Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nxjerrë këtë të enjte një ftesë për paraqitje për kompozitorin Adrian Hila, në kuadër të hetimeve lidhur me videot me përmbajtje intime që u shpërndanë gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale.
Në kuadër të veprimeve hetimore, efektivë të Policisë kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar dhe marrë në pyetje, por nuk e kanë gjetur aty.
Sipas raportimeve të Top News, Policia ka arritur ta kontaktojë Hilën në telefon. Gjatë bisedës, kompozitori është shprehur se është i tronditur nga ngjarja dhe se, sipas tij, është hakuar.
Hila ka bërë të ditur se do të paraqitet në ambientet e Policisë sapo të mbërrijë në Tiranë, për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me situatën.
Ai gjithashtu ka shtuar se është edhe vetë viktimë, duke pretenduar se videot janë publikuar pa dijeninë e tij dhe se janë hakeruar.
Siç mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, katër nga personazhet publike të identifikuara në videot e publikuara, gjithashtu janë kontaktuar nga policia.
Dy prej tyre kanë shprehur gadishmërinë që të bashkëpunojnë me policinë për zbardhjen e rastit, ndërsa dy të tjera janë të tronditura dhe nuk mund të dëshmojnë.
Ftesa për paraqitje vjen një ditë pasi disa materiale filmike me përmbajtje intime nisën të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta publike.
Ndërkohë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer verifikime lidhur me përmbajtjen dhe burimin e materialeve të publikuara, ndërsa hetimet synojnë të zbardhin rrethanat e regjistrimit, marrjes dhe shpërndarjes së tyre.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të deklarojë Adrian Hila para autoriteteve dhe nëse hetimet do të mundësojnë identifikimin e personave përgjegjës për publikimin e materialeve intime. /TCH
