Vuçiq: Do të bisedojmë për telekomin, energjinë, Mbrojtjen Civile e urën e Ibrit

0

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë sot se qëllimi kryesor i Serbisë në dialogun Kosovë – Serbi është që serbët të qëndrojnë në Kosovë dhe që t’ju ofrohet siguria.

“Detyra jonë kryesore është që serbët të mbesin në Kosovë dhe t’i ndihmojmë që të jenë të sigurt. Ne shpresojmë se do të ketë mirëkuptim në kërkesat tona”, ka thënë Vuçiq për radiotelevizionin e Serbisë.

Ai ka shtuar se raundi i ri i dialogut do të zgjas “sonte deri kush e di kur në mënyrë që të arrihen marrëveshje të cilat nuk do t’i dëmtonin interesat nacionale për të cilat Bashkimi Evropian vlerëson se janë të nevojshëm”, transmeton Koha.net.

Ai ka sqaruar se do të bisedohet për problemet e telekomunikacionit dhe të energjisë, problemet e sigurimeve, për çështjen e Mbrojtjes Civile, për buxhetin e komunave në veri të Kosovës si dhe për urën mbi Ibër.

“Kemi provuar t’i sqarojmë problemet psikologjike të serbëve, kemi sjell një incizim të sulmit me thika për ta kuptuar se çfarë rreziku u kanoset serbëve”, ka shtuar Vuçiq.

​Kosovës i duhet Gjykata Speciale

0

Kosova do të ecë përballë disa proceseve të rrezikshme për shtetësinë e saj, por gjithashtu edhe për kredibilitetin e saj, në veçanti ndaj Këshillit Evropian dhe Bashkimit Evropian, po qe se shteti nuk adreson obligimin ndërkombëtar që ka marrë përmes Kuvendit të Kosovës.

Kështu u tha sot gjatë prezantimit të një studimi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GSPJ), në tryezën e rrumbullakët me temë “A duhet Kuvendi i Kosovës të themelojë Gjykatën Speciale?”.

Qëndrim që mbizotëroi në tryezën ishte se Kosova ka nevojë për një Gjykatë Speciale, ku krimet e bëra gjatë kohës së luftës do të hapen, do të zgjidhen dhe më kurrë nuk do të rihapen përsëri.

Emma Found, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, gjatë prezantimit të studimit të bërë, tha se në rast të moskrijimit të kësaj Gjykate, atëherë një numër i madh i pasojave do të paraqiten për Kosovën dhe imazhi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar do të jetë i dëmtuar
“Ne e dimë që Kosova ka mundësi për të vendosur veprimin e saj në këtë çështje. Nëse nuk e krijon këtë Gjykatë Speciale, atëherë ka një numër të pasojave që mund të ndodhin apo të paraqiten. Kjo do të ishte fokusi që unë do t’ju ofroj edhe pse disa tema tjera dhe analiza janë të përfshira po ashtu në opinione. Çdo njëra nga alternativat që do t’i diskutojmë do të ketë implikacione negative për shtetin e Kosovës. Përveç kësaj, imazhi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë do të jetë dukshëm i dëmtuar. Në anën tjetër nëse Kosova zgjedh që të themelojë Gjykatën Speciale do të demonstrojë dedikimin e saj për t’i përmbushur të gjitha obligacionet ndërkombëtare, legale dhe po ashtu interesimi i tyre që të ketë edhe më tutje bashkëpunim ndërkombëtar. Pra, Kosova do të dëshmojë se është e dedikuar në sundimin e ligjit edhe nëse merret me tema të krimit të luftës. Pra, sa i përket debatit të këtillë rreth themelimit të kësaj Gjykate, kjo ka shërbyer për të parë se cilat pasoja paraqiten nëse kjo dështon”, tha Found.

Edhe Fisnik Korenica, nga GSPJ tha që rezoluta 1244 do të jetë referim për skenarët ndërkombëtarë, të cilët i referohen Gjykatës Speciale.

”Skenarët ndërkombëtarë që i referohen Gjyaktës Speciale, do të kenë referim tek rezoluta 1244 dhe Kosova si një territor i administruar nga Kombet e Bashkuara, gjë që është një gjë tepër e rrezikshme për shtetësinë tonë, është një hap prapa dhe natyrisht një instrument për shtetet që nuk e duan të mirën e Kosovës, për ta luftuar shtetësinë tonë ndërkombëtarisht dhe për ta luftuar anëtarsimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë e në veçanti në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian”, tha Korenica.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, i cili tha se është pro themelimit të Gjykatës Speciale duke përmendur disa arsye për këtë.
“Sa i përket pyetjes se a duhet Kosova të themelojë këto dhoma speciale, siç i quajmë tani këto dhe përgjigjja ime kuptohet është Po, për arsye sepse tani sapo u listuan alternativat të cilat u listuan, mirëpo unë kam edhe mendimet e mia rreth kësaj. Meqenëse Kosova do të ketë dobi nëse pra themelon këto dhoma speciale. Arsyeja e parë është të themelohet e vërteta për drejtësinë, të vihet drejtësia në vend. Nga raporti i Këshillit të Evropës para disa viteve kanë dalë akuza shumë të rënda. Janë përmendur në atë raport dhe kanë qëndruar mbi Kosovën, por tani koha ka ardhur të sqarohen këto gjera, këto supozime me të cilat do të del në shesh e vërteta”, tha ai.

Sipas shefit të BE-së në Kosovë, janë individët që duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e supozuara të luftës e jo shteti i Kosovës.

Amasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, tha se nëse Gjykata Kushtetuese jep dritën e gjelbër, atëherë puna e saj duhet të fillojë para vitit 2016.
“Çdo diskutim ndërmjet Holandës dhe Kosovës, sa i përket vajtjes në oda speciale të Holandës bëhet relevante vetëm kur Kosova formulon formalisht, i themelon këto dhoma nën ligjet e tjera kombëtare dhe kur BE-ja merr vendime pozitive në financimin e këtyre dhomave speciale. Gjykata Kushtetuese nëse jep pra dritën e gjelbër dhe nëse është përcaktuese në këto diskutime, në çdo parashikim sa i përket punës në këto oda, është ende e vrazhdë dhe është duke dhënë ende variabla të ndryshme. Nëse Holanda vendos pozitivisht në vajtjen e këtyre dhomave speciale, procesi i Kosovës dhe BE-së janë një sukses i kompletuar që këto dhoma të fillojnë këtë punë para 2016 për shkak të zbatimit të negociatave me Kosovën”, tha Bosch.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, Teuta Sahatçia, tha se kjo temë nuk është e re dhe se mandatin e kaluar, në Parlamentin e Kosovës është votuar pro themelimit të kësaj Gjykate.

“Mendoj që shteti i Kosovës, si çdo shtet i ri duhet të jetë në gjendje që institucionet e këtij shteti të jenë ato të cilat do të ballafaqohen me sfida jo të lehta, sfida të rënda, por me sfida të cilat do ta sigurojnë një të ardhme të mirë të shtetit të Kosovës. Ne e dimë se kjo temë, nuk është temë e re, nuk është temë e cila tash doli. Në mandatin e kaluar, në Parlamentin e Kosovës, ne veç e kemi votuar, do të thotë që e kemi pasur një shumicë të mjaftueshme, e cila ka votuar për krijimin e bazës për Gjykatën Speciale”, tha ajo.

Sahatçia tha po ashtu se ka qenë pjekuria e partive të opozitës të cilat janë marrë me këtë temë jopopulliste dhe që kanë votuar pro saj. Prandaj, ajo shpreson që deputetët të jenë të gatshëm që përsëri në mandatin e pestë të bëjnë një veprim të duhur për Kosovën dhe për të ardhmen e saj.

​Incidenti në Gushincë, Ivanov thirrë mbledhje urgjente

0

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov konvokoi takim në të cilin institucionet kompetente nga fusha e mbrojtjes, sigurisë dhe kundërzbulimit do ta informojnë kreun shtetëror të Republikës së Maqedonisë për ngjarjet që kanë ndodhur në Goshincë të Likovës.

Takimi, siç theksohet në kumtesë, do të mbahet sonte në Kabinetin e Presidentit, pas kthimit në shtet të kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski nga Roma dhe të kryetarit të Qeverisë Nikolla Gruevski nga Brukseli.

​“Llogaritari i Aushtwitzit”: Pranon fajin moral

0

Sot në Gjermani ka filluar gjykimi ndaj 93 vjeçarit Oskar Groening i cili akuzohet për gjenocid ndaj njerëzimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ish roja e nazizmit i njohur si ” llogaritar i Aushvwitzit ” , ka pranuar se “moralisht” është fajtor .

Groening foli në fillim të gjyqit të tij për të qenë një pjesëmarrës për vrasjen e të paktën 300 mijë hebrenjve në kampin e përqendrimit .

Ai e përshkroi rolin e tij që kishte në Aushwitz e që ishte të numërojë paratë e konfiskuara nga të rinjtë. Groening tha se është dëshmitar për vrasjet masive , por mohoi çdo rol të drejtpërdrejtë në gjenocid .

Aktakuza merret vetëm me të ashtuquajturin ‘Operacioni i Hungarisë’ kur më shumë se 434 mijë hebrenj hungarez u dërguan në Auschwitz, diku rreth 300 mijë prej tyre ishin vrarë në dhomat më gaz.

Avokati Donat Hebert, që përfaqëson shtatë viktimat në këtë rast ka thënë se deri më tani më shumë se 60 viktima janë përfaqësuar në gjyq.

“Ndërsa unë përfaqësoj shtatë nga ta”, ka thënë avokati Hebert për KosovaPress.
Sipas tij gjykimi ka gjasa të zgjasë deri në korrik ku janë paraparë 25 seanca gjyqësore.
“Zyra e prokurorit në Hanover e ka ngritur aktakuzën. Por, ka pasur presion nga ana e disa avokatëve për ta bërë atë, të cilët i përfaqësojnë të mbijetuarit dhe/apo familjet e viktimave”, tha Hebert.
Sipas tij shumica e viktimave janë vrarë, por disa i mbijetuan tmerrit të Auschwitzit.
Deri më tani sipas Hebert janë pesë avokatë, të cilët përfaqësojnë më shumë se 50 viktima të Holokaustit.

Ish- Presidenti Egjiptian dënohet me 20 vjet burg

0

Gjykata në Egjipt e shpalli fajtor dhe e dënoi ish Presidentin e Egjiptit Muhammed Mursi me 20 vjet burgim. Mursi u rrëzua nga pushteti pas një grushti ushtarak nga ushtria me arsyen se po e çonte vendin drejt diktaturës duke përdorur fenë Islame. Grushti i shtetit erdhi pas tentativave të Mursit që të kishte kontroll absolut ndaj pushtetit gjyqësor. Mursi e kishte mbështejten nga grupi i një nëndarje Islame me emrin ‘vëllezërit myslimanë’.

Lunacek: Të anulohet fletarrestimi për Thaçin, si në rastin e Tony Blair-it

0

Eurodeputetja, Ulrike Lunacek, gjatë qëndrimit në Kosovë nuk ka lënë pa e komentuar qasjen e Qeverisë së Serbisë për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Thaçi në Beograd.
Duke folur për këtë vendim, Lunacek ka thënë se Serbia duhet ta anulojë aktvendimin e gjykatës serbe, që ishte marrë në kohën e Millosevicit.

“Autoritetet në Beograd duhet ta anulojnë fletarrestimin ndaj ministrit te Jashtëm të Kosovës, i cili daton që nga koha e Milloshevicit”, ka thëne Lunacek.
Sipas saj, Serbia duhet të ndjekë shembullin e njëjtë të anulimit të fletarrestimit sikur në rastin e Tony Blair-it.

Kadri Bajrami: S`kam lidhje me sulmet në Gushincë

0

Kadri Bajrami emri i të cilit është përmendur nga maqedonasit si i involvuar në sulmet në Gushincë, ka demantuar se ka marrë pjesë në këto sulme. Unë jam fshatar dhe tërë ditën jam marrë me punët e shtëpisë. U befasova kur e dëgjova emrin tim në lajme shprehet Bajrami.
Kadri Bajrami nga Stanqiqi i Gjilanit ka përgënjeshtruar zyrtarët maqedonas se ai së bashku me tre të tjerë nga Gjilani ka marrë pjesë në sulmet e Gushnicës, raporton rajonipress

Kadri Bajrami tha për rajonipress se ai as që ka kohë të merret me gjëra të tilla.”Unë jam fshatar dhe tërë ditën jam marrë me punët e shtëpisë dhe të familjes. U befasova kur e dëgjova emrin tim në lajme. E demantoj këtë gënjeshtër sepse unë jetojë në brezin kufitar dhe merrem me bagëti dhe punë shtëpiake ku edhe e mbajë familjen time” tha Bajrami.

Prishtina e fiton ndeshjen e parë finale

0

Prishtina ka fituar takimin e parë të finales në Ligën Ballkanike ndaj Rilskit me rezultat 74 me 72.

Në sallën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, klubi kryeqytetas fitoren e rëndësishme e siguroi në periudhën e fundit dhe tani me diferencë prej 2 pikësh shpreson të sigurojë titullin e parë në Ligën Ballkanike.

Periudha e parë i takoi mysafirëve nga Bullgaria që fituan me gjashtë pikë epërsi, 27 me 21 dhe epërsinë arritën ta mbajnë deri në periudhën e fundit. Në periudhën e dytë dhe të tretë “Plisat” ngushtuan rezultatin në vetëm një pikë. 55 me 56 në të mirë të Rilskit ishte rezultati përfundimtar i çerekut të tretë.

Periudha e fundit i takoi Prishtinës që riktheu rezultatin dhe në fund siguroi fitoren e parë me rezultat 74 me 72.

Lojtari i ndeshjes te Prishtina ishte Edin Bavcic që realizoi 23 pikë. Ai u ndihmua nga Dardan Berisha me 18 pikë.

Barazimi apo edhe humbja minimale në ndeshjen e kthimit e shpallë Prishtinën kampion të Ligës Ballkanike.

​Nis bashkëpunimi Ferizaj-Elbasan

0

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, u dakorduan të martën që të fillojë jetësimi i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ferizajt dhe Elbasanit.

Gjatë një vizite në Ferizaj, ambasadori Minxhozi dhe kryetari Svarqa, biseduan për mundësi të shumta bashkëpunimi ndërmjet komunave dhe grupeve të interesit nga Kosova dhe Shqipëria.

Në tetorin e vitit të kaluar, gjatë një vizite në Elbasan, kryetari Svarqa dhe kryetari i Elbasanit Qazim Sejdini, patën biseduar për ngritjen e një partneriteti ndërmjet dy qyteteve në sfera të ekonomisë, arsimit, kulturës, sportit etj.

Si hap i parë i këtij partneriteti, do të jetë vizita e nxënësve elbasanas, por edhe nga qytete të tjera shqiptare në Ferizaj më 9 maj të këtij viti. Ata pritet që, të shoqëruar nga nxënës ferizajas, të vizitojnë ndonjë shkollë, muzeun e qytetit, fenomenin e Bifurkacionit të Nerodimes etj.

Ndërsa në perspektivën e partneritetit, pritet këmbimi i një kontingjenti nxënësish ferizajas dhe elbasanas të shkollave të mesme, për ta kaluar një vit shkollor në qytetet reciproke. Por kjo gjë tash për tash është një ide, e cila do të diskutohet me ministritë e arsimit të të dyja vendeve ka bërë të ditur zyra për informim e kryetarit.

Kryetari i Ferizajt, Svarqa dhe ambasadori shqiptar, Minxhozi, u pajtuan se ekzistojnë mundësi të shumta të pashfrytëzuara bashkëpunimi, që do të sillnin përfitime të dyanshme.

​Ambasada e Amerikës në Prishtin​ë, nis shtëpinë e re

0

Ishte viti 1996 kur Qeveria amerikane hapi në Prishtinë zyrën e parë të saj, ku prezantohej vlera dhe kultura amerikane në Kosovë.
Më vonë kjo zyre u shndërrua në ambasadë dhe tani po zgjerohet edhe më shumë.

Kjo ambasadë e cila tashmë udhëhiqet nga Tracy Ann Jacobson, ka nisur sot punën për ndërtimin e objektit të ri në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, raporton KosovaPress.

Përreth kësaj hapësire është bllokuar edhe qarkullimi i automjeteve, në rrugën që të qon tek ndërtesa e re e komunës së Prishtinës.

Dhënia në shfrytëzim e tokës ku po ndërtohet ky objekt është dhënë qysh në vitin 2009, ku kryetari i atëhershëm i komunës së Prishtinës Isa Mustafa dhe ish – ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë nënshkruan një memorandum.

Kjo tokë prej pesë hektarësh është dhënë në shfrytëzim për 99 vjet. Ndërtimi i saj ishte paraparë të niste në vitin 2013 dhe të inaugurohej në vitin 2015, por kjo nuk ka ndodhur deri më sot.

Kajdanov kishte vlerësuar atëherë se më këtë tokë sigurohet që populli amerikan mund të themelojë një prani moderne edhe efektive diplomatike në Prishtinë./KosovaPress