Aksionin e sotëm të lëvizjes Vetëvendosje te shtëpia e kryeministrit Isa Mustafa në fshatin Prapashticë, pas Kryeministrisë, e ka dënuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka shprehur indinjatë dhe shqetësim për veprimet e dhunshme të VV-së dhe ka thirrur organet përgjegjëse që të mbrojnë pronën private të qytetarëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për veprimet e sotme të dhunshme të aktivistëve të Vetëvendosjes, që kishin për cak pronën e familjareve të Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me këtë rast, Lidhja Demokratike e Kosovës dënon fuqishëm sulmin ndaj pronës private dhe ndaj familjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, të organizuar sot nga aktivistë të Vetëvendosjes.
Lidhja Demokratike e Kosovës, fton organet përgjegjëse që të mbrojnë pronën private të secilit qytetar të Republikës së Kosovës, dhe dënon veprimet dhe organizimet e tilla të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila të vetmin mjet politik e ka dhunën, dëmtimin e pronës publike, dhe pronës private, si në rastin e tentimit të dëmtimit të pronës së familjareve te Kryeministrit dhe rrezikimin e sigurisë së f amiljes së Kryeministrit Mustafa. Me veprimet e sotme Lëvizja Vetëvendosje tregon nivelin e papërgjegjësisë institucionale, vullnetin e tyre për destabilizim të vendit dhe shqetësim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
