Lëshohet linjë e re e autobusit për studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Do të lëvizë në çdo 50 minuta.
Rektori i këtij universiteti Bekim Fetaji deklaroi se tani më ka 2 linja të autobusit 17 dhe 17a që do të qarkullojnë në 24 stacione. Ai bëri të ditur se në shkurt do të ketë linjë të re që do të lëviz në çdo 15 minuta.
“Qarkullon në shumë pjesë 24 stacione, por pjesa kryesore për ne është që përfshihet pjesa e Bit Pazarit përballë UKIM-it elektoratit, pastaj vjen këndej nga rruga e plastikave dhe do të vjen deri këtu tek ne, pastaj rrethrrotullohet te ambasada e Amerikës dhe kthen majtas nga muzeu dhe kjo pjesë pastaj i lidh studentët me të gjithë pikat tjera”, tha Bekim Fetaji.
Sa i përket ndërtimit të kampusit të ri, rektori Bekim Fetaji bëri të ditur se tre fakultete janë transferuar në objektin e Lidhjes së Sindikatave. Bëhet fjalë për Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Shkencave Humane dhe Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë.
Mbikëqyrësi i punimeve, Oliver Kolevski, deklaroi se aktualisht po punohet në tre nga nëntë objektet e parapara për t’u ndërtuar në fazën e parë.
“Aktualisht, është duke u zhvilluar procedura e tenderit për kontraktorin mbikëqyrës. Kur të përfundojë kjo procedurë, do të fillojë prishja dhe në atë pikë të gjitha objektet e tjera do të jenë përfunduar. Nga këto 3 objekte, njëri po e përfundon fazën e plotë të ndërtimit brenda dy javësh dhe dy të tjerët do të përfundojnë diku në fillim të dhjetorit”, tha Oliver Kolevski.
Gurthemeli për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u vendos më 7 mars 2026. Sipas planit, i gjithë kampusi parashihet të përfundojë brenda pesë vitesh.
