Shqipëria synon 3.5 milionë turistë për vitin 2015

TË FUNDIT

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Shqipëri Arben Ahmetaj e ka konsideruar 2015-ën si vitin më të mirë sa i përket sektorit të turizmit, me një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve. Edhe pse bilanci vjetor do ende kohë, të dhënat e 6 mujorit të parë tregojnë se sivjet janë 140 mijë vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë që qeveria po i fokuson politikat e saj drejt një turizmi gjithëvjetor, në të 12 muajt e vitit; një potencial që Shqipëria e ka me bollëk. Ministri tha se synimi është që këtë vit të arrihet një shifër prej 3.5 mln turistë në total.

Risi për Ahmetajn këtë vit është edhe tipologjia e turistëve që kanë ardhur në Shqipëri, jo thjesht nga rajoni por nga e gjithë bota.

Ndërsa foli edhe për ligjin e ri të turizmit që nuk gjeti konsensusin e opozitës dhe nuk u dekretua as nga presidenti Nishani, Ahmetaj tha se presidenti e ka bërë zakon të kthejë ligjet, dhe se në shtator Parlamenti do e kalojë sërish ligjin pasi se nuk ka çfarë ti ndryshojë.

Ahmetaj i bëri këto deklarata sot ndërsa pati një takim me një gurp turistësh dhe arkeologësh italianë të cilët shfaqën interes për të vizituar dhe eksploruar Rrugën Egnantia, të cilën qeveria synon ta kthejë në një atraksion turistik të karakterit historik dhe kulturor.