Iva Mihajllova arratiset në Bullgari! MPB-ja: Nuk figuron se ka kaluar pikën kufitare

TË FUNDIT

Iva Mihajllova, e cila në vend po gjykohet për një aksident të rëndë trafiku me pasoja fatale, është larguar nga Maqedonia. Ende po hetohet se si e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar, pasi ndaj saj ka ndalim për largim nga vendi përmes pikave kufitare. MPB-ja po e heton rastin e arratisjes, por thotë se nuk është regjistruar kalimi i saj i kufirit.

“Ministria e Punëve të Brendshme kreu kontrolle në sistemin e kontrollit kufitar, me ç’rast u konstatua se për personin Iva Mihajllova, ndaj së cilës është në fuqi një ndalim aktiv gjyqësor, nuk ka evidencë për dalje nga territori i Maqedonisë. Gjithashtu, përmes qendrës së përbashkët të kontaktit me Republikën e Bullgarisë u kryen kontrolle edhe nga policia kufitare bullgare, nga ku morëm informacion se për personin në fjalë nuk ka evidencë për hyrje në territorin e Republikës së Bullgarisë”, tha Goce Andreevski nga MPB

Nga Prokuroria Publike thonë se Mihajllovës i janë konfiskuar si pasaporta maqedonase, ashtu edhe ajo bullgare.

“Të akuzuarës, me propozim të prokurorit publik, që nga 9 tetori 2025 i janë konfiskuar dy dokumentet e udhëtimit, ai maqedonas dhe ai bullgar. Gjithashtu, i është shqiptuar ndalim për kalimin e kufirit shtetëror me letërnjoftim, ndalim për largim nga Koçani dhe detyrim për t’u paraqitur te një person zyrtar. Prokurori publik kompetent ka ndërmarrë të gjitha hapat që janë në kompetencën e tij për sigurimin e pranisë së personit, ndërsa rreziku i arratisjes ishte një nga arsyet kryesore për të cilat Prokuroria disa herë kishte dhënë mendim negativ lidhur me kërkesën për kthimin e dokumentit të udhëtimit”, tha Prokuroria Publike.

Reaguan edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, prej nga thonë se arratisja e Mihajllovës dhe pritja e saj në Bullgari në nivel të lartë i dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Përkatësia kombëtare dhe posedimi i një shtetësie tjetër nuk duhet të shërbejnë si mbrojtje nga përgjegjësia para institucioneve kompetente. Secili ka të drejtë për gjykim të drejtë. Askush nuk ka të drejtë të përjashtohet nga zbatimi i ligjeve.

Nga Republika e Bullgarisë, si anëtare e Bashkimit Evropian, presim veprim në përputhje me parimet themelore evropiane: respektimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kompetente dhe barazinë para ligjit. Sundimi i së drejtës nuk duhet të jetë selektiv dhe as të varet nga përkatësia kombëtare e individit”, tha nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj saj për aksidentin e trafikut, në të cilin humbi jetën një person, Gjykata e Koçanit i kishte caktuar masa, përkatësisht ia kishte konfiskuar dokumentet dhe i kishte ndaluar largimin nga banesa. Megjithatë, në një deklaratë për mediat bullgare, ku u paraqit e shoqëruar nga avokati i saj bullgar, ajo pretendon se e ka kaluar kufirin pa asnjë problem dhe se, siç thotë, ka paraqitur si letërnjoftimin maqedonas, ashtu edhe atë bullgar.

“Kaluam kufirin normalisht, me dokumentet e mia personale. Unë kalova me dokumentet e mia, ato maqedonase. I dorëzova dokumentet për kontroll dhe na lejuan të kalonim”,tha Iva Mihajllova.

“Ajo më tha se nuk ndihej mirë. Unë kalova kufirin dhe shkova në qytet për ta marrë. Kaluam nëpër pikën kufitare, ajo e paraqiti dokumentin e saj personal maqedonas gjatë kthimit dhe nuk pati asnjë problem. Në pikën tonë kufitare paraqiti edhe letërnjoftimin bullgar”, deklaroi Nikola Dimitrov – avokat i Mihajllovës

Për largimin e saj në Bullgari foli edhe presidentja bullgare, Ilijana Jotova, e cila pretendoi se nuk dinte asgjë për ardhjen e saj, por shprehu synimin për t’u takuar me të.
Rasti i Mihajllovës u diskutua edhe nga ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova Çamova, në një takim me ministrin Timço Mucunski. Gjatë takimit, Mucunski është pajtuar që personel mjekësor nga Bullgaria të vijë dhe të kontrollojë gjendjen e saj shëndetësore.