Pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Prokurorëve Publikë që prokurorja speciale Katica Janeva, në vend të 14 të ketë 7 ndihmës – prokurorë, ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se Janeva ka marrë mbështetje prej 108 deputetëve, si edhe prej katër partive, dhe se duhet t’i lihet hapësirë për punë.
“Do të theksoj se 108 deputetë të Kuvendit, katër partitë politike dhe Këshilli i Prokurorëve e zgjodhën atë njëzëri për shkak të profesionalizmit të saj dhe jam i mendimit se ata do të dëshironin t’ia sigurojnë mjetet që ajo konsideron se janë të domosdoshme për ta bërë punën e saj”, tha sot ambasadori Bejli.
Sipas tij, sa i takon gjendjes së krijuar në lidhje me bisedimet partiake, ka ende shumë për t’u bërë, ndërsa koha është e shkurtër.
Dje Janeva deklaroi se e kërkon të gjithë ekipin, për arsye se atë e kanë zgjedhur të gjitha partitë politike. “Unë i qëndroj asaj që ekipi im të emërohet. Këshilli me këtë e ka shkelur Ligjin për Prokurori Publike Speciale dhe e ka uzurpuar vetë Marrëveshjen e Përzhinos. Shpresoj që sa më shpejtë do ta korrigjojnë vendimin e tyre. U ngrit avion, që dekreti të nënshkruhet. Të nesërmen unë u zgjodha nga të gjitha partitë, prandaj e pranova këtë detyrë, për të cilën mendoj se kam kapacitet ta bëj. E kërkoj ekipin tim”, u shpreh prokurorja speciale.
Pas publikimit të djeshëm se në vend të 14, Janeva do të ketë vetëm 7 prokurorë, LSDM-ja opozitare njoftoi se do të tërhiqet në konsultime, sepse, në këtë mënyrë, sipas tyre, Marrëveshja e Përzhinos është shkelur.
Aleksandra Smilevska
