërsa të drejtat mbi emërtimin kontrollohen nga një operator privat. Revizorët kanë konstatuar edhe mungesë të listave të termineve, rrezik për favorizim të pacientëve me udhëzime urgjente dhe probleme me sigurinë, të dhënat dhe funksionimin e sistemit.

“Për mirëmbajtjen e “Terminit im” dhe sistemeve të ndërlidhura të informacionit në institucionet shëndetësore publike, gjatë periudhës së analizuar janë lidhur kontrata në vlerë prej 333,3 milionë denarësh, përkatësisht rreth 5,42 milionë euro. Nga këto mjete, 9% i janë referuar sistemit nacional të informacionit shëndetësor, ndërsa 91% janë dedikuar për sisteme të tjera të informacionit në shëndetësinë publike”, tha Entit Shtetëror i Revizionit.

Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, vetëm 29% e vendeve të punës në Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike janë të plotësuara, 48% e investimeve në sisteme të tjera janë përqendruar te vetëm tri kompani, ndërsa emri “Termini im” është regjistruar nga një operator privat. Auditorët kanë konstatuar edhe mungesë të listave të termineve në disa spitale dhe se në “8 Shtatori” janë dërguar SMS-përkujtues për vetëm 10,1% të udhëzimeve të realizuara.

“Analiza e sistemit SMS për njoftimin e termineve të caktuara dhe të anuluara ka treguar se në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” – Shkup, gjatë periudhës 1 janari – 30 prill 2026, numri i SMS-ve të dërguara si përkujtues ishte vetëm 10,1% e numrit të udhëzimeve të realizuara. ESHR ka bërë edhe analizë të të dhënave publike për ndërhyrjet kirurgjikale në periudhën 2021-2025. Nga analiza rezultoi se në sistemin “Termini im” nuk ishin evidentuar ndërhyrje kirurgjikale nga Spitali “8 Shtatori”, edhe pse bëhet fjalë për një nga spitalet më të ngarkuara në vend”, tha Entit Shtetëror i Revizionit.

Në pjesën përmbyllëse të auditimit, ESHR-ja konstaton se listat e pritjes për ndërhyrje operative nuk pasqyrojnë plotësisht gjendjen reale, ndërsa kontrollet e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Dobësi janë evidentuar edhe në sigurinë e IT-së dhe mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë mungesën e procedurave për menaxhimin e qasjeve dhe mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme. Revizorët rekomandojnë përmirësimin e infrastrukturës, sigurimin e vazhdimësisë së sistemeve dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbrojtjes së të dhënave.

ASK zbulon rrjet propagandues pro rus! Portale për dezinformata, nxitjen e intolerancës dhe minimin e besimit në institucione

0


Agjencia për Siguri Kombëtare, në bashkëpunim me MPB-në dhe Prokurorinë, zhvilloi hetimo ndaj një rrjeti propagandistik që, sipas Agjencisë, vepron në funksion të interesave ruse. Para dy javësh është bastisur shtëpia e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ndërsa janë sekuestruar pajisje dhe materiale që po i nënshtrohen ekspertizës.

“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara të regjistruara me domen maqedonas të internetit. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme, dezinformata dhe bëhet riformësimi i narrativave për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucione dhe duke nxitur urrejtje dhe intolerancë etnike dhe kombëtare”, tha ASK.

Agjencia paralajmëron se do të vazhdojë zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve propagandistike që minojnë proceset eurointegruese të vendit.

“Agjencia, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse, përmes të cilave drejtpërdrejt minohen proceset strategjike të integrimit evropian të vendit”, tha ASK.

Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar më herët për rrjete mediatike dhe kanale komunikimi të dyshuara për ndikim të huaj, ndërsa ASK-ja ka hetuar raste që i lidh me aktivitete propagandistike dhe përhapje të përmbajtjeve që nxisin tensione ndëretnike. Tani, për herë të parë, ASK-ja flet për rrjete portalesh të lidhura me struktura rajonale proruse, ndërsa hulumtime të ndryshme dokumentojnë praninë e infrastrukturës digjitale ruse në vend.

Në Turqi suspendohen 448 zyrtarë për bastvënie

0

Federata e Futbollit e Turqisë ka ndërmarrë veprimin më të rëndësishëm në futboll në vitet e fundit. 
Federata turke ka njoftuar se ka suspenduar 448 ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktual për përfshirje në bastvënie. Është hap i rëndësishëm dhe i qartë se në Turqi dëshirojnë ta largojnë korrupsionin nga futoblli. 

Federata nëpërmjet një komunikate ka treguar se të gjithë zyrtarët e suspenduar i ka dërguar në komitet disiplinor. 

Hetuesit kanë konstatuar përfshirjen e tyre në aktivitete të bastvënieve, derisa mbanin pozita zyrtare në kategorinë e parë dhe të dytë të futbollit në Turqi gjatë edicionit 2026/27, dhe në pesë vjetët e fundit. 

Ka edhe emra të rëndësishëm që janë në këtë listë. I përfshirë është edhe presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan, dhe zëvendëspresidenti i Beshiktashit, Hakan Daltaban. Përmasat e hetimit janë tejet të mëdha. 

Sipas mediumeve turke të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”, afro 171 persona prej emrave të përmendur, kanë punuar në klube të Superligës së Turqisë. 

Dogan e ka thyer heshtjen. Presidenti i Trabzonsporit ka konfirmuar se më parë e ka pasur një llogari të bastvënieve, dhe e ka dorëzuar atë tek autoritetet. 

“Këto kompani kanë qenë sponsorë në klube dhe kanë organizuar ngjarje. Askush nuk ka pritur që kjo mund të shkaktonte probleme”, ka thënë ai për televizionin “A Spor”. “Nëse ne kemi bërë gabim atëherë kërkojmë falje, por nuk kemi bërë diçka të gabuar”. 

Ky vendim e forcon kontrollin e Federatës mbi çështjet e bastvënieve. Është vazhdimësi e skandalit madhor që e shokoi futbollin turk vitin e kaluar, ku afro 149 gjyqtarë dhe 1024 lojtarë, u suspenduan për periudha të ndryshme, para se shumë prej tyre, lojtarë elitarë dhe zyrtarë të lartë, u burgosën. Rasti kishte të bënte po ashtu për bastvënie ilegale dhe kurdisje të ndeshjeve në ligat profesionale. 
Hetuesit tani kanë hapur një tjetër pistë të re. Autoritetet turke të martën kanë ndaluar presidentin dhe gjashtë anëtarë të bordit të gjyqtarëve të futbollit, me akuza për ndërhyrje në procedura të referimit, si shenjë që skandali mund të arrijë në çdo institucion të lojës.

Von der Leyen: Askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, rezistenca në luftë s’ka qenë në gjykim

0

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se “Kosova po kalon në një moment të rëndësishëm politik”, në fillim të fjalës së saj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

Von der Leyen e nisi me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila i dënoi në shkallë të parë katër ish-krerër e UÇK-së.

“Do e filloja me çështjen që e përmendët edhe ju në fund të fjalës suaj, e kjo është kuptueshëm, në qendër të vëmendjes publike”, tha ajo.

“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. 1999-a është skalitur në memorien tuaj kolektive, represioni i dhunshëm, kriza humanitare, vuajtja që e ka pësuar populli juaj. Bashkimi Evropian ka qëndruar me ju që nga ajo kohë”, tha Von der Leyen.

Presidentja e KE-së tha se BE-ja ka ndihmuar Kosovën, “e ardhmja e së cilës është në BE”.

Von der Leyen kujtoi se dënimi “ka shkaktuar emocione të fuqishme”, dhe iu kthye Kurtit: “Unë e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”.

Ajo tha se mandati i Gjykatës Speciale “duhet të respektohet”.

Von der Leyen tha se aktgjykimi duhet të respektohet.

“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha ajo.

Përsëri refuzohet propozimi për pagë minimale 600 euro

0

Përsëri u refuzua projektligji i LSDM-së që paga minimale të jetë 600 euro, pasi deputetët e pushtetit në Komisionin për Çështje Ekonomike nuk i dhanë mbështetje zgjidhjes së propozuar ligjore. Më herët, në konferencë për media për këtë çështje, ishte kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se rritja e pagës minimale është e nevojshme për qytetarët në kohë krize.

“Në këtë krizë me çmimet e karburanteve mbi 100 denarë, e cila nuk dihet se edhe sa kohë do të zgjasë, me produkte kaq të shtrenjta, ndërsa ne kemi produkte edhe nga shporta bazë e konsumit më të shtrenjtë se në Gjermani, dhe standardin më të ulët edhe në rajon edhe në Evropë. Qytetarët nuk mund t’ia dalin dot. Asnjë masë, asnjë pako masash në periudhën e kaluar. Do të ketë trazira sociale në shtet nëse pushteti vazhdon të sillet kështu në mënyrë të papërgjegjshme”, tha Filipçe.

Paga minimale aktuale është 26 mijë denarë, që është pak më shumë se gjysma e pagës mesatare, e cila është 48.500 denarë. Filipçe thotë se pushteti, nëse dëshiron, mund të gjejë para.

“Janë bërë përllogaritje, u treguam në konferencën e kaluar për shtyp se nga mund t’i gjejnë paratë. Le të shkurtojnë lukset, udhëtimet, mobiliet dhe veturat dhe paratë në Buxhet mund të gjenden. Dhe le t’i mbështesin kompanitë, të subvencionohen kontributet, në mënyrë që kjo rritje e pagave të mos jetë barrë për kompanitë private dhe pronarët që punojnë”, shtoi ai.

Për këtë projektligj nuk pati reagim nga VMRO-DPMNE, ndërsa as anëtarët e Komisionit nga radhët e pushtetit nuk folën për propozim-zgjidhjen ligjore të opozitës, e cila tashmë për herë të dytë nuk merr mbështetje që në shqyrtimin në komision.

Shkatërrohet grupi kriminal! 21 kallëzime, drogë dhe miliona denarë

0

Një grup kriminal i organizuar, i përbërë nga 20 persona nga Prilepi dhe një nga Shkupi, është shkatërruar pas një hetimi disa mujor të policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Zbulim Financiar dhe nën drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në kuadër të aksionit janë kryer bastisje në 36 lokacione në Prilep, Shkup dhe Strugë, ndërsa janë privuar nga liria 20 persona.

“Duke vepruar sipas urdhrave gjyqësorë, janë kryer bastisje te 31 persona, në gjithsej 36 lokacione, prej të cilave 33 në territorin e Prilepit, dy në territorin e Shkupit dhe një në territorin e Strugës. Me këtë rast, 20 persona janë privuar nga liria, ndërsa gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar materie bimore, materie e bardhë pluhur, materie në formë kokrrash, pistoletë me gaz, municion të kalibrave të ndryshëm, shumë më e madhe parash në valutë të huaj dhe denarë, automjete, motoçikleta, telefona celularë, grirëse metalike, detektor metali, peshore etj”, thonë nga MPB.

Sipas policisë, grupi kishte vepruar nga shkurti deri në tetor të këtij viti, ndërsa droga, kryesisht kokainë dhe marihuanë, dyshohet se sigurohej nga persona nga Shqipëria, Struga, Dibra dhe Gostivari dhe më pas shpërndahej në disa qytete të vendit. Anëtarët e grupit dyshohet se e kanë shitur marihuanën nga 500 deri në 800 denarë për gram, ndërsa kokainën nga 4 mijë deri në 6 mijë denarë për gram.

 “Në periudhën kohore nga viti 2025 deri në vitin 2026, N.V., M.I., B.I. (ndodhet në paraburgim në Francë), M.S. dhe T.D., paratë e përfituara, për të cilat e dinin se rridhnin nga kryerja e veprës penale ‘prodhim dhe lëshim i paautorizuar në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve’, me qëllim që të fshihnin lëvizjen dhe vendndodhjen e mëtejshme të parave, i fusnin ato në qarkullimin e ligjshëm të pagesave, pasi paraprakisht i kishin pranuar dhe më pas i vinin në qarkullim, në një shumë të përgjithshme prej 4.990.270 denarësh dhe 64.670 eurosh”, thonë nga MPB.

Policia ka dorëzuar kallëzim penal ndaj 21 personave për trafikim të paautorizuar të drogave, ndërsa ndaj disa prej tyre edhe për pastrim parash dhe të ardhurash nga vepra penale.

Vjedhje në Greqi e Spanjë, shkatërrohet grupi kriminal në Maqedoni! 30 bastisje, 21 të dyshuar

0
Policia

Një grup kriminal i organizuar që vepronte në Maqedoninë e Veriut dhe në disa vende evropiane është shkatërruar pas një hetimi më shumë se njëvjeçar, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përcjell TV21. Në Prilep janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa për 21 persona pritet të ngrihen kallëzime penale. Sipas Toshkovskit, grupi dyshohet se ka kryer vjedhje të rënda në Greqi dhe ka vepruar edhe në Spanjë, ndërsa njëri nga të dyshuarit, i arratisur nga arresti shtëpiak në Spanjë, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut. Gjatë aksionit janë sekuestruar mbi 120 mijë euro para të gatshme, rreth dhjetë automjete luksoze, si dhe janë kryer bastisje te disa policë që dyshohet se u kanë dhënë informacione anëtarëve të grupit. Hetimi përfshin edhe dyshime për pastrim parash dhe transaksione me prona në Serbi.

Zbulohet veprimi i Jorge Jesus që Ronaldo e konsideroi si tradhti

0

Cristiano Ronaldo ka lënë grumbullimin e Portugalisë në prag të ndeshjes me Danimarkën, ndërsa përplasja me trajnerin Jorge Jesus po merr përmasa të reja. Ronaldo njoftoi se vendimin e mori pas konferencës së trajnerit dhe një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, duke paralajmëruar se në të ardhmen do të tregojë arsyet e plota të largimit.

Situata është tensionuar edhe më shumë pas reagimit të motrës së tij, Elma Aveiro. Ajo shpërndau në Instagram një postim ku pretendohet se Ronaldo meritonte më shumë respekt dhe se Portugalia e media vendase nuk e kanë trajtuar siç duhet yllin 41-vjeçar. Në mesazh, portugalezët akuzohen për zili dhe injorancë dhe thuhet se vendi “meriton të rikthehet në mediokritetin” e futbollit të periudhës para CR7. Elma e shoqëroi postimin me fjalët: “Gjithçka është thënë”.

Ndërkohë, gazetari spanjoll Edu Aguirre, i cili njihet si mik i afërt i Ronaldos, ka dhënë një tjetër version për atë që ndodhi. Sipas pretendimit të tij në “El Chiringuito”, Jesus i kishte kërkuar falje Ronaldos në një takim privat për faktin se e kishte nxehur për rreth 30 minuta ndaj Norvegjisë pa e aktivizuar dhe i kishte premtuar se do ta pranonte publikisht gabimin. Aguirre pretendon se konferenca e trajnerit nuk përputhej me atë që ishte diskutuar privatisht dhe se Ronaldo e konsideroi këtë si një “tradhti”. Ky është versioni i Aguirres dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga federata apo Jesus.

Jesus, nga ana tjetër, kishte deklaruar se nuk kishte ndodhur ndonjë incident serioz dhe se Ronaldo ishte i zemëruar pasi nuk u aktivizua në fitoren 2:1 ndaj Norvegjisë. Trajneri gjithashtu la të kuptohej se Gonçalo Ramos do të ishte titullar ndaj Danimarkës, ndërsa Ronaldo do të luante vetëm nëse skuadra do të kishte nevojë për të.

Federata Portugeze konfirmoi largimin e Ronaldos nga grumbullimi dhe njoftoi se përgatitjet do të vazhdojnë me 24 lojtarët e tjerë.


Largimi i tij ka hapur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Ronaldos me Portugalinë, sidomos pasi ai vetëm pak ditë më parë kishte deklaruar se ende besonte se mund ta ndihmonte kombëtaren. Për momentin, vetë Ronaldo ka lënë të kuptohet se versionin e tij të plotë do ta bëjë publik më vonë.

Maqedonia importon shalqi edhe pse ka për eksport, gati 9 nga 10 kilogramë vijnë nga Shqipëria

0

Prodhimi i bostanit në Maqedoninë e Veriut mbetet relativisht stabil dhe gjatë dhjetë viteve të fundit është rreth 130 mijë tonë në vit. Vitin e kaluar, shalqinj dhe pjepra janë prodhuar në 4.999 hektarë, me një prodhim prej 132.323 tonësh, ose rreth 26.566 kilogramë për hektar.

Megjithatë, pavarësisht prodhimit vendor, importi i shalqinjve po rritet ndjeshëm. Në vitin 2022 vendi kishte importuar rreth 1,6 milionë kilogramë shalqi, ndërsa në vitin 2025 kjo sasi arriti në 4,75 milionë kilogramë. Vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026 janë importuar rreth 5,9 milionë kilogramë.

Në të njëjtën periudhë, eksporti ka qenë rreth 4,4 milionë kilogramë. Kjo ka bërë që raporti mes eksportit dhe importit të bjerë nga 6,4 me 1 në vitin 2022, në rreth 1,3 me 1 këtë vit. Pra, diferenca mes shalqinjve që eksportohen dhe atyre që importohen po ngushtohet ndjeshëm.

Shqipëria është furnizuesi kryesor i tregut në Maqedoni. Pjesëmarrja e saj në import është rritur nga rreth 50 për qind në vitin 2022 në pothuajse 89 për qind në vitet 2025 dhe 2026. Kjo do të thotë se pothuajse 9 nga çdo 10 kilogramë shalqi të importuar vijnë nga Shqipëria.

Greqia është furnizuesi i dytë më i rëndësishëm, ndërsa Turqia ka humbur gradualisht pjesën e saj në treg dhe gjatë vitit 2026 nuk është regjistruar import prej saj. Të dhënat e tregtisë ndërkombëtare po ashtu tregojnë rritjen e rolit të Shqipërisë si furnizuese e tregut të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut vazhdon të eksportojë shalqi, kryesisht drejt tregjeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Çekia është destinacioni kryesor, me rreth 36 për qind të eksportit në shtatë muajt e parë të vitit. Pas saj janë Ukraina me 15 për qind, ndërsa Polonia dhe Lituania me nga rreth 8 për qind.

Serbia dhe Kosova, që tradicionalisht kanë qenë tregje të rëndësishme, po humbin gradualisht peshën në eksport. Në të njëjtën kohë, po rritet rëndësia e Ukrainës, Polonisë dhe vendeve baltike.

Për nga çmimi, tregjet nuk janë të njëjta. Norvegjia, Gjermania dhe Finlanda ofrojnë çmime më të larta për kilogram, ndërsa Çekia, Serbia dhe Bullgaria blejnë sasi më të mëdha, por me çmime mesatare më të ulëta.

Në shtatë muajt e parë të vitit, eksporti drejt Çekisë ka pasur vlerë rreth 466,5 mijë euro, Ukraina 273,6 mijë euro, ndërsa Norvegjia 191,7 mijë euro. Norvegjia, edhe pse është vetëm e shtata për nga sasia, ka çmim mesatar prej rreth 0,85 euro për kilogram.

Të dhënat tregojnë kështu një paradoks: prodhimi vendor mbetet i lartë, por importi i shalqinjve po rritet me ritëm të shpejtë, ndërsa suficiti nga eksporti po zvogëlohet. Maqedonia e Veriut ende mbetet eksportuese neto e shalqinjve, por diferenca mes eksportit dhe importit është shumë më e vogël se disa vite më parë.

Ronaldo largohet nga Portugalia, i merret menjëherë numri 7

0

Rafael Leao do ta veshë fanellën me numrin 7 të Portugalisë në ndeshjen ndaj Danimarkës, pasi Cristiano Ronaldo u largua nga grumbullimi i Kombëtares portugeze, përcjell TV21. Sipas listës zyrtare të publikuar nga UEFA mëngjesin e ndeshjes, Leao do të bartë numrin 7 në sfidën që Portugalia do ta zhvillojë në stadiumin “Parken” të Kopenhagës.

Rregullorja e Ligës së Kombeve përcakton që lojtarët e përfshirë në listën e ndeshjes duhet të kenë numrat nga 1 deri në 23. Për këtë arsye, numri 7, i cili për vite me radhë është identifikuar me Cristiano Ronaldon, nuk mund të mbetet pa lojtar. Fanella me numrin 7 ka një histori të veçantë në futbollin portugez, pasi para Ronaldos ishte e lidhur edhe me legjendën Luís Figo.

Ndërkohë, për ndeshjen ndaj Danimarkës nuk priten ndryshime të mëdha në listën e Portugalisë. Trajneri Jorge Jesus kishte grumbulluar 25 futbollistë, ndërsa në listën e ndeshjes mund të përfshihen vetëm 23. Kësaj radhe, Cristiano Ronaldo nuk është pjesë e listës pasi u largua nga kampi, ndërsa Francisco Conceição mungon për shkak të lëndimit. Kështu, Rafael Leão do të ketë detyrën e veçantë për ta bartur fanellën ikonike me numrin 7 të Portugalisë në mungesë të Ronaldos.