Muaji rozë, një mijë raste të reja me kancer të gjirit! “Hema Onko”: Kërkohet terapi e sigurt dhe në kohë për pacientët

TË FUNDIT

Rreth 1 mijë raste të reja me kancer të gjirit janë diagnostikuar vitin e kaluar në Maqedoni. Në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji, aktualisht janë rreth 7 mijë pacientë në trajtim aktiv. Nga Klinika thonë se gjatë vitit të kaluar janë futur terapi të reja, veçanërisht për pacientët me kancer të gjirit, ndërsa është rritur edhe numri i pacientëve që marrin trajtim specifik.

“Sa i përket statistikave institucionale, vitin e kaluar e përfunduam me 5.300 pacientë të rinj me lloje të ndryshme të kancerit. Në përgjithësi, numri po rritet, pra çdo vit kemi 200 deri në 300 pacientë të rinj më shumë. Ndërsa sa i përket prevalencës, pacientët që paraqiten të paktën një herë në Klinikë gjatë një viti kalendarik, bëhet fjalë për afro 20.000 pacientë në vit”, tha Igor Stojkovski.

Stojkovski tha se po punohet edhe për decentralizimin e shërbimeve. Një pjesë e shërbimeve tashmë ofrohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, ndërsa synohet që onkologë nga Shkupi të angazhohen edhe në Spitalin Klinik të Manastirit. Sa i përket decentralizimit, Ana Marjanoviq nga “Hema-Onko” tha se si shoqatë kanë insistuar që procesi të bëhet në mënyrë që, para së gjithash, pacientët të kenë terapi të sigurt dhe kushte për ta marrë atë rregullisht, në kohë dhe në një atmosferë të denjë.

“Qëllimi nuk është vetëm që terapia të merret, por të sigurojmë që çdo pacient që nuk do të jetë në Klinikën e Onkologjisë, ta marrë terapinë në mënyrë të sigurt. Nga njëra anë, ne si pacientë e dimë më së miri se sa i madh është presioni mbi Klinikën e Onkologjisë. Kjo është edhe për shkak të mungesës së personelit, të cilin po përpiqen ta kompensojnë, por edhe për shkak të numrit të madh të ekspertëve në trajtimin e sëmundjeve, veçanërisht të kancerit të gjirit”, tha Ana Marjanoviq.

Stojkovski u pyet edhe se si do ta zgjidhin problemin me ndërprerjet në furnizimin me terapi, për çka tha se mund t’i bëjnë një paralajmërim distributorëve, pasi, siç tha, distributori i di pasojat që shkaktohen nga vonesat në furnizimin e terapisë për pacientët.