Kosovo Unites States Alumni – KUSA ka përmbyllur implementimin e projektit “Fuqizimi Përmes Lidershipit”, në të cilin kanë qenë pjesëmarrës të rinj të shkollave të Kosovës, që ka pasur për qëllim përgatitjen e liderëve të së ardhmes.
Me këtë rast u tha se investimi më i rëndësishëm në të ardhmen e një vendi është investimi në rininë e tij, në ofrimin e mundësive për edukim, për përmbushjen e synimeve, talentit dhe ëndrrave të tyre. Derisa, u shpërblyen edhe tri esetë me të mira të shkruara.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se janë në hapjen e derës së zhvillimit të tyre individual, si qytetarë të së ardhmes, të cilët respektojnë njëri-tjetrin, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike apo fetare dhe marrin përsipër misionin e rëndësishëm të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë.
E para e shtetit theksoi se gjeneratat e reja të Kosovës janë gjeneratat e paqes, të cilët po e shkruajnë historinë e mirëkuptimit, besimit të ndërsjellë, të respektit dhe të dashurisë ndaj njëri-tjetrit.
Jahjaga porositi se përkushtimi duhet të jetë i palëkundur për t’u garantuar mundësi të ng jashme zhvillimi me moshatarët e tyre në botën e avancuar, duke mos lejuar që e ardhmja e tyre dhe e shoqërisë të komprometohet.
“Sot jeni duke kurorëzuar një eksperiencë të rëndësishme të jetës tuaj, duke mbrojtur një parim bazë të shoqërive demokratike, mbi të cilin ne e kemi ndërtuar edhe shtetin tonë, atë të të drejtave të barabarta midis të gjithë qytetarëve tanë. Duke folur për një temë të rëndësishme, siç është barazia gjinore, ju jeni duke vënë në pah sfidat me të cilat ne përballemi si shoqëri në garantimin e të drejtave të barabarta për vajzat ashtu si për djemtë. Në padrejtësitë të cilat ne ende vazhdojmë t’ua imponojmë vajzave, në ofrimin e zgjedhjeve më të pakta, mundësive e lirisë më të kufizuar që ato kanë për të zgjedhur rrugën e tyre”, tha Jahjaga.
Kreu i shtetit, u ka kërkuar të rinjve që të mos rrinë të heshtur para padrejtësive, por të punojnë që t’i ndryshojnë ato dhe të mos lejojnë të mposhten nga sfidat apo barrierat, por të besojnë në veten e tyre, në aftësitë dhe talentin që secili prej tyre e ka.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie tha se programet e KUSA-së e bëjnë presidentin amerikan Barack Obama krenar, sikurse e bëjnë edhe Qeverinë e Kosovës, pasi po përgatit liderët e së nesërmes.
“Programi ynë ndërkombëtar i shkëmbimit në arsim i jep krenari presidentit Obama, sekretarit Kerry dhe kolegëve të mi. Bazuara në mysafirët në tribunë dhe audiencë e kam të qartë se KUSA jo vetëm që është burim i madh i krenarisë për ne por edhe për Qeverinë dhe popullin e Kosovës. Sot po ashtu dashuroj t’i uroj edhe studentët, nxënësit, kam dëgjuar shumë gjëra për të rinjtë e Kosovës, pasionin, energjinë. E di që njëri prej synimit të këtij projektit është promovimi i ndjenjës së shëndoshë të vetëvlerësimit, vetërespektit, qëllimit dhe statusit social për pjesëmarrësit e rinj”, tha Delawie.
Drejtor i bordit të KUSA-së Avdyl Lipoveci duke përshëndetur të gjithë për përkrahjen, tha se bordi i KUSA-së prej paraqitjes së këtij projekti ka besuar në vlerat që ka ky projekt që t’u ndihmojë të rinjve që të përgatiten në jetën e tyre profesionale përmes vlerave që anëtarët e KUSA-së edhe projektit që kanë zhvilluar t’u ofrojnë atyre një ndihmë të shohim se si mund të krijojnë të ardhmen e tyre profesionale përmes udhëheqjes.
Për të vazhduar bashkëpunimin, KUSA dhe Ministria e Arsimit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se janë shumë të kënaqur që ky projekt ka përfshirë shumë shkolla, nxënës dhe studentë pasi kjo ka shumë rëndësi për të fituar përvojat në qeverisje, lidership.
Bajrami theksoi se janë duke punuar shumë afër me Qeverinë amerikane dhe me projektin e USAID-it të lidershipit dhe vetëm këto dy vite mbi 180 studentë kanë dërguar në universitete prestigjioze amerikane.
“Pa dyshim se projekte të këtilla si projekte që po i zhvillon KUSA kanë një rëndësi shumë të madhe për ne. Ne do donim që këto praktika t’i bënim pronësi vendore, do donim që këto praktika të mira, këto standarde që ju sillni në Kosovë të bëhen praktika të mira të mirëqeverisjes, qeverisje e cila bazohet në qeverisjen e gjasave të barabarta, në inkorporimin e plotë të dy gjinive, në lidership në udhëheqje, në qeverisje”, tha Bajrami.
Në fund u shfaq një fil dokumentar rreth këtij programi, ndërsa iu dhanë mirënjohje tre nxënësve për esetë me të mirë të shkruar. Jehona Ibrahimi fitoi vendin e parë për esenë me të mirë, Lirim Abazi vendin e dytë dhe Fatjeta Muçolli vendin e tretë.