Konvikti “Stiv Naumov” me kushte të reja, 1.150 shtretër për studentët! Së shpejti hapet edhe “Kuzman Josifovski-Pitu”

0

Konvikti studentor “Stiv Naumov” në Shkup është rikonstruktuar dhe sot është vënë në përdorim, me kapacitet për 1.150 studentë. Objekti është rinovuar për të përmirësuar kushtet e banimit dhe për të përmbushur standardet evropiane, ndërsa një pjesë e konviktit tashmë është mbushur me studentë.

Projekti është realizuar me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim KfW dhe Bashkimit Evropian, ndërsa ndërhyrjet përfshijnë edhe përmirësimin e efikasitetit energjetik të objektit.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, konvikti ishte ndërtuar në faza, një pjesë në vitin 1964, ndërsa pjesa tjetër në vitet ’90, dhe para rinovimit kishte probleme me izolimin, lagështinë, furnizimin me ujë të ngrohtë dhe kushtet e përgjithshme të banimit.

Në kuadër të të njëjtit investim, së shpejti pritet të vihet në përdorim edhe konvikti “Kuzman Josifovski – Pitu” në Shkup, me kapacitet prej 280 shtretërish.

Investimi është pjesë e një projekti më të gjerë që përfshin 9 konvikte studentore dhe 6 shkolla me qendra burimore, me vlerë totale prej 86 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 60 milionë euro janë kredi nga KfW, 22 milionë euro janë grant dhe 4 milionë euro janë mjete nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Rinovimi i objekteve synon edhe rritjen e efikasitetit energjetik dhe uljen e emetimeve të CO₂, ndërsa projekti është realizuar në bashkëpunim mes institucioneve të Maqedonisë së Veriut, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

“Pjesërisht është plotësuar dhe studentët që janë këtu, tanimë nuk duhet të shqetësohen nëse u pikon ujë nga tavani, në kanë ujë të ngrohtë, as nëse është nxehtë apo ftohtë, as nëse ka lagështi nëpër mure. Besoj se tani mund të përkushtohen vetëm në mësim”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.

“Investimi është investim i gjelbër. Do të ndihmojë thellësisht në emetimet e dyoksidit të karbonit, pra është po ashtu një investim i së ardhmes mjedisore. Është po ashtu ditë e bukur sepse çdo investim për të rinjtë, është investim për të ardhmen tonë”, deklaroi Mihalis Rrokas, Ambasador i BE-së në Shkup.

Rusia lëshon paralajmërim bërthamor për NATO-n

0

Rusia e ka paralajmëruar NATO-n se do të ishte gati të përdorte armë bërthamore nëse aleanca perëndimore do të përpiqej të shkëpuste Kaliningradin, një enklavë ruse që kufizohet me Detin Baltik.

Në një dokument të dërguar NATO-s dhe të parë nga Reuters, Moska ka akuzuar aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që përfshinte “rreziqe të larta të shpërthimit të një konflikti të armatosur të drejtpërdrejtë”.

Në dokument thuhet se kjo përfshinte mundësinë “e sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit”.

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit”, thuhet në tekst, i klasifikuar si një “non-paper”, zhargon diplomatik për një dokument joformal.

Përveç paralajmërimit privat, ambasadat ruse në të paktën tre vende evropiane kanë lëshuar deklarata në tre ditët e fundit duke akuzuar NATO-n për përshkallëzimin e tensioneve përmes ushtrimeve ushtarake dhe skenarëve të planifikimit që përfshijnë Kaliningradin. Rusia gjithashtu ka hedhur poshtë akuzat perëndimore se përbën një kërcënim për Evropën.

Në deklarata thuhej se Rusia nuk kishte ndërmend të sulmonte vendet e NATO-s, por ka paralajmëruar se çdo agresion kundër Kaliningradit, një territor rus i militarizuar që ndodhet midis Polonisë dhe Lituanisë, do të përballej me përgjigjen më të fortë të mundshme.

Paralajmërimet nxjerrin në pah një rritje të ndjeshme të tensionit midis Rusisë dhe vendeve evropiane, të cilat akuzojnë Moskën për përshkallëzimin e një “lufte hibride” në kontinent përmes akteve që përfshijnë sabotim dhe zjarrvënie.

Rusia e ka mohuar këtë dhe ka hedhur poshtë deklaratat e përsëritura nga politikanët perëndimorë se po përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj një vendi të NATO-s.

Bordo blihet për vetëm 1 euro, klubi shmang shuarjen

0

Bordo ka konfirmuar se fondi investues „Park Bench“ ka rënë dakord ta blejë klubin për shumën simbolike prej 1 euroje nga Gerard Lopez. Marrëveshja do t’i mundësojë Bordos të shmangë likuidimin, përcjell TV21. Në fillim të shtatorit 2026, klubi, i cili në sezonet e fundit luajti në divizionet më të ulëta, u përjashtua nga ligat kombëtare. Rikthimi në Regional 1 dukej i pamundur, pasi klubi po përballej me vështirësi financiare për t’u rimëkëmbur. Disa marrëveshje me blerës të mundshëm ishin pranë finalizimit, por dështuan.

„Park Bench“ e finalizoi blerjen, duke marrë përsipër borxhet e konsiderueshme të klubit. Në rrjetet sociale, Bordo e cilësoi marrëveshjen si një “hap të rëndësishëm” për të ardhmen e klubit. Bordo i kaloi dy sezonet e fundit në divizionin e katërt të Francës. Në vitin 2024, klubi u rrëzua nga liga për shkak të problemeve financiare. Në sezonin 2026/27, ishte paraparë të luante në divizionin e gjashtë. Klubi ka fituar gjashtë tituj kampion të Francës. Triumfi i fundit në Ligue 1 erdhi në sezonin 2008/09. Ekipi ka fituar gjithashtu katër herë Kupën e Francës.

Netanyahu: Piloti goditi me thikë kolegun dhe u përpoq të rrëzonte avionin Dubai-Izrael

0
BERLIN, GERMANY - MARCH 16: Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu and German Chancellor Olaf Scholz (not pictured) speak to the media following talks at the Chancellery on March 16, 2023 in Berlin, Germany. Netanyahu's one-day visit to Berlin is being accompanied by protests, including both by people angry over Israel’s policies towards Palestinians as well as those critical of possible new legislation in Israel supported by Netanyahu that would undermine the independence and the power of Israel's Supreme Court, effectively curtailing democracy in Israel. (Photo by Sean Gallup/Getty Images)

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të mërkurën se njëri prej pilotëve të aeroplanit që po udhëtonte nga Dubai drejt Izraelit, kishte goditur me thikë pilotin tjetër dhe ishte përpjekur po ashtu të rrëzonte avionin.

Në një deklaratë të lëshuar disa orë pas rastit, Netanyahu ka thënë se piloti sulmues është arrestuar dhe po merret në pyetjet nga autoritetet saudite. 

“Njëri prej pilotëve e goditi me thikë pilotin tjetër dhe, me sa duket, u përpoq ta rrëzonte avionin bashkë me pasagjerët e tij. Fola me një prej pasagjerëve izraelitë, i cili më tha se avioni kishte nisur të rrotullohej dhe filloi të humbiste lartësi. I përshëndes këta heronj, të cilët treguan zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm. Të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti sulmues u arrestua dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite”, ka deklaruar Netanyahu. 

Mediat izraelite kanë raportuar gjatë ditës se piloti që kishte tentuar të rrëzonte avionin ishte nga Omani. 

BMW zbulon gjeneratën e re të Serisë 3, me motorë benzinë

0

BMW ka prezantuar gjeneratën e tetë të Serisë 3, e cila sjell një dizajn të ri të frymëzuar nga filozofia “Neue Klasse”, ndërsa marka vijon të ofrojë edhe motorë me benzinë, përcjell TV21. Versioni M350 xDrive është i pajisur me motor 3.0-litërsh, me gjashtë cilindra në linjë dhe turbo, i kombinuar me teknologji hibride të lehtë 48V. Motori zhvillon 437 kuaj fuqi dhe 580 Nm çift rrotullues, ndërsa përshpejtimi nga 0 në 62 mph, ose rreth 100 km/h, realizohet për 4,1 sekonda.

Në kabinë, Seria e re 3 përfshin sistemin dixhital “Panoramic Vision”, me një ekran që shtrihet përgjatë pjesës së përparme të panelit. BMW ka ndërhyrë gjithashtu në shasinë e automjetit, me një bosht të përparmë me lidhje të dyfishtë dhe pezullim të pasmë me pesë lidhje.

Në gamën bazë pritet të jetë edhe modeli 330, me motor 2.0-litërsh turbo me katër cilindra dhe 255 kuaj fuqi. Sipas vlerësimeve fillestare, çmimi në Mbretërinë e Bashkuar pritet të nisë nga rreth 44.974 paund.

“Lotaria”, mbrojtja kundërshton provat e Prokurorisë! Avokati Milanov: VLT-aparateve u është rritur vlera në treg

0

Këtë javë do të shihen më shpesh në Gjykatën Penale! Në rresht të parë Bajrami dhe Grubi e pas tyre edhe 6 të akuzuarit e tjerë të bordit të “Lotarisë së Maqedonisë” përballë dy Prokurorëve publik.

Vërejtja kryesore e palës mbrojtëse në këtë seancë ishte që sipas marrëveshjes “Casions Austria” nuk ka drejtë ekskluzive për organizimin e lojërave elektronike të fatit. Avokati i njërit prej të akuzuarve, tha se organizimin e lojërave të fatit përmes aparateve VLT nuk e kanë vetëm ata në ujdinë e lidhur me Lotarinë Shtetërore. Elenko Milanov tha se Shoqëria aksionare shtetërore “Lotaria Shtetërore” e ka të drejtën të organizoj edhe vetë në mënyrë të pavarur, por edhe me subjekte të tjera private.

 “Me këtë vërejtje dëshmohet se e gjithë procedura që është zbatuar rreth tenderimit dhe e drejta për organizim është e bazuar në ligj dhe nuk ka asnjë pengesë. Ajo që e vlerësoj se këtu do të duhej të paraqitej si çështje thelbësore është që në asnjë pjesë të kësaj aktakuze dhe ndaj asnjërit nga këta persona të akuzuar nuk vërtetohet që me furnizimin e këtyre VLT aparateve cilido qoftë ka arritur të merr vlera pasurore të kundërligjshme për vete”, theksoi Elenko Milanov.

Në prezantimin e vërejtjeve të aktakuzës nga të gjithë avokatët e të akuzuarve ndaj 231 provave materiale të prokurorisë spikati ajo e avokatit Milanov duke thënë që vlera e blerjes së aparateve VLT është rritur dukshëm në treg, që mund të ketë kontribuar në ekonominë e shtetit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Ai e quan një investim frytdhënës që mund të vihet në funksion edhe sot.

 “Ato pajisje edhe sot gjenden në hapësirat e Lotarisë së Maqedonisë dhe në hapat e mëtejme të procedurës besoj që do të ju dëshmojmë, para së gjithash gjykatës, por edhe të gjithëve se ai tender është në interes të shtetit sepse këto VLT aparate, duke pasur parasysh ndryshimet e çmimeve, sot vlejnë dukshëm më tepër dhe në çdo moment mund të aktivizohen nga SHA Lotaria Shtetërore”, shtoi Elenko Milanov.

Përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë çështje gjyqësore janë të akuzuar edhe Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu. Ata akuzohen për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe për shkaktim të dëmit ndaj SH.A. “Lotaria Shtetërore” në shumën prej 9.7 milionë euro, duke bërë furnizime të jashtëligjshme të aparateve të kumarit, të cilat asnjëherë nuk u përdorën për lojërat elektronike të fatit.

 Kënga “Sexy mama” e Don Xhon i kushton karrigen drejtorit të “Makedoniumit”! Pas reagimeve të shumta, jep dorëheqje si përgjegjësi morale dhe etike

0

Disa skena të xhiruara në “Makedonium”, për spotin e këngës “Sexy mama” të këngëtarit Don Xhoni, çuan në shkarkimin e drejtorit dhe gjithë Bordit Drejtues të këtij monumenti kulturor në Krushevë. Pasi u mor vesh se hapësira e “Makedoniumit” u lëshuan me qira për xhirime për vetëm 500 euro, dhe pas reagimeve të shumta në publik, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi shkarkime.

“Me të vërtetë, ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me Bordin Drejtues, sepse institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla. I kërkoj falje qytetarëve për këtë lëshim dhe do të përpiqemi që të mos ndodhë më në të ardhmen”, tha Mickoski.

Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, tha se Ministria është në proces të mbledhjes së informacioneve për rastin, pas çka edhe do të veprohet.

“Para nesh kemi një rast që është vërtet i ndjeshëm, por do të shohim me shërbimet juridike se si mund të veprojmë më tej ose nëse do të nevojitet ndonjë ndryshim ligjor, pasi në këtë moment ekziston e drejta ligjore për dhënien me qira, por drejtorët duhet të kenë kujdes kur japin objektet me qira, duhet të dinë se çfarë programesh do të zhvillohen dhe çfarë përmbajtjeje do të kenë”, u shpreh Sedat Sulejmani, ministër i Kulturës dhe i Turizmit.

Reagime erdhën edhe nga opozita, Forcat rinore të Lidhjes Socialdemokrate.

“Fillimisht i vunë prangat, tani po e përdhosin kujtimin e Nikolla Karevit dhe Republikës së Krushevës. Nuk është e rëndësishme se nga është reperi, e rëndësishme është përmbajtja dhe thelbi. Dhe e rëndësishme është se kush e lejoi. Duhet të ketë përgjegjësi. Ne, të rinjtë socialdemokratë, kërkojmë shkarkimin e drejtorit nga ZNAM”, thonë nga LSDM.

E Drejtori i Muzeut në Krushevë, Miha Odzhaklieski, nuk priti Ministrin të marrë ndonjë hap. Vetë dha dorëheqje të pakthyeshme nga detyra. Odzhaklieski deklaroi se gjatë procedurës nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt, por pranoi përgjegjësi morale dhe etike për mënyrën se si vendimi është perceptuar nga publiku.

Përndryshe, “Makedoniumi”, është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit.

Takim i ri pune për Kodin Zgjedhor, partitë dolën me qëndrime të pandryshuara! LSDM përsëri bojkotoi

0

Nuk ka lëvizje në qëndrimet e partive politike rreth Kodit të ri Zgjedhor, edhe përkundër takimit të sotëm të përsëritur të grupit të punës, me iniciativë të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari. As në takimin e sotëm nuk morën pjesë përfaqësuesit e LSDM-së, të cilët për këtë ligj kanë dorëzuar rreth 10 mijë amendamente. Shasivari theksoi se qëllimi i këtij takimi është t’i jepet një shans i dytë ligjit dhe tha se mungesa e LSDM-së në takime paraqet pengesë për këtë proces, ndaj pret që në takimin e ardhshëm edhe ata të jenë të pranishëm.

“Qëllimi i këtij takimi ishte që edhe një herë t’i dëgjojmë të gjitha aspektet, në mënyrë kronologjike, të këtij procesi i cili është zhvilluar për 4 muaj dhe është pjesë e agjendës reformuese. Në periudhën e ardhshme do të përpiqem të vendos kontakt me deputetin dhe kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate, zoti Filipçe, në Kuvend, që edhe ata të jenë në tryezë në takimin e ardhshëm të grupit të punës”, tha Shasivari.

Pas takimit, partitë dolën me qëndrime të pandryshuara sa u përket propozimeve të tyre. Nga VMRO-DPMNE thonë se insistojnë të ketë votim të diasporës, siç propozojnë ata, edhe pse duket se kjo është edhe pengesa më e madhe për arritjen e një marrëveshjeje me opozitën.

 “Konsiderojmë se është obligim kushtetues i shtetit që t’i mundësojë votimin çdo qytetari, pa dallim të vendit të banimit. Prandaj vlerësojmë se kjo duhet të jetë obligim i përbashkët që ta realizojmë këtë të drejtë kushtetuese të diasporës, pavarësisht nëse kompromisi do të jetë votimi elektronik apo votimi përmes postës”, tha Antonijo Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Nga BDI thonë se propozimi i një pjese të partive për një njësi zgjedhore është i pranueshëm.

“Fakt është se kishte propozime të ndryshme, për ne është i pranueshëm, si Bashkim Demokratik për Integrim, një njësi zgjedhore, por për fat të keq ka propozime të ndryshme dhe mbeti në grupin e punës e mëparshmja, përkatësisht zgjidhja e cila është në fuqi në Kodin Zgjedhor”, theksoi Blerim Bexheti nga BDI.

Nga Levica, e cila gjithashtu ka dorëzuar amendamente për Kodin Zgjedhor, rreth 3 mijë, vazhdojnë të insistojnë në shpërndarje të drejtë të mjeteve për fushatën zgjedhore.

Nga ZNAM presin që deri më 31 dhjetor, kur Maqedonia përsëri do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian për punën e bërë në agjendën reformuese, të miratohet Kodi Zgjedhor, edhe pse afati i përcaktuar nga BE-ja ka kaluar më 15 qershor.

Qëndrimi i LSDM-së, i shprehur më herët, është se janë kundër votimit elektronik ose votimit përmes postës për diasporën.

Gjoba në vlerë të mbi 80 mijë eurove për hedhje të paligjshme të mbeturinave në Shkup

0

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski tha se gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh për persona juridikë që kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme me mbeturinat, përcjell TV21. Ai shtoi se për një luftë më efikase kundër këtyre dukurive është e nevojshme formimi i policisë komunale.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me zbatimin e ndalesës për hedhjen e mbeturinave pas orës 22:00, Gjorgjievski tha se Inspektorati i Qytetit të Shkupit i kryen me përkushtim kompetencat e tij, por theksoi se sistemi aktual ka kufizime.

“Absolutisht na mungon policia komunale, për të cilën presim që Ligji për Vetëqeverisje Lokale të miratohet në Kuvend. Edhe një herë bëj apel që kjo të ndodhë sa më shpejt. Nuk mjafton vetëm të shqiptoni gjobë, shumë e rëndësishme është edhe lartësia e gjobës”, theksoi kryetari i Shkupit.

Gjorgjievski tha se një pjesë e qytetarëve konsiderojnë se është më lirë ta paguajnë gjobën sesa ta hedhin siç duhet mbeturinën e vëllimshme në deponinë “Drislla”, prandaj Qyteti planifikon që çdo javë të mundësojë hedhjen falas të këtyre mbeturinave për të gjithë banorët e Shkupit.

Sipas tij, problemi me deponitë ilegale është rezultat i sjelljes së një numri të vogël qytetarësh dhe kompanish të papërgjegjshme, të cilët lënë mobilie të vjetra dhe mbeturina të tjera të vëllimshme pranë kontejnerëve, parqeve dhe bulevardeve.

“Nuk mund të lejojmë që, po e përsëris, sjellja e një pakice të na krijojë problem të gjithëve. Pakicë janë ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj mjedisit, pakicë janë ata që kur rinovojnë kuzhinat, shtretërit dhe gjithçka tjetër, i lënë në parqe, në bulevarde, rreth kontejnerëve e kështu me radhë. Kemi ndërhyrje serioze ndaj personave juridikë, gjatë periudhës së kaluar janë shqiptuar gjoba në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh dhe kjo është një shumë serioze gjobash. Bëhet fjalë për kantierë ndërtimi apo kamionë që në mënyrë të papërgjegjshme hedhin mbeturina. Nëse të gjithë luftojmë në mënyrë tërësore kundër problemit që shkaktohet nga një numër i vogël njerëzish, mendoj se do ta arrijmë efektin e dëshiruar. Për shifrat e gjobave, përsëri po them, mund t’i drejtoheni lirshëm inspektoratit”, tha Gjorgjievski.

Ai theksoi se në luftën kundër ndotjes dhe hedhjes së paligjshme të mbeturinave janë përfshirë aktivisht edhe komunat e Shkupit, duke vlerësuar se me një qasje të koordinuar mund të arrihen rezultatet e dëshiruara. Gjorgjievski shtoi se Qyteti i Shkupit mbetet i përkushtuar ndaj transparencës së plotë dhe se të gjitha të dhënat më të detajuara për numrin e gjobave të shqiptuara janë në dispozicion përmes inspektoratit të qytetit.

Sezoni i ngrohjes nis më 15 tetor

0
ngrohja

Sezoni i ngrohjes do të fillojë më 15 tetor 2026 dhe do të përfundojë më 15 prill 2027, njoftoi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRRE), përcjell TV21. Sezoni i ngrohjes mund të fillojë edhe më herët, nga 1 tetori, dhe të përfundojë më së voni më 30 prill, në rast se temperatura mesatare e jashtme e parashikuar për ditën e ardhshme është e barabartë ose më e ulët se 12°C.

Në përputhje me Rregullat për furnizim me energji termike dhe Sistemin tarifor për shitjen e energjisë termike, furnizuesi është i detyruar që në ambientet që ngrohen, nga ora 06:00 deri në 22:00 gjatë ditës, të sigurojë temperaturë prej 20±1°C.

KRRE u bën thirrje bashkësive të banorëve që të kontrollojnë instalimet e brendshme dhe instalimet në objektet e banimit, si dhe të shlyejnë faturat e energjisë elektrike për nënstacionet termike, në mënyrë që sezoni i ngrohjes të nisë pa probleme.