SHBA-ja i kthen Kinës 64 objekte kulturore dhe fosile

TË FUNDIT

Shtetet e Bashkuara i kanë kthyer Kinës 64 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fosile paleontologjike kineze, njoftoi Administrata Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore e Kinës (NCHA). Objektet u dorëzuan në dy grupe, përkatësisht në Uashington dhe Nju Jork, të mërkurën dhe të enjten, nga agjencia “Homeland Security Investigations” (HSI) dhe Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit.

Në ceremonitë e kthimit, Rao Quan, zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit dhe kreu i NCHA-s, nënshkroi konfirmimin e kthimit dhe marrjes në dorëzim në emër të palës kineze, shkruan “Xinhua”.

foto

Objektet e kthyera, të sekuestruara nga agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, përfshijnë bustin e një statuje bodhisattva nga Shpellat Tianlongshan, si dhe statuja, figura terrakote, fosile skeletesh dinozaurësh, fosile peshqish dhe fosile vezësh dinozauri.

NCHA deklaroi se ka bashkëpunuar me misionet diplomatike dhe konsullore kineze në Shtetet e Bashkuara dhe me autoritetet përkatëse amerikane për të lehtësuar kthimin e artefakteve dhe se kthimi i kësaj jave shënon herën e pestë që Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit kthen objekte të trashëgimisë kulturore Kinës.

foto

Këto riatdhesime të fundit janë pjesë e bashkëpunimit kino-amerikan për të luftuar trafikimin e paligjshëm të pasurive kulturore kineze, në kuadër të një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar në vitin 2009 dhe të rinovuar tri herë që atëherë.

Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Xie Feng, dhe konsulli i përgjithshëm në Nju Jork, Chen Li, së bashku me përfaqësues nga Departamenti Amerikan i Shtetit, HSI-ja dhe Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit.