Për arrestimet e reja policore në Kumanovë dhe rastet e fundit në zonën e Karadakut, në emisionin 10 minuta të TV 21 foli ish-deputeti Hysni Shaqiri.
Sipas tij, qeveria po mundohet që problemet e krizës politike t’i zhvendosë në Kumanovë. “Qeveria po ballafaqohet me një problem shumë serioz me aferën e përgjimeve, me dështimin e bisedimeve në kohën e fundit për tejkalimin e krizës dhe disa çështje që janë për t’i tejkaluar për momentin, në kuadër të gjitha institucioneve të shtetit. Miratimin e ligjit – kodit zgjedhor, gjykata speciale, ku ka ngecur problem në vend dhe u ka hasë sharra në gozhdë. Tani problemin përnjëherë e fokusojnë në Kumanovë dhe marrin aksione policore, demonstrojnë forcë”, vlerësoi Shaqiri.
Për apostrofimin e emrit të tij në ripublikimin e dokumenteve që supozohen të jenë të shërbimeve sekrete, Shaqiri e ka bërë me gisht ndaj BDI-së, duke thënë se brenda kësaj partie ka njerëz të dyshimtë dhe për këtë shkak ai thotë se në vitin 2005 e ka braktisur BDI-në. “Unë e kam parasysh se UDB-ja është shumë e fortë në Ballkan, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Ka vepruar, vepron dhe do të vazhdojë të veproje nëpërmjet njerëzve të vet që i ka të instaluar, edhe struktura të caktuara, pse mos të jenë edhe shpirtligë, shqiptar. Ai dokument mua nuk më ka befasuar aspak, sepse vet dalja ime nga BDI në 2005 është argument i fuqishëm – që kam dalë. Kam rrezikuar gjithçka që ka qenë interesi im personal dhe familjar dhe jam ballafaquar me një situate që kam menduar se më takon dhe është obligim i imi kombëtar, që këtë çështje mos ta lë në heshtje dhe të dal t’i prij një procesi që është me përmasa gjithëkombëtare, jo me përmasa individuale. Dhe, kam pasur dilema që atëherë, se në kuadër të atyre strukturave veprojnë njerëz të dyshimtë që nuk mund t’u besoj”, theksoi Shaqiri.
Për Marrëveshjen e Përzhinos, Shaqiri u shpreh i zhgënjyer, ngase sipas tij dy partitë shqiptare nuk arritën që çështjen shqiptare ta fusin në kuadër të këtyre bisedimeve.
Intervistoi: Artan Nuhiu
