Procesi i reformimit të administratës publike që ka filluar vite më parë në vend duhet të përfundojë deri në fund të muajit maj. Kështu ka deklaruar sot Kryeministri Isa Mustafa, gjatë takimit të Këshillit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike.
“Dua të them se ne domosdoshmërish duhet ta bëjmë këtë proces, duhet ta përfundojmë procesin në të gjitha dimensione e tij, unë kam parë punët që janë bërë në zyrën e kryeministrit ato të cilat kanë mbetur për t’u bërë. Dëshiroj të kem informata edhe prej ministrive të tjera për të parë se ku janë me detyrimet e tyre dhe me përmbushjen e obligimeve të tyre dhe të bëjmë një agjendë të cilën ne dëshirojmë ta përmbyllim deri në fund të muajit maj dhe jo më tutje, sepse periudha tjetër mbetet periudhë e bashkërendimit dhe korrigjimeve të nevojshëm të cilat duhet t’i bëjmë me Bashkimin Evropian“, theksoi Mustafa.
Mustafa përmendi edhe sistemin e pagave për të cilat tha se duhet të jenë të barasvlershme me punën që bëhet, dhe që në këtë kuadër të ketë edhe vlerësim të punës që bën çdo njeri i përfshirë në administratën publike.
I pranishëm në takim ishte edhe ministri i Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal, Mahir Jagxhillar , i cili tha se reforma është një prej çështjeve kryesore dhe kërkesë nga Bashkimi Evropian në procesin e marrëveshjes së stabilizim asociimit, për çka edhe sot dhe që nga janari janë organizuar grupe punese për të kryer sa më shpejt këtë proces të nisur kohë më parë.
Ndryshe reforma në administratën publike ka filluar qysh pas pavarësimit të vendit, dhe vazhdon të ketë ngecje në realizimin e këtij procesi./21MEDIA/
