Iseni akuzon BDI-në për propagandë politike! Integristët kërkojnë transparencë për rastin e dy të rinjve

TË FUNDIT

Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës së ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji, ndërsa ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, tha se uniforma policore është për të mbrojtur qytetarët dhe jo për t’i rrahur, duke theksuar se asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij.
Iseni e cilësoi propagandë politike kërkesën e BDI-së për dorëheqjen e tij, duke akuzuar opozitën se po tenton t’i japë ngjyrim etnik rastit.


“Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij. Por sapo dolën pamjet opozita shqiptare tentoi ta kthente dhunën ndaj dy të rinjve në betejë politike. Nisën akuzat propaganda për t’i dhënë ngjyrim etnik këtij rasti. Suspendimi 6 policëve është dëshmi se sistemi funksionon”, tha Astrit Iseni.

Nga ana tjetër BDI kërkon transparencë përmes publikimit të raportit të patrullës, deklaratave të policëve të përfshirë dhe dokumentacionit përkatës, duke respektuar hetimin dhe të dhënat personale.
Opozitarja kërkon të sqarohet nëse raporti policor përputhet me pamjet e publikuara dhe deklaratat e të rinjve, të cilët pretendojnë se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur.


“Në opinion janë paraqitur versione kundërthënëse për atë që ka ndodhur. Të rinjtë dëshmojnë se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur, ndërsa në publik janë plasuar pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrje të armës së një zyrtari policor. Prandaj kërkojmë publikimin e raportit fillestar të patrullës policore, procesverbaleve dhe dokumentacionit përkatës, duke respektuar të dhënat personale dhe integritetin e hetimit”, tha BDI.

Ndryshe më 7 tetor dy të rinj nga Saraji 21 dhe 23 vjeç denoncuan se u rrahën brutalisht nga pjesëtarë të policisë.