Takohen shefat e shtatmadhorive të Maqedonisë dhe Kroacisë

0

Nuk ka prapavijë partiake në ricaktimin e pozitave të eprorëve luftarakë jashtë Shkupit, deklaroi kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, Metodija Veliçkovski pas takimit me kryeshefit të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Kroacisë.

Ai theksoi se disa persona të caktuar luftarakë vetë kanë kërkuar ricaktim të pozitave për shkak të rrogave të larta dhe përfitimeve.“Ne po hyjmë në një cikël të ri transformimesh dhe besoj se eprorët që janë shumë cilësorë do të japin rezultat shtesë në reforma dhe kalim të diturive që i kanë mësuar në trajnime në shumë vende të botës. Disa gjeneralë me kërkesë personale caktuan pozita të reja për arsye se do t’u jepet “shtesë e majme”, stazh shtesë, e edhe rrogat do t’u rriten, kështu që kjo nuk është ndëshkim, po shpërblim”, deklaroi Veliçkovski.

Përndryshe, në takimin e Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së me atë të Kroacisë, u bisedua edhe për avancimin e bashkëpunimit ushtarak bilateral, përvoja nga pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare, ashtu si edhe shqyrtim i gjendjes së sigurisë në rajon, duke vështruar edhe krizën e refugjatëve.

Gjenerali Drago Llovriq theksoi se pjesëmarrësit në forcat e armatosura janë të gatshme maksimalisht t’i ndihmojnë Maqedonisë të kyçet në NATO. “Qëndrimi ynë i kahershëm është se Maqedonia tashmë qe sa kohë është e përgatitur për t’u anëtarësuar në NATO, edhe para se të ndodhte kriza me refugjatët. Tani fort i përmbahemi këtij qëndrimi se duhet sa më shpejt të bëhet anëtare e Aleancës. Të dyja shtetet po bëjnë përpjekje maksimale për stabilizim të gjendjes me krizën e refugjatëve për shkak të paqes dhe stabilitetit në rajon. Forcat e armatosura të Kroacisë u ndihmojnë institucioneve civile të kenë qasje sa më të mirë dhe sa më humane ndaj këtyre njerëzve”, theksoi shefi i armatës kroate.

ARM-ja me Forcat e Armatosura të Kroacisë ka bashkëpunim në fushën e arsimit, trajnimit, ushtrimeve si ndarje e përbashkët në operacione paqësore. Gjithashtu, ata morën pjesë në projekte të përbashkëta për zhvillim të bashkëpunimit rajonal në kuadër të grupit të SHBA-ve me Adriatikun. Viteve të kaluara oficerë dhe nënoficerë të ARM-së u trajnuan në institucione të larta ushtarako-arsimore në Republikën e Kroacisë.

Gabriella Dimkoviq

Lëvizja BESA – Dollnen: Të sigurohet sa më shpejtë ngrohja e shkollave!

0

Lëvizja Besa ka reaguar lidhur me çështjen e ngrohjes së shkollave në Komunën e Dollnenit. Në komunikatën e lëshar sot nga kjo parti, thuhet se edhepse sezoni i ngrohjes fillon sot, shkollat e Dollnenit ende nuk kanë siguruar ngrohjen e hapësirave ku zhvillohet procesi arsimor.

Lëvizja në komunikatë cek se organet përkatëse janë ligjërisht të obliguara t’i sigurojnë këto kushte para se të fillojë viti shkollor, andaj Lëvizja BESA – Dollnen reagon ndaj politikës së dëmshme të udhëheqësive të shkollave, Komunës dhe Këshillit Komunal, por edhe ndaj indiferencës së plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të vet ministrit të BDI-së, z. Abdilaqim Ademi.

Me këtë rast Lëvizja BESA – Dollnen, siç thuhet në kumtesë,  kërkon nga organet kompetente që urgjentisht të sigurohen kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, konform detyrimeve të tyre ligjore. Zgjidhja e këtij problemi nuk pret analiza e sqarime, por kërkon zgjidhje të menjëhershme, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

PLD: VMRO-DPMNE – fajtor për eksodin e maqedonasve në shekullin e 21!

0

Trendi i migrimit të popullsisë nga Maqedonia jashtë vendit merr përmasa shumë shqetësuese, thuhet në komunikatën të lëshuar sot nga Partia Liberal-Demokratike. Sipas kësaj partie, të dhënat e fundit nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) tregojnë se vetëm në një vit, Maqedoninë e kanë braktisur të paktën 20 562 qytetarë, që sipas PLD është një numër rekord i të shpërngulurve në 15 vitet e fundit.

Të dhënat e përmbledhura deri më tani, sipas PLD, tregojnë se nga vendi në vitet e fundit kanë ikur mbi 600 mijë njerëz. Siç thuhet në kumtesën e kësaj partie, këto shifra janë një realitet i trishtuar për Maqedoninë nën çizmën e VMRO-DPMNE. Për dhjetëvjeçarin e sundimit të Nikolla Gruevskit dhe familjes, siç ceket, më shumë se një e katërta e popullsisë e la jetesën pa një të ardhme në vendin e tyre dhe u shpërngul anekënd botës.

Stejt Departamenti amerikan për liritë fetare: Pushteti favorizon Kishën Ortodokse Maqedonase

0

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për liritë fetare në botë gjatë vitit 2014.

Në këtë raport, në pjesën për Maqedoninë, raporti referon edhe për vrasjen në Liqenin e Smilkovcit në vitin 2012. Sipas raportit,  gjykata e Maqedonisë kishte shqiptuar dënimin me arsyen se vepra penale ishte drejtuar kundër maqedonasve etnik dhe ishte planifikuar të kryhen para festës së Pashkëve ortodokse, me qëllim, siç thuhet, nxitjen e tensioneve etnike.  Sipas raportit, materiali i dëshmive ishte me karakter të sigurisë së lartë dhe ato nuk u bënë të ditura për opinionin, ndërsa lidhur me dënimin ka pasur kritika se akuzat kanë qenë të pabaza. Kjo, siç thuhet në raport, ndikoi më tej në protesta të dhunshme të shqiptarëve etnik në Shkup dhe disa qytete.

Raporti thekson se kushtetuta dhe ligjet i mbrojnë të drejtat dhe liritë fetare, por se disa bashkësi fetare kanë nënvizuar favorizimin e Kishës Ortodokse Maqedonase nga ana e Qeverisë. Raporti gjithashtu shkruan se bashkësite minore fetare, muslimane dhe të krishtera, nuk mund të regjistrohen për shkak të ndikimit të Bashkësisë Fetare Islame dhe Kishës Orthodokse Maqedonase. Me probleme të tilla dhe presion ndaj ushtrimit të fesë, sipas raportit, përballen Arqipeshkvia Orthodokse e Ohrit, komuniteti bektashian dhE Dëshmitarët e Jehovait.

Lidhur me favorizimet që shteti po i bën për KOM-in, raporti shkruan se në prill, zyrtarë të Qeverisë morrën pjesë në ceremoninë e përurimit të një kryqi prej 56 metrave në Shkup, në komunën e Aerodromit, kurse në qershor zyrtarë të Qeverisë morrën pjesë në përurimin e Kishës Ortodokse në po të njejtën komunë.  Burime të ndryshme kanë thënë se Qeveria ka ndihmuar financimin e ndërtimit të kryqit dhe kishës dhe poashtu në mënyrë të padrejtë e ka lehtësuar procesin e lejes së ndërtimit, ceket në raport.

Raporti i Stejt Departamentit po ashtu flet edhe për ndërtimin në vendin ku ndodhej ish Xhamia Burmali. Sipas raportit, BIM ka thënë se Qeveria ka vazhduar të refuzojë të kthejë këtë pronë, sepse, sipas tyre, partia udhëheqëse etnike maqedonase dhe KOM nuk kanë dashur ta pranojnë mundësinë e një xhamie të re në qendër të Shkupit. Qeveria ka thënë se Ligji për Denacionalizim aplikohet vetëm për pronat e nacionalizuara pas vitit 1945, duke mohuar kështu në mënyrë efektive kthimin e disa pronave në BIM, të nacionalizuara para kësaj.

Në raport po ashtu thuhet se autoritetet lokale dhe kombëtare vazhduan ta bllokojnë rindërtimin e xhamisë në Prilep e cila qe e shkatërruar gjatë konfliktit të vitit 2001, dhe ndërtimin e një xhamie në fshatin e Lazhec-it, pranë Manastirit. BIM  ka vazhduar takimet me zyrtarët e qeverisë për tu përpjekur ta zgjedhin çështjen pronësore, por NUK kanë qenë në gjendje ta rifitojnë aprovimin e duhur të disa xhamive për të cilat qeveria kishte rënë dakord të kthehen. BIM theksoi që në disa raste qeveria vazhdon të bllokojë procesin e kthimit duke shitur ose filluar ndërtim të ri në pronë kontestuese, ose përmes kontestimit të kërkesave ligjore historike të BIM-it për pronat fetare.

 

 

 

Bejta në Reçan të Gostivarit: Ndërtimi i murit mbrojtës prioritet

0

Me kërkesë të banorëve të Reçanit, sot këtë fshat e vizitoi kryetari i komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, i cili nga afër u njoftua me gjendjen e vështirë, të shkaktuar nga rrëshqitja e pjesshme të dheut rreth rrugës lokale për në pjesën e sipërme të fshatit pas shirave të mëdha që përfshinë këtë zonë ditëve të fundit.

Udhëheqësia komunale dhe banorët u pajtuan që zgjedhje e përhershme e problemit do të ishte ndërtimi i murit mbrojtës. Bejta para banorëve të fshatit tha se ndërtimi i murit mbrojtës bëhet prioritet dhe se punimet në terren do të fillojnë në afat sa më të shkurtë.

“Gjetëm mirëkuptim për kërkesën e banorëve e cila është imediate dhe cenon sigurinë e fshatit. U pajtuam që të ndërtohet muri mbrojtës. Ky problem ka qenë shqetësim i madh i banorëve të fshatit dhe mund të sjellë pasoja nga fatkeqësitë e mundshme natyrore. Shumë shpejt do fillohet me punimet në terren”, deklaroi Bejta.

Gruevski: 13.500 persona përfshihen me planin operativ për punësime

0

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar Planin operativ për punësim për vitin 2016,  informoi kryeministri Nikolla Gruevski gjatë vizitës së sotme në komunën e Kisella Vodës.

Me këtë plan, sipas kryeministrit, është planifikuar të përfshihen 13.500 persona, prej të cilëve 8.700 do të jenë punësime të drejtpërdrejta. Gruevski deklaroi se plani operativ është miratuar para dhjetë ditëve dhe se për realizimin e tij do të shpenzohen 11,5 milionë euro. Ai informoi se plani do të zbatohet përmes Agjencisë për punësim dhe se janë bërë përpjekje të nevojshme për realizimin e tij në tërësi.

Dhunë familjare në Tetovë – 16 vjeçarja përfundon në spital!

0

16 vjeçarja nga Tetova mbrëmë ka qenë viktimë e dhunës familjare në Tetovë. Sipas komunikatës së policisë, viktima është rrahur nga burri i saj me të cilin për disa vite po bashkëjetonte.

Ngjarja e dhunshme ka ndodhur në prani të nënës së viktimës. Rasti menjëherë është paraqitur në polici, ku është konstatuar se e mitura është rrahur brutalisht dhe ka përfunduar në spital. Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj personit që ushtroi dhunë.

 

PDSH: Vazhdojmë të mbështesim marrëveshjen e Përzhinos!

0

Partia Demokratike Shqiptare kumtoi sot se vazhdon ta mbështesë marrëveshjen e 2 qershorit / 15 korrikut, si dhe dialogun e grupeve të punës.

PDSH, siç thuhet në komunikatë, apelon që sa më shpejtë të tejkalohen mosmarrëveshjet lidhur me Prokuroren Speciale dhe Këshillin e prokurorëve publik dhe pret që dialogu për marrëdhëniet ndëretnike dhe për përshpejtimin e integrimit të vendit në NATO dhe BEpresim të vazhdojë me shumë seriozitet.

Ivanov kërkon ndihmë nga OKB: Antarësim në BE, pavarësisht kontestit të emrit

0

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov theksoi se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pavarësisht çështjes së emrit, duhet t’i lejojnë Maqedonisë që të fillojë negociatat për anëtarësim. Ivanov këtë e deklaroi pas takimit me drejtorin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Majkl Miler.

Sipas tij, Maqedonia gjatë kohë është e bllokuar në planin e integrimeve evroatlantike, gjë që kjo shkakon tensione në jetën politike dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Ivanov theksoi nevojën e shtimit të aktiviteteve nga ana e Kombeve të Bashkuara rreth procesit të zgjidhjes së çështjes së emrit. Ai tha se shpreson që fqiu jugor do të tregojë më shumë konstruktivitet lidhur me dialogun politik me qëllim të tejkalimit të dallimeve dypalëshe. Në këtë takim Ivanov dhe Miler kanë biseduar edhe për krizën e refugjatëve dhe parandalimin e kërcënimeve nga rreziqet nga migrimi ilegal.

Prishtinë: Gaz lotësjellës prapë në Kuvend

0

Në sallën e Kuvendit të Kosovës prapë është hedhur gazëlotësjellës.  Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri thirrje që të gjithë të dalin jashtë nga salla .

Përkundër kontrollit që është bërë në hyrje të Kuvendit nga Policia e Kosovës, dikush arriti të fus në Kuvend mjete prioteknike.

Deputet tani po dalin jashtë, disa të përlotur./ 21Media