Albana Agaj dhe Jeton Neziraj sjellin Kosovën në teatrin zviceran

TË FUNDIT

Më 10 shtator ne teatrin “Schlachthaus Bern” të Bernës jepet premiera e shfaqjes “Kosovo for Dummies” me autor teksti dramaturgun njohur nga Kosova Jeton Neziraj. Bashkëproducente e shfaqjes është aktorja shqiptare që jeton në Zvicër, Albana Agaj.

Aktorja dhe producentja e re me rrënjë shqiptare nga Kosova, Albana Agaj tregon për albinfo.ch rreth shfaqjes “Kosovo for Dummies”, rreth asaj se si ka lindur ideja e bashkëpunimit me Nezirajn në një projekt zviceran-kosovar dhe si po shkojnë punët drejt vënies në skenë. Albana po ashtu flet për karrierën e saj të deritashme teatrore, për preokupimet artistike, lidhjet me Kosovën, Prishtinë e saj etj.
Albana Agaj është aktore e diplomuar e teatrit, e cila prej disa vitesh krijon artin e saj në teatro të ndryshme në Zvicër në Gjermani e gjetiu. Ka afër dy vjet që drejton edhe një trupë teatrore që mban emrin “forever productions” (foreverproductions.ch).

E lindur në vitin 1982 në Prishtinë dhe e ardhur në Zvicër me familjen në moshën 11 vjeçare, Albana në vitin 2007 ka mbaruar studimet për aktrim në Shkollën e Lartë të arteve në Bernë. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ajo është angazhuar si aktore në teatrin “Teather an der Ruhr” (Mühlheim, Gjermani).
Para dhe pas kësaj ka luajtur me sukses një numër shfaqjesh në disa projekte teatrore në Vjenë, Bernë Munih, etj. Madje në vitin 2006 ajo ka marrë çmimin e parë “Max-Reinhardt dhe çmimin e publikut në takimet e studentëve gjermanishtfolës të aktrimit. Ndërsa në periudhën si aktore në “Theater an der Ruhr”, ajo ka pasur angazhim të rregullt dhe në role të rëndësishme në shumë shfaqje të inskenuara në këtë teatër. Bëhet fjalë për dramat si “Vdekja e Dantonit”, të autorit Georg Büchner, ”Babai” i August Strindberg, “Dona Rosita ose gjuhët e luleve” të Frederico Garcia Lorca, etj.
Ndërsa një angazhim që Albana e ka shumë për zemër ka qenë ai në teatrin e madh “Schauspielhaus Wien” të Vjenës, pasi që për të dhe për shumë aktorë, Vjena mbetet qytet i teatrit dhe i aktorëve.