Tetova ende po përballet me pasojat e reshjeve

TË FUNDIT

Banorët e rajoneve të prekura nga vërshimet në Tetovë ende po përballen me pasojat e shiut, të cilët po ankohen për ritmin e ngadaltë të punimeve për pastrimin e vendbanimeve të tyre.

Një pjesë e banorëve të fshatit Reçicë kanë thënë se janë detyruar të paguajnë personalisht ekskavatorë me qëllim që të pastrojnë shtëpitë e tyre brenda, pasi që sipas tyre, pavarësisht kërkesës për pastrim, autoritet lokale janë angazhuar vetëm për pastrimin e rrugëve por jo për shtëpitë dhe oborret e tyre.

“Krejt me pagesë e pastrojmë këtë vendin. Komuna vetëm jashtë rrugët i pastron, kurse ne me pagesë, ndërsa sa do të na kërkojnë nuk e dimë. Komisioni vjen edhe shkon, rrinë në kafe. Neve sot na treguan se është dita e fundit po qe se e pastroni e pastroni, nëse jo do të mbetet kështu”, ka thënë një banorë i fshatit për Alsat M.

Në Komunën e Tetovës i hedhin poshtë ankesat e qytetarëve ndërkohë që thonë se punimet po zhvillohen në mënyrë intensive.

“Banorët në njëfarë forme edhe është dashur të angazhohen të gjithë që sado pak të japin kontribut në këtë drejtim, me këtë edhe disa banorë që kanë qenë më pak të vërshuar ato i kanë pastruar vet shtëpitë, mirëpo te ata që ka pasur material të madh dhe është dashur të përdoren makineri të gjithë banorëve u është dalë në ndihmë për t’i pastruar oborret nga këto vërshime”, tha Hisen Xhemaili, Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Zyrtarët komunal ndonëse nuk bëjnë të ditur nëse kanë analizuar rajonet e rrezikuara nga përmbytjet e mundshme, ata thonë se një Komision i përbërë edhe nga ekspertë të Bashkimit Evropian po inspekton të gjitha vendet dhe brenda 10 ditësh do të dalë me një plan për përmirësimin e infrastrukturës në këto rajone.

Ndërkohë në shumë rajone të prekura nga vërshimet vazhdon ndalesa për pirjen e ujit nga çezmat. Autoritet lokale theksuan se punimet për pastrimin e ujit vijojnë dhe do të përfundojnë së shpejti.
tetova2