17 dhe 17A, linjë e re autobusi për studentët e UNT-së! Do të kalojë përmes Bit Pazarit dhe Rrugës së Plastikave

0

Lëshohet linjë e re e autobusit për studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Do të lëvizë në çdo 50 minuta.

Rektori i këtij universiteti Bekim Fetaji deklaroi se tani më ka 2 linja të autobusit 17 dhe 17a që do të qarkullojnë në 24 stacione. Ai bëri të ditur se në shkurt do të ketë linjë të re që do të lëviz në çdo 15 minuta.

“Qarkullon në shumë pjesë 24 stacione, por pjesa kryesore për ne është që përfshihet pjesa e Bit Pazarit përballë UKIM-it elektoratit, pastaj vjen këndej nga rruga e plastikave dhe do të vjen deri këtu tek ne, pastaj rrethrrotullohet te ambasada e Amerikës dhe kthen majtas nga muzeu dhe kjo pjesë pastaj i lidh studentët me të gjithë pikat tjera”, tha Bekim Fetaji.

Sa i përket ndërtimit të kampusit të ri, rektori Bekim Fetaji bëri të ditur se tre fakultete janë transferuar në objektin e Lidhjes së Sindikatave. Bëhet fjalë për Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Shkencave Humane dhe Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë.
Mbikëqyrësi i punimeve, Oliver Kolevski, deklaroi se aktualisht po punohet në tre nga nëntë objektet e parapara për t’u ndërtuar në fazën e parë.

“Aktualisht, është duke u zhvilluar procedura e tenderit për kontraktorin mbikëqyrës. Kur të përfundojë kjo procedurë, do të fillojë prishja dhe në atë pikë të gjitha objektet e tjera do të jenë përfunduar. Nga këto 3 objekte, njëri po e përfundon fazën e plotë të ndërtimit brenda dy javësh dhe dy të tjerët do të përfundojnë diku në fillim të dhjetorit”, tha Oliver Kolevski.

Gurthemeli për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u vendos më 7 mars 2026. Sipas planit, i gjithë kampusi parashihet të përfundojë brenda pesë vitesh.

SKUPI FESTIVAL shënon edicionin e 20-të jubilar me tetë shfaqje nga rajoni dhe Evropa

0


10–17 tetor 2026 | Teatri Shqiptar – Shkup- Festivali Ndërkombëtar i Teatrit SKUPI FESTIVAL shënon këtë vit edicionin e 20-të jubilar, duke sjellë në Shkup një program të përzgjedhur me produksione nga Kosova, Shqipëria, Polonia, Moldavia, Turqia, Bullgaria dhe Serbia, si dhe bashkëprodhime ndërkombëtare Suedi, Ukrainë Gjeorgji.

Nga 10 deri më 17 tetor, publiku do të ketë mundësi të ndjekë tetë shfaqje, me autorë dhe regjisorë të ndryshëm, që përmes gjuhëve dhe estetikave të ndryshme skenike trajtojnë tema njerëzore, shoqërore dhe universale.

Të gjitha shfaqjet e edicionit të 20-të të SKUPI FESTIVAL do të zhvillohen në Teatrin Shqiptar – Shkup.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, festivali sjell edhe një risi në përbërjen e jurisë: Merita Çoçoli, Vesna Kusleska dhe Anisa Ismaili, tri profesioniste të artit dhe kulturës, do të vlerësojnë shfaqjet pjesëmarrëse dhe do të përcaktojnë fituesit e tri çmimeve të festivalit.

Në qendër të vlerësimeve do të jetë Çmimi Kryesor “Shfaqja më e mirë” e Skupifestivalit   pastaj Juria do të ndajë edhe çmimin special “Luran Ahmeti”, i cili mban emrin e aktorit të njohur shqiptar dhe përfaqëson një homazh për kontributin e tij në skenën teatrore dhe kulturore.

PROGRAMI

10 tetor – “Unrecognized”

Jubileu hapet me premierën e shfaqjes “Unrecognized”, me autorë Davit Gabunia dhe Jeton Neziraj, në regji të Data Tavadze.

Luajnë: Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow, Shkëlqim Islami.

Produksioni është një bashkëpunim ndërkombëtar mes Qendrës Multimedia, Prishtinë; Teatrit Mbretëror Tbilisi, Gjeorgji; ÖrnProduction, Stokholm; Kyiv Academic Theatre on Pechersk, Kiev; Teatrit Shqiptar, Shkup; Teatrit të Qytetit të Malmos; Teatrit Dramatik Mbretëror, Stokholm; dhe Teatrit të Qytetit të Goteborgut.

12 tetor – “Hamleti”

Vepra klasike e Uilliam Shekspirit, “Hamleti”, vjen në regji të Jonida Beqos, nga Teatri Metropol, Tiranë.

Në shfaqje interpretojnë Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj, Urim Aliaj, Xhino Musollari, Amri Hasanlliu, Luisa Dinellari, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Jurgen Dervishi, Besmir Sula, Mario Bali, Sara Koci, Silva Brahimataj dhe Elion Guri.

13 tetor – “Sexoholic”

Nga Polonia vjen “Sexoholic”, me autor dhe regjisor Gregor Kempinski.

Luajnë Weronika Psiuk-Czerepak dhe Karolina Kochańska, ndërsa produksioni është i Teatrit Shtukofnia, Bytom.

14 tetor – “Gërrdia”

Programi vazhdon me “Gërrdia”, me autor dhe regjisor Astrit Kabashi.

Në skenë janë Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena. Produksioni është i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

15 tetor – “Gjërat që nuk thuhen”

Me autore Maria Ivanov dhe regji të Ana Batevas, shfaqja sjell në skenë aktoren Elena Frunze-Hartman.

Produksioni është i Teatrit “Aleksej Matejeviç”, Moldavi.

15 tetor – “Muhamed Ali”

Po atë mbrëmje prezantohet edhe “Muhamed Ali”, me autor dhe regjisor Turgaj Korkmaz.

Në rolin kryesor interpreton Erdem Kaynarca, ndërsa produksioni vjen nga Teatri Jolxhu, Stamboll, Turqi.

16 tetor – “Zoti i Masakrës”

Nga Bullgaria vjen “Zoti i Masakrës”, bazuar në veprën e Jasmina Reza, me regji të Anton Ugrinov.

Luajnë Alexandra Vasileva, Radena Valkanova, Vladimir Karamazov dhe Julian Vergov.

Produksioni është i Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov”, Bullgari.

17 tetor – “Ata nuk janë më”

Edicioni jubilar mbyllet më 17 tetor me shfaqjen “Ata nuk janë më”, me autor Doruntina Basha dhe regji të Andrej Nosov.

Në skenë interpretojnë Mirjana Karanović, Svetozar Cvetković dhe Alban Ukaj.

Produksioni është bashkëpunim i Hartefakt, Beograd; SARTR, Sarajevë; dhe My Balkans, Serbi dhe SHBA.

NJË JUBILE I NDËRTUAR MBI BASHKËPUNIMIN

Përgjatë dy dekadave, SKUPI FESTIVAL ka krijuar hapësirë për takimin e artistëve, teatrove dhe publikut nga vende të ndryshme, duke e kthyer Shkupin në një pikëtakim të rëndësishëm të skenës teatrore rajonale dhe ndërkombëtare. Ku kanë defiluar institucione të mëdha teatrore si dhe emra të njohur  evropjanë dhe botrorë nga arti interpretimit dhe regjisë. si dhe fushave tjera që bashkveprojnë me gjininë e teatrit.

Pasuria e këtij edicioni qëndron pikërisht në larminë e produksioneve dhe bashkëpunimeve, duke sjellë në një program të vetëm qasje të ndryshme artistike dhe përvoja të ndryshme teatrore.

Festivalin e drejton Muzbajdin Qamili – Muçi, ndërsa kryetar i Këshillit Artistik është Senko Velinov. Drejtor artistik është Osman Ahmeti, ndërsa në përbërje të ekipit janë Kushtrim Bekteshi dhe Betim Zeqiri. Koordinator është Xhaner Musiq, ndërsa dizajni është realizuar nga Eggra.

Edicioni i 20-të realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ujë Tepelena, Anda’s Kitchen, gazetës së përditshme KOHA, Televizionit Alsat-M dhe Radiotelevizionit të Maqedonisë.

Me përmbylljen më 17 tetor, SKUPI FESTIVAL do të shënojë dy dekada të një rrugëtimi të ndërtuar mbi teatrin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe komunikimin kulturor.



Kurti takon presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula: Na presin shumë punë

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë me presidenten e re të vendit, Justina Shiroka-Pula, pas zgjedhjes së saj në këtë post, përcjell TV21. Takimi mes dy krerëve të institucioneve është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit institucional, ndërsa pas përfundimit të tij Kurti është shprehur se përpara institucioneve të Kosovës ka shumë punë për të bërë.  Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës, duke marrë tashmë detyrën e kreut të shtetit. Takimi me kryeministrin Kurti shënon kontaktin e parë mes tyre që prej zgjedhjes së saj në këtë post.

Shembet ndërtesa shtatëkatëshe në Stamboll, dy viktima

0

Dy persona kanë vdekur pas shembjes së pjesshme të një ndërtese shtatëkatëshe në Stamboll, thanë zyrtarët. Ekipet e emergjencës po vazhdojnë përpjekjet për të arritur të paktën dy persona që vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja. 

Arsyeja e shembjes nuk dihet ende dhe hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet pavarësisht paralajmërimeve për një shembje të mëtejshme të ndërtesës, ka raportuar AP.

Tre katet e poshtme të ndërtesës, përfshirë një dyqan në katin përdhes, u shembën para agimit në lagjen Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, një qytet që ndahet në dy pjesë nga Ngushtica e Bosforit.

Banorët nga katet e sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa ekipet e kërkimit shpëtuan tetë persona të tjerë nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit nxorën dy trupa dhe po përpiqeshin të arrinin te dy persona që besohet se janë ende brenda, sipas zyrës së guvernatorit të Stambollit.

Më herët, guvernatori i Stambolli, Davut Gul, tha se ekipet e shpëtimit kishin kontaktuar me një 6-vjeçar të bllokuar në rrënoja. Nuk është bërë e ditur nëse fëmija është në mesin e atyre që shpëtuan.

Ai paralajmëroi se ndërtesa ishte në rrezik shembjeje të mëtejshme, dhe se kjo po pengon përpjekjet e shpëtimit. Ndërtesat aty pranë u evakuuan gjithashtu për siguri, tha guvernatori.

Stambolli dhe pjesë të tjera të Turqisë po kalojnë një program transformimi urban që synon të zëvendësojë ndërtesat e vjetra dhe të rrezikshme nga tërmetet me banesa më të sigurta.

Nga familja dhe bamirësia te rekordet! Njihuni me jetën e Harry Kane jashtë fushës

0

Harry Kane është një nga figurat më të rëndësishme të futbollit anglez të gjeneratës së tij. Përtej golave, rekordeve dhe trofeve individuale, sulmuesi është dalluar edhe për jetën e tij larg fushës, ku familja dhe angazhimi në kauza sociale kanë zënë një vend të rëndësishëm.

Kane është i martuar me të dashurën e tij të fëmijërisë dhe së bashku kanë katër fëmijë.

Ai ka mbështetur iniciativa bamirësie në ndihmë të forcave të armatosura dhe të shëndetit mendor, ndërsa ka krijuar edhe fondacionin e tij, të fokusuar në promovimin e mirëqenies mendore.

Pavarësisht viteve të kaluara në qendër të vëmendjes, Kane ka ruajtur një profil relativisht të qetë jashtë fushës. Ai njihet për stilin e tij të disiplinuar të jetesës, përkushtimin ndaj familjes dhe futbollit, duke shmangur një pjesë të madhe të polemikave që shpesh shoqërojnë jetën e futbollistëve të nivelit të lartë.

Në fushën e blertë, statistikat flasin qartë për madhështinë e tij. Kane është golashënuesi rekord i Tottenham Hotspur, goleador te Bayern Munchen dhe një prej golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtares së Anglisë.

Për shumë të rinj që ëndërrojnë të bëhen futbollistë, Kane përfaqëson më shumë sesa një golashënues. Karriera e tij tregon rëndësinë e punës, disiplinës, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë, ndërsa angazhimi i tij jashtë fushës ofron një tjetër dimension të figurës së tij publike.

Klinika e Urologjisë në Shkup: Mos i injoroni ndryshimet, karcinoma e penisit kërkon zbulim të hershëm

0

Karcinoma e penisit është një sëmundje e rrallë, por serioze, ndërsa zbulimi i hershëm dhe paraqitja në kohë te mjeku mund të kenë rëndësi të madhe në trajtim, përcjell TV21. Nga Klinika e Urologjisë në Shkup thonë se në Maqedoninë e Veriut regjistrohen rreth 1.7 raste në 100 mijë burra, normë që konsiderohet ndër më të lartat në Evropë, sipas të dhënave të IARC dhe HPV Information Centre.

Mjekët bëjnë thirrje që të mos neglizhohen plagët që nuk shërohen, gjakderdhja, trashja e lëkurës, ndryshimet e ngjyrës apo çdo ndryshim tjetër i pazakontë në organin gjenital mashkullor.

Në rast të diagnostikimit dhe trajtimit onkologjik, te pacientët e përzgjedhur mund të aplikohet edhe kirurgjia rikonstruktive, e cila mund të ndihmojë në rikthimin e pamjes, urinimit dhe funksionit seksual.

Nga Klinika e Urologjisë apelojnë që pacientët të mos kenë turp dhe të mos e shtyjnë kontrollin, por të kërkojnë në kohë ndihmë dhe ekzaminim urologjik.

Djali i presidentes së re të Kosovës, dikur yll i futbollit në Kosovë

0

Kuvendi i Kosovës zgjodhi së fundmi presidenten e re, akademiken Justina Shiroka-Pula.

Pak njerëz e dinë se Lekë Pula, djali i madh i presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pasur një karrierë të spikatur në futbollin kosovar.

Leka e nisi rrugëtimin te 2 Korriku, përpara se të kalonte te Prishtina, me të cilën fitoi edhe titullin kampion.

Më pas, ai veshi për disa vite fanellën e Flamurtarit, duke u aktivizuar kryesisht në qendër të mbrojtjes.

Në moshën rreth 30-vjeçare, Pula vendosi t’i japë fund futbollit për t’u përqendruar te studimet dhe karriera akademike.

Sot, ai është Doktor i Shkencave Ekonomike dhe profesor i asociuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Një histori interesante e një ish-futbollisti që nga stadiumet e Kosovës kaloi në botën akademike.

Presidentja Shiroka Pula: Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave

0
Shiroka pulav
Shiroka pula

Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Në Prekaz, Presidentja Shiroka Pula nderoi sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, tha Presidentja.

Gjatë homazheve te varri i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ajo vlerësoi urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e udhëhoqi Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.

“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, theksoi Presidentja Shiroka Pula.

Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, Presidentja nderoi jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia kushtoi një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.

“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, u shpreh ajo.

Presidentja Shiroka Pula theksoi se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.

Nga shitja e shalqinjve, specave dhe rrushit fituam 350 mijë euro, tha nëna e gjyqtarit Gjoko Ristov gjatë dëshmisë

0

Donka Ristova, nëna e gjyqtarit të Apelit Gjoko Ristov, sot dëshmoi në Gjykatën Penale, duke pretenduar se 350 mijë eurot e gjetura të fshehura në një mur të shtëpisë familjare në Negotinë janë të sajat dhe të bashkëshortit të saj, Zdravko, dhe se paratë i kanë fituar nga puna shumëvjeçare në bujqësi, përcjell TV21.

Para gjykatës, ajo tregoi se prej dekadash janë marrë me bujqësi, kanë kultivuar shalqi, speca, pjepër dhe vreshta, ndërsa prodhimet i kanë shitur në tregje, ndër të tjera edhe në Gornji Milanovac në Serbi.

“Ne jemi bujq. Shalqi, speca, pjepër… kudo nëpër tregje, nga Gornji Milanovaci, nuk ka treg ku nuk kam qenë. Kur mbollëm vreshtin, patëm fitim të madh prej tij”, dëshmoi Ristova.

Ajo shpjegoi se paratë e fituara i kishin kursyer gradualisht, fillimisht duke blerë marka gjermane, të cilat më vonë i këmbyen në euro. Për të zënë më pak hapësirë, kartëmonedhat i zëvendësonin me prerje më të mëdha.

Sipas dëshmisë së saj, paratë mbaheshin në një zgavër në mur, pas frigoriferit, të mbuluar me një pllakë të vjetër që ndodhej aty që nga ndërtimi i shtëpisë në vitin 1975. Ato ishin mbështjellë me folie të bardhë dhe vendosur në një qese, ndërsa për vendin e fshehtë dinin vetëm ajo dhe bashkëshorti i saj.

Ristova tha se nuk donin t’i mbanin kursimet në bankë, pasi nuk kishin besim në sistemin bankar. Një pjesë të parave, siç shpjegoi, i mbante edhe për të siguruar në të ardhmen qëndrimin e saj në një shtëpi për të moshuar.

Kur u pyet nëse djali i saj Gjoko i kishte dhënë ndonjëherë para, ajo ishte kategorike.

“Gjoko nuk më ka dhënë kurrë para. Nuk kërkoj nga fëmijët. Gjithçka është nga puna ime, nga bujqësia”, deklaroi Ristova.

Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje u ngrit çështja se pse në foliet në të cilat ishin paketuar paratë nuk ishin gjetur gjurmë biologjike të saj apo të bashkëshortit të saj, por vetëm të djalit të tyre, Gjokos.

“Si është e mundur që, nëse ju i keni vendosur paratë në foliet, të mos jetë gjetur as materiali juaj, as i bashkëshortit tuaj, por vetëm i djalit Gjoko?”, e pyeti gjyqtarja.

“Nuk besoj. Është krejtësisht e imja”, u përgjigj nëna e gjyqtarit.

Gjatë dëshmisë, Ristova konfirmoi gjithashtu se u kishte ndihmuar financiarisht djemve të saj, përfshirë edhe me 70 mijë euro Gjokos. Ajo u pyet edhe për pronat familjare, panelet fotovoltaike dhe investimet në apartamente.

Ajo theksoi se gjatë gjithë jetës kishte punuar shumë për të krijuar kursime, duke theksuar se toka u jepte edhe deri në tre të korra në vit.

33 motoçikleta të reja “Piaggio Beverly” për Policinë e Trafikut, kushtuan 274 mijë euro

0

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacion, Goran Angelovski, morën pjesë sot në dorëzimin e 33 motoçikletave të reja policore dhe pajisjeve mbrojtëse për policinë e trafikut, përcjell TV21. Bëhet fjalë për motoçikleta “Piaggio Beverly 310 HPE”, së bashku me helmeta, xhaketa, pantallona, çizme dhe doreza verore e dimërore.

Vlera e përgjithshme e prokurimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Duke e ndarë shumën në 33 motoçikleta, së bashku me pajisjet mbrojtëse, kostoja mesatare është rreth 8.300 euro për një motoçikletë me kompletin e pajisjeve.

Toshkovski tha se modernizimi i policisë së trafikut, së bashku me sistemin “Qyteti i Sigurt”, synon uljen e numrit të aksidenteve, të të lënduarve dhe viktimave në rrugë.

“Pas çdo numri qëndron një jetë njerëzore. Nëse me këto masa arrijmë të shpëtojmë qoftë edhe një jetë, atëherë çdo denar dhe çdo përpjekje ia kanë vlejtur”, tha Toshkovski.

Nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion theksuan se investimet në pajisje moderne do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë dhe forcimin e kontrolleve të trafikut.