Edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federcia Moghereni, ka njoftuar për arritjen e katër marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë,ajo ndërë të tjera tha se marrëveshjet e arritura sot janë historike për dy vendet.
“Katër marrëveshjet e nënshkruara pas një dite të gjatë në dialogun me Serbisë dhe Kosovës. Arritje historike në procesin e normalizimit”, ka thënë ajo në profilin e saj në Twitter.
Ndërkaq, në komunikatën e saj për arritjen e katër marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se kjo është një “pikë referimi për raportet mes dy vendeve”.
“Të dy kryeministrat kanë shënuar një kthesë në dialog. Ata janë pajtuar në përgjithësi për parimet e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, që i hap rrugë themelimit të tij”, thuhet në kumtesën e Mogherinit.
Ajo njofton edhe për arritjen e marrëveshjes për energjinë, telekomin dhe atë për urën mbi Ibër.
“Zgjidhjet si këto që ndodhën sot, sjellin përfitime konkrete për të dy popujt dhe në të njëjtën kohë mundësojnë avancimin e të dyja palëve në rrugën evropiane”, thuhet në njoftimin e Mogherinit.
Më tutje, thuhet se Bashkimi Evropian do të mbështesë implementimin e të gjitha marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Mogherini njofton se dialogu mes të dyja vendeve, do të vazhd ojë në muajt e ardhshëm.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë janë takuar në raundin e 28-të, të pestin të Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiqit, të tretin për katër çështje: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini fillimisht takoi veçmas kryeministrin kosovar Mustafa, pastaj kryeministrin serb Vuçiq, për të vazhduar me takimin e përbashkët trilateral, si edhe në raundet e kaluara.