Vuçiq: "Interesat tona i mbrojtëm me sukses"

TË FUNDIT

Kryeministri i Serbisë Aleksander Vuçiq ka deklaruar sonte se në Bruksel janë nënshkruar të katër marrëveshjet – për Asociacionin e Komunave Serbe, energjetikën, telekomunikacionet dhe urën mbi Ibër dhe vlerësoi se këto janë “marrëveshje të mira” të cilat u garantojnë siguri dhe mbijetesë serbëve në Kosovë.

Sonte po themelohet Asociacioni i Komunave Serbe. AKS do të ketë autorizime të gjera, kryetar, nënkryetar, kuvend, këshill, stemë, flamur… Do të mund të financohet nga Serbia dhe u tha në mënyrë të prerë se Serbia e ka këtë të drejtë”, deklaroi Vuçiqi për radiotelevizionin shtetëror serb RTS.

Kryeministri serb tha se delegacioni i Serbisë ka kryer një punë të shkëlqyeshme dhe se të gjitha marrëveshjet do të nxirren para publikut.

Ai ka thënë se delegacioni serb gjithë ditën ka biseduar me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe “vetëm në fund ka parë delegacionin e shqiptarëve të Kosovës”.

Sa i përket telekomit, Vuçiq ka thënë se “disa kanë harruar të thonë se serbët nga Kosova kur thirrin njerëzit në Serbinë qendrore edhe më tej i bien vetëm numrave 011 ose 018 ose 021 dhe e kundërta, kur thirret Mitrovica sillet vetëm numri 028 pa kurrfarë prefiksi tjetër”.

“Për herë të parë pas vitit 1999 arritëm që të legalizojmë pozicionin tonë dhe tërë bota na e njeh kompanin e telekomunikacionit, e për herë të parë do të kemi edhe furnizues dhe tregtarë me energji elektrike”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se ato do të jenë kompani bija të kompanisë Elektroekonomia e Serbisë.

“Sinqerisht mendoj se të gjitha interesat tona i mbrojtëm me sukses”, ka thënë Vuçiqi.