Banorët e fshatit Cërmjan të Gjakovës do të mbesin dy ditë pa energji elektrike për shkak të punimeve në ndërtimin e linjës interkonektive që lidhë Kosovën me Shqipërinë. Kurse, fshati Orllat i Drenasit do të mbetet pa energji elektrike pesë ditë.
Sipas një njoftimi të KOSTT-it, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë për realizimin e punimeve më 20 dhe 21 gusht, nga ora 08:00-11:00, si dhe nga ora 14:00-18:00 do të shkyqet linja LP 10 kV Cërmjan (Gjakovë).
Gjithashtu, nga data 20 deri më 25 gusht, duke filluar nga ora 08:00 dhe deri në 11:00, si dhe nga ora 14:00-18:00 do të shkyqet linja LP 10 kV Orllati.
“Çkyqjet janë të domosdoshme për të mundësuar punimet në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. Gjatë kohës së lartcekur institucionet dhe qytetarët që furnizohen nga LP 10 kV Cërmjan (Gjakovë) dhe LP 10 kV Orllat do të mbesin pa furnizim me energji elektrike (parashihet 1 MË)”, thuhet në njoftimin KOSTT-it.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Shqipëri Arben Ahmetaj e ka konsideruar 2015-ën si vitin më të mirë sa i përket sektorit të turizmit, me një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve. Edhe pse bilanci vjetor do ende kohë, të dhënat e 6 mujorit të parë tregojnë se sivjet janë 140 mijë vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ndërkohë që qeveria po i fokuson politikat e saj drejt një turizmi gjithëvjetor, në të 12 muajt e vitit; një potencial që Shqipëria e ka me bollëk. Ministri tha se synimi është që këtë vit të arrihet një shifër prej 3.5 mln turistë në total.
Risi për Ahmetajn këtë vit është edhe tipologjia e turistëve që kanë ardhur në Shqipëri, jo thjesht nga rajoni por nga e gjithë bota.
Ndërsa foli edhe për ligjin e ri të turizmit që nuk gjeti konsensusin e opozitës dhe nuk u dekretua as nga presidenti Nishani, Ahmetaj tha se presidenti e ka bërë zakon të kthejë ligjet, dhe se në shtator Parlamenti do e kalojë sërish ligjin pasi se nuk ka çfarë ti ndryshojë.
Ahmetaj i bëri këto deklarata sot ndërsa pati një takim me një gurp turistësh dhe arkeologësh italianë të cilët shfaqën interes për të vizituar dhe eksploruar Rrugën Egnantia, të cilën qeveria synon ta kthejë në një atraksion turistik të karakterit historik dhe kulturor.
Banorët e rajoneve të prekura nga vërshimet në Tetovë ende po përballen me pasojat e shiut, të cilët po ankohen për ritmin e ngadaltë të punimeve për pastrimin e vendbanimeve të tyre.
Një pjesë e banorëve të fshatit Reçicë kanë thënë se janë detyruar të paguajnë personalisht ekskavatorë me qëllim që të pastrojnë shtëpitë e tyre brenda, pasi që sipas tyre, pavarësisht kërkesës për pastrim, autoritet lokale janë angazhuar vetëm për pastrimin e rrugëve por jo për shtëpitë dhe oborret e tyre.
“Krejt me pagesë e pastrojmë këtë vendin. Komuna vetëm jashtë rrugët i pastron, kurse ne me pagesë, ndërsa sa do të na kërkojnë nuk e dimë. Komisioni vjen edhe shkon, rrinë në kafe. Neve sot na treguan se është dita e fundit po qe se e pastroni e pastroni, nëse jo do të mbetet kështu”, ka thënë një banorë i fshatit për Alsat M.
Në Komunën e Tetovës i hedhin poshtë ankesat e qytetarëve ndërkohë që thonë se punimet po zhvillohen në mënyrë intensive.
“Banorët në njëfarë forme edhe është dashur të angazhohen të gjithë që sado pak të japin kontribut në këtë drejtim, me këtë edhe disa banorë që kanë qenë më pak të vërshuar ato i kanë pastruar vet shtëpitë, mirëpo te ata që ka pasur material të madh dhe është dashur të përdoren makineri të gjithë banorëve u është dalë në ndihmë për t’i pastruar oborret nga këto vërshime”, tha Hisen Xhemaili, Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.
Zyrtarët komunal ndonëse nuk bëjnë të ditur nëse kanë analizuar rajonet e rrezikuara nga përmbytjet e mundshme, ata thonë se një Komision i përbërë edhe nga ekspertë të Bashkimit Evropian po inspekton të gjitha vendet dhe brenda 10 ditësh do të dalë me një plan për përmirësimin e infrastrukturës në këto rajone.
Ndërkohë në shumë rajone të prekura nga vërshimet vazhdon ndalesa për pirjen e ujit nga çezmat. Autoritet lokale theksuan se punimet për pastrimin e ujit vijojnë dhe do të përfundojnë së shpejti.
Instiuti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se institucionet shtetërore dhe agjencitë antikorrupsion vazhdojnë ta kenë prioritet luftën kundër korrupsionit, por të dhënat tregojnë se ky prioritet mbetet vetëm në letër. Këto vlerësime u bënë të ditura në raportin e publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me temën “Në Kërkim të Rrugës për Luftimin e Korrupsionit”.
Në Kosovë është rritur numri i rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me korrupsion. Instituti i Kosovës për Drejtësi evidenton se nga 515 raste të pazgjidhura sa ishin në vitin 2013, deri në qershor të këtij viti, ky numër është rritur në 589./ 21 Media
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, ka vizituar komunën e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut.
Gjatë vizitës në Han të Elezit, ministri Hyseni u prit nga nënkryetari i kësaj komune, z.Menduh Vlashi dhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi.
Nënkryetari i Hanit të Elezit, z. Vlashi i bëri të ditur ministrit Hyseni se në këtë komunë në përgjithësi ka trend të rënies të veprave të ndryshme kriminale.
Ne takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi u tha se në këtë komunë mbahen takimet e rregullta, ku raportohet për sigurinë në përgjithësi.
Ministri Hyseni tha se duhet ngritur nivelin e debatit në rend të parë me qytetarë, në nivele më sociale, në mënyrë që mesazhi të depërtojë në mënyrën më efikase.
“Ju duhet të dërgoni tek qytetarët mesazhin për veprimet parandaluese dhe edukuese kundër dukurive të këqija që mund të godasin komunën dhe Kosovën në përgjithësi. Me këtë ndihmojnë shumë Policinë e Kosovës që të ketë punë më pak dhe në këtë mënyrë pasojat të jenë më të vogla”, tha ministri Hyseni.
Ministri Hysnei vuri në dukje se në Kosovë me shekuj është kultivuar harmonia fetare, diversiteteti kulturor, fetar dhe etnik, që është një pasuri e këtij vendi, që duhet ta kultivojmë dhe ta ruajmë llojllojshmërinë multietnike dhe multikonfeksionale.
Edhe në takim me kryetarin e komunës së Kaçanikut, z. Besim Ilazi, u tha se gjendja e sigurisë së përgjithshme në këtë komunë është stabile dhe e qetë.
Me këtë rast ministri Hyseni theksoi se është obligim moral dhe qytetar që të gjithë institucionet, predikuesit fetarë, këshillat e prindërve dhe grupet e ndryshme të grave që të dërgojnë mesazhin e paqes dhe tolerancës.
Ministri Hyseni tha se Policia e Kosovës është marrë efektivisht me ekstremizmin e dhunshmen, në mënyrë shumë të suksesshme, ka bërë arrestimin e personave që kanë qenë të dyshuar për terrorizëm.
“Ne jemi të interesuar që të merremi sa më pak me veprime represive. Ne duhet të angazhohemi që të gjithë që të parandalojmë veprimet e tilla në mënyrë që të mbrojmë qytetarët tanë, familjet e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi”, tha ministri Skender Hyseni.
“Familja ime dhe unë presim t’i eksplorojmë traditat e lashta të Kosovës dhe bukurinë e saj natyrore dhe ta shijojmë makiaton e Kosovës për të cilën thuhet që është më e mira në botë”, këto janë fjalët që ka dhënë përmes një video ambasadori i ri i Amerikës në Kosovë Greg Delawie.
Ai, i cili do të nis misionin shumë shpejt në Kosovës përmes kësaj video bënë një njoftim përmbledhës sa i përket personalitetit të tij dhe familjes.
Ambasadori Delawie thotë në këtë video se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, thotë ai.
Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.
Delawie ka shërbyer si zëvendësndihmëssekretar për verifikim, planifikim dhe siguri evropiane në Zyrën për kontrollim, verifikim dhe pajtueshmëri të armëve. Ishte përgjegjës për Zyrat për çështje të sigurisë euroatlantike, verifikim, planifikim dhe kontaktim, dhe i Qendrës për reduktim të rrezikut bërthamor.
Para kësaj detyre, Delawie ka shërbyer si zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Berlin, Gjermani, ku ishte zyrtari kryesor operativ i njërit prej misioneve më të mëdha të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Para Berlinit, ai ishte zëvendësndihmëssekretar në Zyrën për çështje politiko-ushtarake, ku ishte personi kryesor i Departamentit të Shtetit për çështje kundër piraterisë dhe menaxhoi programet për çminim humanitar, negocim të marrëveshje për status të forcave, dhe marrëdhënie shtet-mbrojtje.
Delawie gjithashtu ka shërbyer jashtë vendit si zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Zagreb, Kroaci, dhe në pozita të ndryshme në Romë, Ankara dhe Frankfurt. Në detyra të tjera në Uashington ai ka punuar në çështje të tregtisë bilaterale, politika të burimeve njerëzore, siguri të aviacionit, si oficer për Organizatën për bashkëpunim dhe zhvillim eko nomik, dhe si zyrtar mbikëqyrës në Qendrën për operacione të Departamentit të Shteti.
Shefi i Misionit EULEX Gabriele Meucci dhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u takuan sot për të diskutuar lidhur me përgatitjet dhe gatishmërinë e qeverisë për përfundimin e mandatit të EULEX-it në qershor 2016.
Sipas një komunikate të EULEX-it, ky mision i gëzohet vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Kryeministrin dhe autoritetet e Kosovës për ta siguruar plotësimin e standardeve dhe arritjen e përparimit të fuqishëm gjatë 10 muajve të fundit të mandatit të tij.
David Holbrooke, djali i diplomatit të ndjerë Amerikan Richard Holbrook, është duke qëndruar për një vizitë në Kosovë, me ç’rast edhe do të promovoj filmin “The Diplomat”, kushtuar karrierës dhe trashëgimisë së babait të tij.
Gjatë qëndrimit të tij, ai sot u takua me kryetarin e Vitisë Sokol Halitin, vend ky i cili vit më parë ka ngritur bustin e babit të tij në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në Kosovë.
Pas këtij takimi ai vizitoi edhe bustin e tij ku edhe vendosi lule.
Me këtë rast ai tha se ai dhe familja e tij ndjehen shumë të emocionuar dhe të nderuar nga kjo komunë./ 21 Media
Më 10 shtator ne teatrin “Schlachthaus Bern” të Bernës jepet premiera e shfaqjes “Kosovo for Dummies” me autor teksti dramaturgun njohur nga Kosova Jeton Neziraj. Bashkëproducente e shfaqjes është aktorja shqiptare që jeton në Zvicër, Albana Agaj.
Aktorja dhe producentja e re me rrënjë shqiptare nga Kosova, Albana Agaj tregon për albinfo.ch rreth shfaqjes “Kosovo for Dummies”, rreth asaj se si ka lindur ideja e bashkëpunimit me Nezirajn në një projekt zviceran-kosovar dhe si po shkojnë punët drejt vënies në skenë. Albana po ashtu flet për karrierën e saj të deritashme teatrore, për preokupimet artistike, lidhjet me Kosovën, Prishtinë e saj etj.
Albana Agaj është aktore e diplomuar e teatrit, e cila prej disa vitesh krijon artin e saj në teatro të ndryshme në Zvicër në Gjermani e gjetiu. Ka afër dy vjet që drejton edhe një trupë teatrore që mban emrin “forever productions” (foreverproductions.ch).
E lindur në vitin 1982 në Prishtinë dhe e ardhur në Zvicër me familjen në moshën 11 vjeçare, Albana në vitin 2007 ka mbaruar studimet për aktrim në Shkollën e Lartë të arteve në Bernë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ajo është angazhuar si aktore në teatrin “Teather an der Ruhr” (Mühlheim, Gjermani).
Para dhe pas kësaj ka luajtur me sukses një numër shfaqjesh në disa projekte teatrore në Vjenë, Bernë Munih, etj. Madje në vitin 2006 ajo ka marrë çmimin e parë “Max-Reinhardt dhe çmimin e publikut në takimet e studentëve gjermanishtfolës të aktrimit. Ndërsa në periudhën si aktore në “Theater an der Ruhr”, ajo ka pasur angazhim të rregullt dhe në role të rëndësishme në shumë shfaqje të inskenuara në këtë teatër. Bëhet fjalë për dramat si “Vdekja e Dantonit”, të autorit Georg Büchner, ”Babai” i August Strindberg, “Dona Rosita ose gjuhët e luleve” të Frederico Garcia Lorca, etj.
Ndërsa një angazhim që Albana e ka shumë për zemër ka qenë ai në teatrin e madh “Schauspielhaus Wien” të Vjenës, pasi që për të dhe për shumë aktorë, Vjena mbetet qytet i teatrit dhe i aktorëve.
Kisha Ortodokse serbe, brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës, mund të përfundojë në listën e rrënimeve, pasi askush nuk ka aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje, në afatin që është përmbyllur në fillimqershor të këtij viti, raporton Radio Televizioni Dukagjini.
E ndërtuar nën masat e dhunshme të viteve të 90’ta, kisha ‘Shpëtimtari i Krishtit’, është në shpërputhje edhe me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Paragrafi 2 i nenit 12 të këtij Ligji thotë se inspektimet e ndërtimit pa leje, duhet të përcaktojnë që aplikimet për leje për legalizim do të refuzohen, nëse organi kompetent është ndërtuar në pronë publike, përkatësisht në zonë me interes publik.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Xhevdet Pozhari, ndonëse nuk e ka thënë drejtpërdrejt se ky objekt do të përfundojë në listën e rrënimeve, ka theksuar se Ligji është i qartë.
“Kisha Ortodokse Serbe nuk ka pikë të regjistrit, domethënë nuk është aplikuar për regjistër të ndërtimeve pa leje. Në këtë rast, të gjitha ato objekte të cilat janë të ndërtuara në zona publike nuk do të trajtohen, ose do të trajtohen me ligjet në fuqi, mirëpo nuk mund të legalizohen. Tash, si do të veprohet në rastin konkret, Ligji është i qartë, por ta shohim”, ka thënë Pozhari.
Kisha Ortodokse ishte ndërtuar në vitet 1992/1993. Konstruktimi i saj kishte filluar në vitin 1995, por ndërtimi i saj është ndërprerë gjatë luftës në vitin 1999.
Zëdhënësi Pozhari ka folur edhe për numrin e objekteve që janë regjistruar pa leje. Ai tha se janë mbi 40 mijë sosh që i janë nënshtruar procesit të regjistrimit.
“Janë regjistruar të gjithë ndërtimet pa leje. Kemi rreth 46 mijë ndërtime pa leje. Ka qenë një shkatërrim, degradim total i qytetit, megjithatë tash është një Ligj në fuqi, i cili na mundëson për t’i trajtuar këto ndërtime”, shtoi Pozhari.
Palët të cilët i kanë regjistruar ndërtimet pa leje, sipas procesit për legalizimin e objekteve, duhet të aplikojnë për t’i legalizuar ato, të cilat më pas do të shqyrtohen nga organet përgjegjëse të komunës nëse objektet do të legalizohen apo rrënohen