U hap fushata sensibilizuese “Mundesh edhe ti” përmes së cilës synohet fuqizimi ekonomik i gruas. Organizatorët e projektit pasqyruan sfidat nëpër të cilat po kalojnë gratë në shoqërinë tonë. Gratë modele në biznes dhanë shembuj të ngritjes së tyre në karrierë. Institucionet ndërkaq u zotuan për përkrahje në zhvillimin ekonomik të grave./ 21 Media
“Mundesh edhe ti” – synon fuqizimin ekonomik të gruas(VIDEO)
Hysni Shaqiri në “10 minuta”: Qeveria me arrestimet në Kumanovë po e defokuson krizën!
Për arrestimet e reja policore në Kumanovë dhe rastet e fundit në zonën e Karadakut, në emisionin 10 minuta të TV 21 foli ish-deputeti Hysni Shaqiri.
Sipas tij, qeveria po mundohet që problemet e krizës politike t’i zhvendosë në Kumanovë. “Qeveria po ballafaqohet me një problem shumë serioz me aferën e përgjimeve, me dështimin e bisedimeve në kohën e fundit për tejkalimin e krizës dhe disa çështje që janë për t’i tejkaluar për momentin, në kuadër të gjitha institucioneve të shtetit. Miratimin e ligjit – kodit zgjedhor, gjykata speciale, ku ka ngecur problem në vend dhe u ka hasë sharra në gozhdë. Tani problemin përnjëherë e fokusojnë në Kumanovë dhe marrin aksione policore, demonstrojnë forcë”, vlerësoi Shaqiri.
Për apostrofimin e emrit të tij në ripublikimin e dokumenteve që supozohen të jenë të shërbimeve sekrete, Shaqiri e ka bërë me gisht ndaj BDI-së, duke thënë se brenda kësaj partie ka njerëz të dyshimtë dhe për këtë shkak ai thotë se në vitin 2005 e ka braktisur BDI-në. “Unë e kam parasysh se UDB-ja është shumë e fortë në Ballkan, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Ka vepruar, vepron dhe do të vazhdojë të veproje nëpërmjet njerëzve të vet që i ka të instaluar, edhe struktura të caktuara, pse mos të jenë edhe shpirtligë, shqiptar. Ai dokument mua nuk më ka befasuar aspak, sepse vet dalja ime nga BDI në 2005 është argument i fuqishëm – që kam dalë. Kam rrezikuar gjithçka që ka qenë interesi im personal dhe familjar dhe jam ballafaquar me një situate që kam menduar se më takon dhe është obligim i imi kombëtar, që këtë çështje mos ta lë në heshtje dhe të dal t’i prij një procesi që është me përmasa gjithëkombëtare, jo me përmasa individuale. Dhe, kam pasur dilema që atëherë, se në kuadër të atyre strukturave veprojnë njerëz të dyshimtë që nuk mund t’u besoj”, theksoi Shaqiri.
Për Marrëveshjen e Përzhinos, Shaqiri u shpreh i zhgënjyer, ngase sipas tij dy partitë shqiptare nuk arritën që çështjen shqiptare ta fusin në kuadër të këtyre bisedimeve.
Intervistoi: Artan Nuhiu
Reagime: "Jo na, por ata" (VIDEO)
Ndërprerja e seancës së Kuvendit dhe përdorimi sërish i gazit lotsjellës në Kuvend u komentua në mënyra të ndryshme nga pozita dhe opozita. Derisa opozita po insiston në bllokimin e punës së Kuvendit, partit në pushtet thonë se do të veprojnë me të gjitha masat që të mundësohet puna e Kuvendit./ 21 Media
Kuvendi i Kosovës: Vazhdon tymnaja (VIDEO)
Për të dytën herë hedhja e gazit lotsjellës nga opozita pamundësoi mbajtjen e seancës së Kuvendit. Ndryshe, nga hera e kaluar kur gazi lotsjellës u hedh nga deputeti Kurti, këtë herë këtë iniciativë morën deputetët Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi./ 21 Media
Prishtinë: Studentët bllokuan sërish hyrjen e rektoratit (Video)
Një grup i studentëve të cilët po vazhdojnë të protestojnë kundër rektorit të ri Ramadan Zejnullahu për ti plotësuar kërkesat e tyre, ata bllokuan sot hyrjen e rektoratit duke mos lënë rektorin Zejnullahu të hyjë në rektorat,pasi sipas tyre në mbledhjen e mbajtur dje të këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës nuk u diskutua çështja e kërkesave të tyre. /21 Media
Bastisen shtëpi në Malinë dhe Hotël – familja Osmani e shqetësuar!
Frikë, lot dhe trishtim, kjo është ajo që ka mbetur në familjen Osmani, pas aksionit policor të sotëm. Në orët e hershme të mëngjesit forca të mëdha policore, kanë bllokuar pothuajse të gjithë fshatin Malinë. Nga ky aksion mbeti i arrestuar Fazli Osmani.
Shtëpia e familje Osmani, pas arrestimit të Fazliut mbeti vetëm me nënën dhe motrën e tij. Nëna Zaide thotë se kjo nuk është hera e parë që policia bastis shtëpitë e tyre. Edhe pse sipas saj, policia nuk ka gjetur asgjë, djali i saj ka përfunduar me pranga në duar.
Deri sa të kthehet Fazliu, nëna dhe motra e tij do të luftojnë për një cope bukë, të vetme, sepse mashkull tjetër në shtëpi nuk u ka mbet. I zoti i shtëpisë, Sylejman Osmani ishte njëri nga protagonistët e ngjarjeve të 9 majit në Kumanovë, dhe i njëjti është arrestuar nga policia e Kosovës.
Furkan Saliu
Kumanova sërish rrethohet nga policia – Arrestohen 7 persona në aksionin “Rrufeja”!
Familja Pajaziti nga fshati Hotël i Kumanovës, ka përjetuar një trishtim të vërtetë mëngjesin e sotëm, kur forca të mëdha policore kanë hyrë në shtëpinë e tyre. Nga aksioni mbeti i arrestuar, Musadik Pajaziti.
Vëllai i tij Burajdini, thotë se policia e ka detyruar të qëndroj 2 orë në këmbë me pranga në dorë, pa asnjë shpjegim paraprak. Fare në fund të aksionit, policia ia shpjegoi këtij veterani të luftës se po kërkon armatimin, që dyshuan se i ka mbet kësaj familjeje që nga lufta e 2001.”Kah ora 4 kanë ardhur tek unë, mi venduan prangat dhe më dërguan pas shtëpisë. 3 policë më ruanin me automatik në gojë, skam mundur të lëviz, më thanë që të qëndroj në vend deri sa ata të marrin informata. Më kanë mbajtur dy orë, prej në ora 4 e deri më ora 6″, tregon ai.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se bëhet fjalë për operacionin të ashtuquajtur “Rrufea”, aksion i cili ka pasur si qëllim të zbulojë rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe ndihmësve të grupit të Kumanovës, i përfshirë në incidentin e armatosur të 9 majit në Lagjen e Trimave të Kumanovës.”Bëhët fjalë për shtatë persona në moshë prej 20 deri 74 vjet, prej të cilëve tre janë prej fshatit Hotël, dy prej Brezës dhe një prej Matejçes. Të shtatë personat janë të dyshuar për vepra penale “Organizatë teroristike””, informoi ndihmësministri në MPB, Ivo Kotevski.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë me dije se tek të arrestuarit janë gjetur harta të cilat ky institucion i quajti të “Shqipërisë së Madhe”, uniforma të Uçk-së, 13 telefona mobil, armë zjarri dhe municion.
Kotevski thotë se gjatë aksionit policia nuk ka hasur në probleme dhe se të dyshuarit po nxirren para gjykatës themelore.
Furkan Saliu
Maqedonia – dy dekada marrëdhënie diplomatike, Poposki: Vite rritjeje dhe zhvillimi të përbashkët
Maqedonia sot feston 20 vite marrëdhënie diplomatike me 19 shtete, si dhe me katër organizata ndërkombëtare si OSBE, NATO, Këshilli i Evropës dhe Organizatën Botërore Tregtare.
Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, pas mirëseardhjes simbolike në disa gjuhë, deklaroi se Maqedonia njëzet vite është rritur dhe zhvilluar bashkë me këto 19 shtete. “20 vite u rritëm dhe u zhvilluam së bashku, u ballafaquam me të gjithë situatat e mira dhe jo të mira në nivel ndërkombëtar. 20 vite tentuam të zhvillojmë vlerat tona në nivel më të lartë. Ndërmorëm aktivitete për afrimin e shteteve tona, dhe bashkimin e popujve tanë”, tha Poposki.
Në këtë kontekst, Poposki po ashtu deklaroi se Maqedonia me partnerët e saj ndan vlerat e mirëfillta demokratike – paqen dhe stabilitetin, me të cilat Maqedonia, sipas Popovskit, synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në këtë eveniment, deklaratë në lidhje me braktisjen e grupit punues nga ana e LSDM-së dha ambasadori i BE-së Aivo Orav, i cili tha se partitë politike nuk kanë kohë për të humbur. “Data e 20 tetorit afrohet, dhe sipas marrëveshjes së Przhinos, shumë punë duhet të bëhet. Për fat të keq, deri më këtë datë nuk ka ngelur edhe shumë kohë, dhe unë shpresoj që puna do të kryhet deri në këtë afat. Shpresoj se të gjithë partitë do të fillojnë të punojnë në grupe punuese përsëri dhe mos të humbin kohë”, theksoi Orav.
Pas pritjes më të gjatë të mediave, pres qendra e Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi që Nikolla Popovski nuk ishte i gatshëm të japë përgjigje për pyetje jashtë temës të ngjarjes së sotme.
Blerim Ismaili
Kumanovë: Në Lagjen e Trimave ndërtohet, por traumat dhe gjurmët e përleshjes mbesin të freskëta
Gjurmët të aksionit policor në lagjen e trimave të Kumanovës që ndodhi më 9 maj akoma janë gjithkund. Me të hyrë në lagje, shihet shtëpia e parë e shpuar nga plumba. Muret e biruara, dritaret e thyera, kulm i prishur – kanë mbetur si kujtim nga kjo ngjarje për banorët. Por, nuk janë vetëm këto pamje që i kujtojnë ato që ndodhën. Banorët kujtojnë me trishtim ditën kur gjithçka që kishin, u rrënuaa.
Lagjja ka filluar të rindërtohet. Shumë punëtorë ia kanë mësyrë t’i kryejnë paralelisht ndërtimet e shumë shtëpive. Gjurmët e plumbave janë gjithkah nëpër shtëpi, thotë një banore e moshuar. Ajo cek se ato ditë nuk do t’i harrojë asnjëherë. “Kjo padijeni siç thonë – me të gjetur nën jorgan. Të bëhet lufta, me fëmijë e me krejt. Ne kur kemi marrë vesh, ngado ia kemi mbajtur. Jo, asnjëherë, kjo nuk harrohet kurrë. Pak ma mirë ka qenë. Që kanë hyrë, deri sa të vdes, nuk harrohet”, thekson kjo banore.
Edhe kryefamiljari Azemi, rrëfen për vështirësitë që ka kaluar familja e tij. “Na kujtohet më së shumti që gjithë familja Azemi kemi qenë brenda, bile në atë shtëpi që jemi familja ka nga 5 a 6 të verbër, edhe është shumë çështje e rëndë. Prej se ka krisë, rreth gjysmë ore, kemi qenë brenda”, kujtohet Qemal Azemi, një prej banorëve të Lagjes së Trimave.
Salie Fejzullahu është ende nën frikë prej aksionit të bërë në atë ditë. Ajo rrëfen se sa është vështirë të të njohin si banore të kësaj lagjeje “Neve na shohin si viktima të këtij rasti, dhe shohin gjynah te ne. Dhe, kur tregojnë, normalisht kemi emocione të tilla, sa që as nuk mundemi të flasim. Tash kemi trauma, nuk mundemi as të flemë rehat, as nuk zgjohemi rehat, siç jemi zgjuar para atij aksioni”, tregon ajo.
Pas 5 muajve, Lagjja e Trimave po ndërtohet e re. Plagët për këta banorë janë ende të freskëta, por ata janë me shpresë se do të vijnë ditë më të mira.
Miradije Hasani
Ambasadori amerikan Bejli: Janevës t’i sigurohen të gjitha mjetet e nevojshme!
Pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Prokurorëve Publikë që prokurorja speciale Katica Janeva, në vend të 14 të ketë 7 ndihmës – prokurorë, ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se Janeva ka marrë mbështetje prej 108 deputetëve, si edhe prej katër partive, dhe se duhet t’i lihet hapësirë për punë.
“Do të theksoj se 108 deputetë të Kuvendit, katër partitë politike dhe Këshilli i Prokurorëve e zgjodhën atë njëzëri për shkak të profesionalizmit të saj dhe jam i mendimit se ata do të dëshironin t’ia sigurojnë mjetet që ajo konsideron se janë të domosdoshme për ta bërë punën e saj”, tha sot ambasadori Bejli.
Sipas tij, sa i takon gjendjes së krijuar në lidhje me bisedimet partiake, ka ende shumë për t’u bërë, ndërsa koha është e shkurtër.
Dje Janeva deklaroi se e kërkon të gjithë ekipin, për arsye se atë e kanë zgjedhur të gjitha partitë politike. “Unë i qëndroj asaj që ekipi im të emërohet. Këshilli me këtë e ka shkelur Ligjin për Prokurori Publike Speciale dhe e ka uzurpuar vetë Marrëveshjen e Përzhinos. Shpresoj që sa më shpejtë do ta korrigjojnë vendimin e tyre. U ngrit avion, që dekreti të nënshkruhet. Të nesërmen unë u zgjodha nga të gjitha partitë, prandaj e pranova këtë detyrë, për të cilën mendoj se kam kapacitet ta bëj. E kërkoj ekipin tim”, u shpreh prokurorja speciale.
Pas publikimit të djeshëm se në vend të 14, Janeva do të ketë vetëm 7 prokurorë, LSDM-ja opozitare njoftoi se do të tërhiqet në konsultime, sepse, në këtë mënyrë, sipas tyre, Marrëveshja e Përzhinos është shkelur.
Aleksandra Smilevska
